E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hallet e Ramës po bllokojnë zgjedhjen e presidentit

27-05-2012 / Gazeta 55

Edi Rama është i frustruar për shkak se s’po takohet dot me liderin e mazhorancës dhe s’po konfirmohet si kryetar i opozitës. Ai ka nisur sot për bisedime Ruçin, sa “me la gojën”, pasi s’i ka dhënë atij as mandat për negociata e as ka hapur rrugën për një proces pa paragjykime në shoshitjen e diktaturës 
Në cicërimën-editorial, Edvini mbrëmë mallkoi qeverinë e tentoi të përdhosë edhe 28 nëntorin e 100-të të shtetit

Perspektiva e integrimit evropian të Shqipërisë varet shumë nga këto muaj të nxehtë vere, të cilët mbeten vendimtar në disa tregues që lidhen direkt me fatet e vendit. Apeli i Brukselit është në tryezën e çdo lidershipi politik, si të mazhorancës ashtu edhe të opozitës dhe ajo që dominon në të gjithë këtë vëmendje të kancelarive perëndimore, është domosdoshmëria e bashkëpunimit dhe konsensusit politik.
Por çfarë ndodh sot në skenën politike shqiptare?
Vendi është në prag të zgjedhjes së Presidentit, sikurse ka një qëndrim të fortë nga ana e mazhorancës se ky proces s’duhet të cenojë kursin e reformave. Është e ditur se ka një bashkëpunim prej disa muajsh për reformën zgjedhore dhe atë parlamentare, por po ashtu s’kanë munguar as tentativat për t’i sabotuar këto dy nisma të rëndësishme. Heqja e imunitetit të zyrtarëve të lartë, është një tjetër përgjegjësi e klasës politike, që duhet të kalojë në parlament përmes konsensusit. Pra, janë 4-5 detyra vendimtare, që në mënyrë permanente kërkojnë konsensusin dhe bashkëpunimin e opozitës, gjithnjë nëse kjo e fundit do të faktohet si forcë konstruktive dhe dashamirëse e sfidave të integrimit evropian.
Ndërkohë ka dhe një anë të errët.
Lidershipi socialist, Edi Rama nuk është disponibël kur bëhet fjalë për çështjen e zgjedhjes së Presidentit, pasi është i bindur që, në çdo aksionit të tij, do të dalë i humbur. Gjatë dy ditëve me radhë insiston me statuse në Twitter se, pse atë nuk po e takon Sali Berisha, në një kohë kur lideri i mazhorancës e përcaktoi shumë qartë se negociatat për presidentin do jenë në nivel të kryetarëve të grupeve parlamentare. Kjo shmangie (ndoshta e paqëllimshme), po e rrënon atë moralisht, sikurse edhe politikisht. Edi Rama ka një përvojë negative në marrjen e përgjegjësive të forcës politike që drejton, kur bëhet fjalë për momente të rëndësishme, si ai i zgjedhjes së Presidentit.
Mungesa e veprimit me kandidatura respektive në zgjedhjet presidenciale të 2007-ës, tregon më së miri mllefin dhe tmerrin që ai përjeton si burim shantazhi për paaftësinë e kontrollit të njerëzve pranë tij dhe kjo çon domosdo në mos-unifikimin e një qëndrimi zyrtar të forumeve drejtuese të PS.
Sigurisht që ky “hendek opozite” nuk është fort i rastësishëm, pasi Edi Rama i ka bërë mirë kalkulimet në mënyrë që edhe në rast humbje të betejës me mazhorancën për të shtirë në dorë Presidentin, t’ia arrijë qëllimit me bllokimin e procesit, me shpresën e ndezjes së konflikteve politike çka do rrezikonte stabilitetin dhe integrimin. Establishmenti ngërç sjellës me pozita të forta në ngrehinën socialiste, do lulëzonte me këtë formulë refraktare që shpëtimin e vetëm e gjen te kriza dhe burimet që sjellin atë (në rastin konkret zgjedhja e presidentit).
Vetëm dje, Partia Socialiste shpërndau një njoftim për mediat, se Gramoz Ruçi ka pranuar ftesën e Astrit Patozit, për një takim mes negociatorëve me qëllimin diskutimin dhe konsultimin e zgjedhjes së Presidentit. Më herët se të vinte ky gjysmë-njoftim, apo një lloj reagimi i vrazhdë, pasi kuptohet lehtë që oferta e Partisë Demokratike për konsensus, e ka lënë me gojë hap Edi Ramën, por njëherazi me këtë, i ka prerë edhe shpresat për të qenë ai faktori parësor në përcaktimin e modaliteteve. Ndaj, për të mos e lënë bosh vendin e opozitës në tryezën e negociatave dhe konsultave, ka porositur Gramoz Ruçin që të mos pranojë diskutime lidhur me çështjen e Presidentit, por të ngrejë shqetësimin e Edi Ramës se, pse s’po e takojnë dhe t’i marrin mendim, kur zgjedhja e kreut të shtetit konsiderohet si moment shumë sensitiv dhe i denjë për një konsensus mes liderëve politik. Në këtë drejtim, kur lideri i mazhorancës zhvillonte takime të veçanta me aleatët e tij në qeveri, Edi Rama bënte statuse në Twitter dhe e cilësonte deklaratën e kryeministrit si teatër, në një kohë kur mund të bënte të njëjtën lëvizje edhe ai të niste takimet me aleatët e tij.
Për të përforcuar mosinteresimin e tij për Presidentin, se sa për hallin e vetë, Edi Rama, nga Greqia ku ndodhet sërish, shpërndau editorialin e radhës. Mesa radhëve ët tij, lexohej dëshpërimi mes thirrjeve drejtuar askujt, për rrëzimin e qeverisë, por edhe pafuqia për ta realizuar këtë ëndërr të vejtur e të madhe të tij, duke ua faturuar përgjegjësinë të gjithë atyre që ai i cilësonte “Kush ka sy le të shikojë e kush ka veshë le të dëgjojë”.
Me këtë frazë, Eid Rama e quante të mbyllur punën e vet, ndërkohë që dekonspironte mospasjen merak të presidentit, por të kryeministrit.
Editoriali i mbrëmshëm i Edi Ramës, mbartte edhe anën tjetër, atë zhvleftësimit të “dërgatës” së tij sot në tryezën me përfaqësuesit e PD-së. Ndërsa Edi Rama, dje lëshoi thirrjen e mbytur për përmbysjen e qeverisë me “çdo forcë e çdo votë të mundshme”, sot, në mënyrë ironike e cinike pret nga tryeza, që të kanalizohet ndonjë marrëveshje e mundshme, me këtë mazhorancë që ai do ta përmbysë me çdo kusht, por nuk ka se si, për më tepër edhe me kë…
Gjithsesi dhe kurrsesi, dështimi personal i Edi Ramës dhe mungesa e lidershipit për të drejtuar dhe orientuar opozitën, s’mund të përkthehet si shkak për nisjen e një cikli të ri krize në raportet mazhorancë-opozitë.
Në fund të raundeve të zgjedhjes së Presidentit dhe kur vendi të ketë kreun e ri të shtetit, Edi Rama do koleksionojë një tjetër dështim të tij në morinë referencave të zeza si i papjekur politikisht dhe dështak i konfirmuar.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›