Reporterët pa Kufij: Qeveria kontrollon median
"Reporterët pa kufij" kanë publikuar sot raportin mbi lirinë e medias për vitin 2009, që e rendit vendin tonë të 88-in nga 175 shtete të përfshira në këtë vëzhgim. Në grafikun që shoqëron raportin Shqipëria shënohet me shigjetë poshtë duke treguar se ka bërë hapa prapa.
A e kontrollon Qeveria Median? Në këtë raport thuhet PO, duke argumentuar se "në pozicionin e menaxhimit të medias janë bërë emërime politike të cilat sigurojnë një linjë të favorshëm editoriale". Presioni qeveritar realizohet edhe duke përdorur taksat dhe reklamat, ku një media kontrollohet më shumë nga Tatimet e një tjetër fare. Një media merr gjithë reklamat shtetërore, e një tjetër fare.
"Edhe pse disa media janë të financuara privatisht ata nuk janë të mbrojtur nga një sërë formash presioni. Faturat e tepërt për shërbime publike, tërheqja e reklamës, ndryshimet e taksave janë armët "ligjore" të përdorura për të promovuar vetë-censurën e cila është tashmë e dukshme në një numër të madh të mediave", shkruhet në këtë raport.
"Gazetaria hetimore mbetet në fazën embrionale dhe lufton për të gjetur hapësirë në një shtyp që i përket ose grupeve industriale të vendosur për të mbrojtur fushat e tyre të ndikimit ose partive politike që shumë shpesh ngatërrojnë lajmet me propagandën", thuhet në raport.
Po të krahasojnë këtë raport me atë të vitit 2008 shohim se vendi ynë ka zbritur disa vende më poshtë nga 79-ta në vendin e 88-të. Shqipëria është e fundit në rajon përsa i përket lirisë së medias.
Por edhe vende të zhvilluara të Europës, nuk janë për tu marrë shembull. Italia fqinje renditet e 49-ta, për të cilën raporti thotë se 'gazetarët janë psikologjikisht të kërcënuar'. Po kështu kritokohet edhe Franca që renditet e 43-ta, apo Kroacia e 44-ta,që raporti permend vrasjen e pronarit të një gazete në 2008-ën.