Reportazhi/Ditët shqiptare të Presidencës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës
Kryeministri Berisha: “Presidenca e KiE-së një margaritar i vërtetë në 100 vjetorin e pavarësisë së vendit”
Marrja nga Shqipëria e Presidencës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës është shndërruar në një ngjarje me rëndësi të veçantë në historinë e vendit tonë. Ajo shënon një tjetër pikë kulmore në aspektin politik, diplomatik, por edhe qytetar. Ceremonia e zhvilluar më 23 maj në Strasburg përveç anës protokollare të dorëzimit të presidencës nga Mbretëria e Bashkuar drejt Shqipërisë, ka qenë e mbushur me një sërë vlerash dhe emocionesh të veçanta. Strasburgu jo se nuk e kishte dëgjuar zërin shqiptar, por për herë të parë në histori që nga koha e të qenit anëtare e kësaj organizate, çdo gjë kumboi dhe foli shqip. Cilido që e ka përjetuar këtë ceremoni padyshim që është ndjerë krenar. Pasi që në hyrje të kësaj godinë me peshë ndërkombëtare e ka vlerësuar që orët dhe minutat i takonin jo vetëm një vendi, por gjithë gjakut shqiptar, kudo që ai jeton. Për herë të parë në historinë e saj, që nga koha e anëtarësimit, Shqipëria kryesonte një organizatë mbarë evropiane të këtyre dimensioneve. Emocionuese ndërrimi i presidencës së radhës nga Mbretërisa e Bashkuar, një shtet me një demokraci të konsoliduar drejt një vendi që synon gjithmonë e më shumë frymën evropiane në çdo qelize të jetës së tij, Shqipërisë. Ceremonia e marrjes së presidencës ka qenë ndër më të rëndësishmet përsa i përket dimensionit të diplomacisë publike dhe rritjes së imazhit të Shqipërisë sidomos në këtë vit jubilar të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shtetit shqiptar. Me shumë emocione përjetohet çasti kur Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto, mori simbolikisht gjatë Sesionit të 122-të Ministerial të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës çelësin e drejtimit të këtij organi politik të organizatës. Cilido që nuk e ka përjetuar herë tjetër këtë ceremoni nuk mund ta mendojë se për çfarë çelësi bëhet fjalë. Një çelës shumë i vogël, në përmasa të zakonshme, për të mbajtur hapur një portë kaq të madhe sa është në të vërtetë kjo organizatë mbarë evropiane e këtyre dimensioneve.
Një ceremoni në të cilën morën pjesë përfaqësues të lartë të 47 vendeve anëtare të kësaj organizate, të cilët në mënyrë zyrtare dhe siç i takonte traditës diskutuan mbi politikat e Këshillit të Evropës ndaj rajoneve fqinje dhe kontributin e organizatës për këto demokraci të reja. Ajo që mund të cilësohet si shumë domethënëse në këtë glob të trazuar dhe shumë të mbingarkuar nga zhvillimet e tij politike, ekonomike dhe ushtarake ishte çasti i hapjes së seancës nga Sekretari britanik i Shtetit, William Hague i cili paraqiti arritjet dhe rezultatet e presidencës britanike të KiE-së, ku reforma e Gjykatës për të Drejtat e Njeriut përbënte një nga prioritetet kryesore të kësaj presidence. E për të mbetur në vijimësinë e kësaj presidence britanike që shkonte në duart e Shqipërisë, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto do të shpaloste prioritetet e presidencës shqiptare, që do të udhëhiqet nga motoja: “Të bashkuar në diversitet”. Dialogu ndërkulturor, edukimi i brezave te rinj me frymën e tolerancës dhe bashkëjetesës do të jenë në themel të prioriteteve të presidencës shqiptare. Ajo që është më domethënëse është fakti se periudha 6-mujore e kryesisë shqiptare përmbyllet në nëntor 2012 me organizimin e konferencës së nivelit të lartë