E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reportazh: Gjimnazet e natës, makina luksi e prindër pas kangjellave

Fluksi i makinave i prindërve dhe nxënësve pas mësimit

Më së shumti për nostalgji, sytë na mbeten të fiksuar në dritaret e katit të katërt. Rreshti i nxënësve pozicionuar pranë tyre dallohet që po numëron minutat sa të bjerë zilja. Ora shënon 18:25. Për shumë pak i jepet fund dhe një tjetër dite mësimi. Kaq na mjafton për të hedhur një sy jashtë kangjellave që rrethojnë gjimnazin Sami Frashëri në Tiranë. Pas rikonstruksionit, janë të larta, aq sa për disa çaste të kap një ndjesi inati që nuk mund të kapërcehen më, siç ndodhte diku përpara dhjetë e më shumë viteve. Atëherë, kur  thuajse të gjithë e provonin atë adrenalinën e pakuptimtë të lënies së orës për tu mbledhur në një nga lokalet aty afër. Përpiqemi të kuptojmë si ia bëjnë tani nxënësit. Pa diskutim që do kenë mënyrat e tyre. Gjithsesi, kjo ndjesi kalon shpejt dhe kësaj here sytë na ndalen në trotuarin përballë hyrjes. Ka prindër e familjarë që presin, por jo aq shumë sa mendonim. Fare pranë derës së oborrit të gjimnazit qëndron ai grumbulli i kahershëm i pesë a më shumë djemve bashkë, të cilët me të njëjtin qëllim, vite më parë pozicionin strategjik e kishin nja 50 metra më larg. Janë të tjerë, por duken po ata. Ora është fiks 18:30. Në fakt, më shumë sesa zilja se mësimi mbaroi, na e tregojnë buritë e makinave që shtohen. Parkimet njëshe e dyshe mbushen sa hap e mbyll sytë në një rresht të gjatë jashtë gjimnazit. Një pjesë e mirë e tyre, luksoze. Nuk mungojnë X5-at ,ndonjë Porche e pak më poshtë, si për të prishur syrin e keq, nja dy Mercedesë e një Fiat, tip pak më i vjetër. Sigurisht që në këto të fundit duket qartë që ka prindër. Pasi dalin grupet e para të nxënësve, me zhurmë e me të qeshura të përcillet gëzim i natyrshëm i moshës. Veç tij, të bëhet edhe më e madhe pyetja: Çfarë mund të bëjnë më parë me pak orët e mbetura të mbrëmjes? Si mund ta organizojnë kohën kur në shtëpi u bie të kthehen rreth orës 20:00 të darkës?
Gjimnaze nate
Për të tretin vit radhazi, gjimnazi Sami Frashëri është kthyer në një shkollë nate. Mësimi bëhet me turne dhe grupi i dytë i nxënësve e nis në 1:30. U afrohemi. Pjesa më e madhe janë në vitin e parë. Në fillim e kisha shumë të vështirë sa të ambientohesha. Se i bie që gjithë dita na shkon në shkollë dhe pastaj kthehemi të lodhur. Përgjithësisht mësojmë paradite, por prapë, sidomos tani në dimër, e kemi problem këtë mësimin natën, thotë Adela, njëra prej nxënësve e cila ndalon e të përgjigjet për pak minuta në oborr. Sapo të shohin se nxjerr aparatin afrohen nja tre katër djem që nuk ngurojnë të përgjigjen me shkoqur. Po hë pra, si thua ti, bëhet mësim tani? Na zë gjumi në klasë ka raste. Megjithëse ka edhe të mirat e veta se ja pimë ndonjë kafe rehat tani, thotë njëri prej tyre. Vulën ia vë njëra nga nënat që pret jashtë oborrit. I lexohet në fytyrë lodhja e me zor pret të marrë të bijën që është duke ardhur. Për mua është skandaloze. Vij çdo ditë marr time bijë se e kemi shtëpinë larg dhe është natë e si dihet. Na kanë ndryshuar ciklin e jetës së kalamajve. Mësojnë natën e flenë ditën. E solla me qejf të madh se gjimnaz i mirë, po lodhemi ne e lodhen edhe ata. Kur nuk vijmë dot ta marrim jemi gjithë ankth se çfarë po ndodh, thotë ajo. E në fakt, pavarësisht se kohët kanë ndryshuar, është gjëja më normale që mund të përjetojë një prind. Këtë shqetësim disa muaj më parë e kanë ngritur edhe vetë ekspertët e arsimit. Ata vunë theksin mbi produktivitetin e ulët të nxënësve që mësojnë me turne e nuk lanë pa përmendur edhe merakun për një brez adoleshentësh që u duhet të shkojnë natën në shkollë, si pasojë e mungesës së ambienteve. Bëhet fjalë për adoleshentë. Mendoni prindërit, mendoni edhe ata që të paktën deri në orën 20:00 të mbrëmjes u bie të jenë jashtë shtëpie çdo ditë. Këtë tha disa muaj më parë drejtoresha