E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shqipërinë e presim krahëhapur, realizoni reformën zgjedhore”

27-05-2012 / Gazeta 55

PE: Partnerët europianë vijojnë apelin drejtuar forcave politike

Partnerët europianë vijojnë apelin drejtuar forcave politike në Shqipëri për zgjedhjen e një presidenti konsensual si dhe për përfundimin e reformës zgjedhore.
Kreu i grupit parlamentar socialist në Parlamentin Europain, Hans Swoboda ka theksuar se të dyja këto çështje janë kusht që vendi të fitojë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. “Shqipërinë e presim krahëhapur, por duhet të ndihmojë duke bërë detyrat. Reforma Zgjedhore e Presidenti konsensual kyç për statusin”, është shprehur Swoboda.
Ndërkohë, pak ditë më parë të njëjtin apel përsëriti edhe kreu i delegacionit për Ballkanin në Parlamentin Evropian, Eduard Kukan. “Thirrja ime ndaj tij do të jetë se ne po presim më shumë raportime. Koha po fluturon, zgjedhjet po afrohen. Në lidhje me reformën zgjedhore e cila po vazhdon prej një kohe kaq të gjatë, rekomandimet e ODIHR duhet të përfshihen në legjislacion dhe ligjet duhet të përgatiten shumë mirë, jo në momentin e fundit, por shumë përpara si dhe duhet të jenë rezultat i dialogut të partive politike. Vetëm atëherë do të jetë e besueshme se mund të presim zgjedhje të mira në Shqipëri”, u shpreh Kukan, duke këshilluar drejtuesit e mazhorancës dhe opozitës që të dialogojnë mes tyre për çështjet e integrimit.
Ndërsa nga ana tjetër, zëdhënësi i Komisionierit Fyle, e cilësoi afatin e Brukselit, 24 majin, jo definitiv, por përsëriti apelin për kompletimin e ligjit elektoral sa më shpejt. “Komisioneri nuk foli për afate. Ne i jemi referuar kësaj date si një datë e rëndësishme për përmbylljen e reformës elektorale. Marrëveshja e nëntorit duhet të plotësohet para procedurës së presidentit.  Është sot, por 24 maji nuk ka përfunduar ende. Gjithsesi nuk ka kohë për të humbur. Koha po fluturon. Reforma elektorale është një element kyç i marrëveshjes së nëntorit. Ne e kemi bërë të qartë se zbatimi i suksesshëm i marrëveshjes së nëntorit është një element i rëndësishëm për dialogun politik në vend”, u shpreh të mërkurën zëdhënësi i komisionarit Fyle, Peter Stano.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›