mbi diversitetin në Evropë dhe dialogun ndërkulturor. Kjo ngjarje do të përkojë dhe me festimet e 100 vjetorit të Pavarësisë. Në fjalën e tij, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto, theksoi se një prioritet tjetër i rëndësishëm i presidencës shqiptare do të jetë dimensioni i bashkëpunimit rajonal, ku një theks i veçantë do t’i vihet forcimit të standardeve të KiE-së në Kosovë. Kjo do të jetë një arritje jo vetëm për gjithë qytetarët e Kosovës, një arritje në rrugën e integrimeve euro-atlantike, por dhe një kontribut në drejtim të paqes e stabilitetit rajonal. Qëndrimi shqiptar që Kosovën ka qenë tepër i qartë dhe domethënës: Angazhimi i KiE-së në Kosovë, për promovimin e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit ligjor, për t’i ofruar një perspektivë evropiane të gjithë qytetarëve që banojnë atje. Kosova duhet të jetë një zone multietnike e sigurt për të gjithë qytetarët e saj, ku standardet e KiE-së të forcohen në mënyrë të vazhdueshme, ku instrumentet kryesorë evropianë të aplikohen plotësisht, së bashku me mekanizmat e tyre të kontrollit. Shqipëria me sigurinë më të madhe ka kërkuar anëtarësim të Kosovës në KiE-së, sepse vetëm në një rast të tillë qytetarët kosovarë do përfitonin maksimalisht nga standardet e KiE-së dhe do të kishin akses në Gjykatën Evropiane të Drejtave të Njeriut.
Strasburgu në një ditë bujarie shqiptare
Straburgu, më 23 maj, njohu jo vetëm një anë zyrtare dhe protokollare të ndërrimit të presidencave nga Mbretëria e Bashkuar te Shqipëria, por edhe një mikpritje dhe bujari shqiptare për të treguar dhe një herë sesa e madhe është zemra e këtij kombi që aspiron gjithmonë e më shumë të qenit në mënyrë dinjitoze në radhët e familjes së madhe të Bashkimit Evropian. Straburgu do të pushtohej nga tingujt dhe fjalët e madhërishme “Rreth flamurit të përbashkuar”. Himni kombëtar shqiptar do të jehonte në atë ndërtesë gjigante si kurdoherë madhërishëm, jo vetëm mes përfaqësuesve të shteteve anëtare të kësaj organizate, por do të sillte emocione të rralla dhe të paharrueshme te dhjetëra e qindra bashkëkombës shqiptarë që punojnë në Këshillin e Evropës, por edhe të atyre shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Strasburg. Genc Tukiçi dhe sopranoja Oriana Kurteshi patën fatin dhe nderin e madh që të çelnin ceremoninë festive të organizuar fill pas mbledhjes së Ministerialit. Ishte çasti që Shqipëria të tregonte anën tjetër të medaljes së saj. Interpretimi i shkëlqyer muzikal dhe pjesët e bukura shqiptare të cilat shoqëruan këtë ceremoni shpalosën një pjesë të qenësishme dhe të madhërishme të vlerave të kulturës shqiptare. Duke i dhënë kështu gjithë këtij aktiviteti jo vetëm një atmosferë festive, por edhe e bërë akoma më shumë atë të qenit fisnik në thelbin e tij. Por bujaria shqiptare do të vazhdonte të shpaloste vlerat e saj. Në hollin kryesor ishte vendosur kostumi popullor tradicional shqiptar, një xhubletë e cila ishte dhurata e parë për Këshillin e Evropës nga Shqipëria. Një veshje hijerëndë dhe plot finesë për një vend me shumë tradita dhe kulturore mijëravjeçare. Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto, duke iu referuar traditave bujare dhe miqësore të Shqipërisë, i dhuroi Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, z. Thobjorn Jagland, pikërisht këtë kostum popullor tradicional shqiptar, që u vlerësua shumë nga të pranishmit. “Ndjehem i nderuar dhe njëkohësisht i privilegjuar që në këtë ceremoni të marrjes së kryesisë së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës nga Shqipëria, të sjell para jush një pjesë të vogël, por mjaft përfaqësuese të thesareve të vyera kulturore të vendit tim. Shqipëria është një vend me histori të lashtë dhe me trashëgimi kulturore të pasur. Ndërthurja interesante e qytetërimeve të ndryshme në Shqipëri ka sjellë këtë larmishmëri vlerash kulturore dhe diversitet kulturash. Shqipëria ka qenë dhe është faktor i rëndësishëm për historinë dhe kulturën evropiane. Përmes vlerave të saj të kultivuara dhe trashëguara në shekuj, ajo përcjell mesazhet e qarta të paqes dhe bashkëpunimit rajonal e ndërkombëtar. Ju ftoj që në këtë vit të rëndësishëm për ne, 100 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së vendit, të vizitoni Shqipërinë dhe të ndajmë së bashku këto momente të veçanta historike.”, do të shprehej përmes emocionesh të justifikueshme, por edhe krenarisë sublime, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto. Nga ana e tij, z. Jagland, pasi shprehu mirënjohjen për këtë dhuratë me vlerë, nënvizoi rëndësinë e shkëmbimeve ndërkulturore mes vendeve të Evropës si ura lidhëse mes tyre. E kuruar me kujdes, për të gjithë të pranishmit, zgjoi një interes të veçantë dhe ekspozimi i një pjesë të trashëgimisë kulturore shqiptare, ai i Ikonave dhe Kodikëve të Beratit të disa shekujve me radha nga i 16-ti deri te i 18-ti të ardhura nga Muzeu Kombëtar i Onufrit të cilat qëndruan për tri ditë më radhë rresht të ekspozuara në hollin e KiE-së dhe që shpalosën vlerat historike të popullit shqiptar. E në fund padyshim që nuk mund të mungonte dhe ajo, më tradicionalja, e mbështetur në thënien e madhe “Bukë, kripë e zemër të bardhë”. Të pranishmit në këtë ceremoni të veçantë kanë shijuar dhe produktet karakteristike të kuzhinës shqiptare të përzgjedhura me kujdes nga e gjithë Shqipëria. Bujaria dhe mikpritja shqiptare padyshim që do të jenë të gërshetuara me përgjegjësinë e madhe të punës së palës shqiptare që kryeson tashmë këtë presidencë dhe përmbushjen e gjithë prioriteteve që ajo ka shpalosur.
Rrugë e nisur që kërkon përkushtim maksimal
Emocionet e 23 majit janë përjetuar akoma dhe më të fuqishme në mjediset e Ministrisë së Punëve të Jashtme, në ceremoninë e organizuar me ketë rast ku ka marrë pjesë dhe vetë Kryeministri Sali Berisha. Të pranishëm në këtë ceremoni të zhvilluar në mjediset e Ministrisë së jashtme, ishin Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, z. Thobjorn Jagland, kryetarja e Kuvendit zonja Jozefina Topalli, ambasadorë dhe zyrtarë të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, deputetë e ministra, etj. Kryeministri u shpreh se kjo është një ditë historike, sepse vjen si margaritar i vërtetë në 100 vjetorin e pavarësisë së vendit, vend i cili 100 vjet më parë luhatej në alternativën të jetë a të mos jetë dhe sot, pas 100 vitesh, kryeson komunitetin e kombeve demokratike, në tempullin e demokracisë evropiane, Këshillin e Evropës. Në këtë ceremoni Kryeministri do të siguronte dhe një herë se Shqipëria do të ketë një bashkëpunim shumë të ngushtë me Këshillin e Evropës, me qeverinë britanike që dorëzoi çelësin, me Asamblenë Parlamentare, me vendet e tjera mike, në mënyrë që të përmbushë me dinjitet të plotë dhe përgjegjësi të madhe detyrimet e kësaj kryesie. Shumë kush e ka cilësuar këtë marrje presidence si një rrjedhë alfabetike, ndërsa kreu i qeverisë shqiptare Sali Berisha do ta cilësonte si një shpërblim i merituar i përpjekjeve të tyre të mëdha për të ndërtuar demokracinë e bazuar në vlerat e tregut.