e Drejtorisë Arsimore, Arjana Bekteshi, kur u hap debati për ambientet shtesë që u duhen gjimnazeve të mbipopulluara. Na erdhi në mendje fill pas bisedës që bëmë me njërën prej prindërve te dera e Samiut. Kthejmë kokën nga rruga nga zhurma e një dere të rëndë makine që mbyllet. Sytë na ndalen te një puthje që shkëmbehet sakaq. Ajo vajza brune goxha kinge. Mesa duket nuk e paska fare problem që i dashuri ka ndaluar mu te dera e shkollës me Fuoristradën luksoze. Më poshtë, një tjetër bën të njëjtin veprim. Sërish në fytyrë na endet një buzëqeshje. Dikur kjo ndodhte shumë më rrallë. Urdhri ishte i prerë: Makina nuk ndalonte te dera e shkollës se të merrnin me sy të keq mësuesit. Por, një dekadë më parë mësimi kishte kohën e vet e nuk mbyllej kurrë më shumë se ora 17:00 edhe me dy orët shtesë të gjermanishtes.
Një ndalesë te Partizani e Petro Nini
Pak më herët bëmë një ndalesë te gjimnazi Partizani, që gjithashtu zhvillon mësimin me turne. Duke veçuar faktin se rrugica ishte krejt pa drita, nuk arritëm të dallojmë mirë kush ishin prindërit e kush ishin nxënësit. Qartazi dukeshin vetëm makinat e parkuara në pritje të ziles së mësimit. Përfituam për të shkëmbyer disa fjali me një prej mësuesve që kapëm në katin e parë. Na është dashur ne kohë të përshtatemi dhe jo më nxënësit. Mësimi me turne për adoleshentët është jo vetëm i lodhshëm, por nga sa flasim me psikologen e shkollës, i paasimilueshëm.Nuk na takon ne të japim zgjidhje, por po ju them që dija nuk mund të merret aq sa duhet në këto kushte, thotë ajo. Krejt tjetër gjë pamë te Petro Nini Luarasi të enjten. Ndoshta edhe pse është në një pozicion më të rrahur, tufa-tufa nxënësit i shihje të vërshonin te lokalet përballë. Për hir të së vërtetës më shumë djemtë. Pas të paktën një ore në kafe, shtëpia i kap në 22:00 të mbrëmjes. Sigurisht që nuk bëhet fjalë për të mësuar. Vjen shumë shpejt orari i gjumit. Tani as që mësoj dot në darkë. Vetëm kur kemi ndonjë provim. Jena të lodh, skena nerva. Hajt natën, se po më presin. Apo je për nanji kafe?, thotë një djalë i vitit të dytë.
Mësim me turne për 2000 nxënës
Gjashtë janë gjimnazet që bëjnë edhe këtë vit mësim me turne. Ndërkohë që edhe në arsimin 9-vjeçar  1/3 e shkollave bën mësim me turne. Drejtoria Arsimore ka kërkuar ambiente shtesë. Ministria e Arsimit kërkon shkolla të reja. Zgjidhja vijon të mungojë, ndërsa kryeqyteti është kthyer në metropolin e shkollave të natës për të cilat hidheshin romuze përpara disa vitesh. Për specialistët e MASH-it, arsyeja e kësaj mbingarkese ka qenë përqendrimi në shkollat më me emër. Sidomos për gjimnazet, arsyeja në të cilën kanë dalë edhe specialistët tanë është përqendrimi i nxënësve në shkollat më me emër. Është një tendencë e prindërve dhe e vetë atyre që, duke parë rezultatet që kanë pasur ndër vite këto shkolla, duan patjetër të regjistrohen aty. Kjo ka rritur fluksin dhe ka bërë që të ketë mbingarkesë, është shprehur Fatmir Vejsiu në nisje të vitit shkollor për gazetën. Ai ka pohuar se  është arritur në konkluzionin se ngritja e shkollave të reja është e domosdoshme. Pa diskutim është domosdoshmëri. Ajo do të ishte zgjidhja përfundimtare e fluksit në shkolla. Duhet të keni parasysh se Tirana është e mbipopulluar dhe sidomos në disa njësi vendore duhen patjetër shkolla të reja. Nga analiza që ka bërë grupi i punës i ngritur në MASH për këtë problem, është konkluduar se Njësia 7, Njësia 1, Njësia 8 dhe Njësia 5 janë ato me të populluarat, ku lind nevoja e ndërtimit të shkollave të reja. Duhet ta kuptojnë të gjithë se në një qytet me 1 milion banorë nuk mund të studiojnë të gjithë në 5 shkolla të mesme apo 10 shkolla 9-vjeçare. Është e pakuptimtë, është shprehur Vjesiu.
Më pak asimilim dijesh
Përtej dëshirës së mirë, edhe këtë vit nuk ndryshoi asgjë. Nga kontaktet që patëm me disa prej psikologëve të shkollave, na u tha se me këtë llo

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›