Sigurisht që në ceremoni të tilla nuk mund të mbetet pa u shprehur mirënjohja ndaj Këshillit të Evropës që i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve, këto 20 vite, një ndihmë të jashtëzakonshme, pa të cilën kjo ngjarje historike nuk do të mund të ndodhte. Por padyshim që edhe për kreun e qeverisë shqiptare z. Bersisha kjo presidencë e radhës do të thotë një përkushtim akoma më i madh për të përmbushur me dinjitet të plotë dhe përgjegjësi të madhe detyrimet e kësaj kryesie. “Ne jemi një komb i vogël, por në vetvete ne kemi edhe vlera me të cilat mund të paraqitemi dhe ndikojmë pozitivisht kudo. Shqiptarët janë një komb plurireligjoz dhe kanë një harmoni fetare, tolerancë dhe respekt ndër më të përsosurit që ekziston. Ne jemi dëshmi e asaj se besimet fetare nuk i ndajnë njerëzit dhe do përpiqemi që këtë mesazh ta përcjellim kudo në Evropë dhe është e dobishme ta përcjellim si mesazh tek vendet e Pranverës Arabe, të cilat kam bindjen më të thellë se do të kenë në KiE-së, në rast se ato duan, një institucion shumë të çmuar në përpjekjet e tyre për ndërtimin e sistemeve të tyre demokratike. Këto vende kanë përjetuar diktatura të egra, por në dallim nga vendet tona, ato kanë nevojë për modele, kanë nevojë për mbështetje të institucioneve, ashtu siç jemi mbështetur ne”,- do të theksonte kreu i qeverisë shqiptare z. Sali Berisha në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast në mjediset e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Fillimi i mbarë, por përgjegjësitë në rritje
Vetëm dy ditë pas marrjes së presidencës, në Tiranë do të mbahen punimet e Byrosë së Asamblesë Parlamentare të KiE-së. Gjatë këtij takimi, z. Haxhinasto paraqiti përpara parlamentarëve të vendeve anëtare të KiE-së prioritetet e kryesisë shqiptare të Komitetit të Ministrave të organizatës. Ndër të tjera, Ministri theksoi se Shqipёria ka çmuar gjithmonë rёndёsinё e veçantё tё dimensionit parlamentar tё KiE-sё nё forcimin e institucioneve demokratike, promovimin e pluralizmit politik dhe respektin për të drejtat e njeriut dhe shtetit të së drejtës. Veçanërisht, u vlerësua kontributi i ofruar nga Asambleja në drejtimin dhe forcimin e procesit të demokratizimit në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, përfshirë Shqipërinë. Por edhe në këtë takim z. Haxhinasto do të theksonte rëndësinë e përfshirjes më të madhe të KiE-së në Kosovë nëpërmjet shtimit të kontakteve të drejtpërdrejta ndërmjet KiE-së dhe autoriteteve kosovare, në funksion të promovimit të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit ligjor. Duke folur në këtë takim kryetarja e kuvendit znj. Jozefia Topallit do të theksonte se marrja e Presidencës së KiE-së nga Shqipëria është një oportunitet për të çuar përpara vlerat dhe principet për të cilat Këshilli i Evropës punon dhe promovon në të gjithë botën, vlera si liria, shpirti i demokracisë, shteti ligjor dhe të drejtat e njeriut. Punimet e takimit të Komitetit të Përhershëm të Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës, mbahen për për herë të parë në Tiranë, me rastin e marrjes së Presidencës së KiE-së nga Shqipëria.
Këto ishin disa nga zhvillimet e ditëve të para që nga çasti i marrjes së presidencës së radhës së Komitetit të Këshillit të Ministrave të KiE-së. Sigurisht që agjenda e punës gjashtë mujore është akoma dhe më e ngjeshur. Zhvillimet politike në Shqipëri janë në mprehtësinë e tyre, kështu që është rasti dhe shansi i madh që demokracia, politika dhe vetë politikanët shqiptarë të tregojnë nivelin dhe maturinë e tyre, pse jo dhe të mundësojnë të qenit model në një rrugë evropiane të një vendi që aspiron më shumë se sa kryesim të një presidence.