E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjeku italian: Jeni mbrapa me kirurgjinë e fëmijëve

Për fëmijët që lindin me një defekt në zemër, spitalet tona s'mund të ofrojnë shumë. 

zirina llambro

Kjo jo për faj të mjekëve, aq sa për mungesën totale të aparaturave diagnostikuese e pajisjeve për kryerjen e një operacioni që riparon defektin. Për rrjedhojë, pjesa më e madhe e fëmijëve arrijnë të zbulojnë sëmundjen në një moshë më të rritur fare rastësisht. Vështirësitë për të pasur rezultatet maksimale nga ndërhyrja kirurgjikale janë të mëdha. Përpos kësaj, problemi kryesor mbetet pamundësia e familjeve për të përballuar koston e një operacioni që varion nga 20-40 mijë euro. Pot një bashkëpunim 7-vjeçar me një grup mjekësh italianë  ka rikthyer në jetë normale më shumë se 100 fëmijë. Në sajë të financimit të Karitasit ekipi vjen një herë në vit në vendin tonë dhe merr përsipër të operojë rastet më të vështira në kardio-pediatri. Këto raste përzgjidhen me bashkëpunimin e kardiopediatres Numila Kumneshka dhe mjekëve të tjerë të këtij shërbimi në QSU. Kreu i këtij ekipi mjekësor doktor Ugo Vairo, pohon në një intervistë për gazetën, se ky bashkëpunim nuk është zgjidhja e vetme për këtë kategori fëmijësh të sëmurë. Sipas tij, shëndetësia shqiptare është ende mbrapa në diagnostikimin e trajtimin e pacientëve. Për një hark kohor prej 7 vitesh progresi është fare i padukshëm.
Keni një bashkëpunim gati 7-vjeçar me shërbimin e kardio-pediatrisë të spitalit "Nënë Tereza", mund të na thoni cilat janë rastet që ju merrni përsipër të operoni, duke ndihmuar fëmijët shqiptarë me defekte të lindura në zemër?
Është një bashkëpunim i gjatë i arritur në sajë të ndërmjetësisë së organizatës Karitas. Është pikërisht kjo organizatë që bashkë me mjekët shqiptarë verifikon fëmijët, të cilët kanë një patologji të lindur të zemrës. Duke ditur që kardiokirurgjia pediatrike në Shqipëri ka mangësi, sidomos në diagnostikimin, pjesa më e madhe e këtyre fëmijëve duhet të trajtohen në vende të tjera. Ne jemi pjesë e rajonit basilican, i cili financon çdo vit rreth 500 mijë euro fonde për të ndihmuar me operacione fëmijët jashtë Italisë ku rreth 90% e tyre janë shqiptarë. Për rastet më të vështira pacientët transferohen në Itali, ku edhe i bëhen të gjitha diagnostikimet dhe nëse është e nevojshme edhe ndërhyrja kirurgjikale.
Sa fëmijë keni operuar deri tani ?
Janë rreth 100 fëmijë që janë operuar në këtë hark kohor, ne vijmë çdo vit dhe për një periudhë kohore të caktuar kryejmë operacione për riparimin e defekteve të lindura. Veç rasteve që kemi operuar deri tani, rreth 70-80 fëmijë të tjerë presin të operohen në vijim. Themi se bashkëpunimi i deritanishëm ka rezultuar i suksesshëm e do të vijojë të jetë i tillë.
Të gjitha ndërhyrjet kirurgjikale që ju realizoni kanë të bëjnë me një defekt të lindur në zemër, në rast se fëmijët nuk operohen çfarë ndodh me ta?
Për fëmijët që kanë defekte të rënda në zemër operacioni është i domosdoshëm, në të kundërt, ata patjetër janë të destinuar të mos jetojnë gjatë. Ndërkaq, pasi kryejnë operacionin, rrjedha e jetës së tyre vijon normalisht, pra është një domosdoshmëri mjaft e madhe për ta. Por, ndërsa stafi ynë operon një pjesë të këtyre fëmijëve janë edhe shumë të tjerë që kanë nevojë për të njëjtin trajtim.
Sa kushton normalisht një operacion i kësaj natyre?
Kostoja e një operacioni të mesëm, ku përfshihen terapia intensive, arrin deri në 40 mijë euro. Ky është një operacion i shkallës të mesme, por ka ndërhyrje që mund të kushtojnë edhe më shumë apo edhe më pak.
Keni vite që vini shpesh në Shqipëri, si ju duket shëndetësia shqiptare ka bërë progres gjatë kësaj periudhe?
Nuk e njoh mirë atë që ofron sot sistemi publik shëndetësor, pasi ne kemi kushte të tjera me të cilat operojmë e punojmë. Por do të thosha këtë, një shëndetësi që ka mangësi në diagnostikim, sidomos kur bëhet fjalë për fëmijët me probleme të lindura, një shëndetësi që ka mangësi në kirurgjinë pediatrike, apo edhe mangësi të tjera që ne nuk i kemi prekur vetë, por na kanë folur kolegët tanë shqiptarë, ka patjetër nevojë të bëjë hapa përpara. Patjetër duke e nisur që nga fëmijët, pasi misioni për të shpëtuar jetën e tyre është shumë më i madh se për një moshë tjetër.

Prej 7 vjetësh mungon diagnostikimi

Pajisja e hemodinamikës është një nga aparaturat e rëndësishme diagnostikuese për fëmijët, që lindin me keqformime në zemër. Tek ne kjo aparaturë nuk funksionon prej 7 vjetësh. Veç kësaj, mungon mjeku i specializuar për kryerjen e kësaj analize, gjë që u kushton jo pak fëmijëve, të cilët kanë të domosdoshëm këtë diagnostikim. Rreth 30 për qind të rasteve me defekt në zemër, në mungesë të kësaj analize ose i nënshtrohen rrjedhës natyrale dhe humbin jetën pas disa vitesh, ose zgjidhja e vetme është të vizitohen jashtë vendit. Përveç hemodinamikës diagnostikuese në spitalin "Nënë Tereza" mungojnë edhe aparaturat për riparimin e disa lloj keqformimesh. Përballë kësaj situate, e vetmja gjë që mund të bëjnë mjekët tanë, është t'u sugjerojnë prindërve t'i çojnë jashtë fëmijët e tyre.

Shkaqet e keqformimeve

Infeksionet virale që nëna kalon gjatë barrës, rrezatimet radioaktive, predispozicioni gjenetik apo sëmundja e hipertensionit janë disa nga shkaqet, që mund të çojnë në krijimin e keqformimeve të lindura tek fëmijët. Sipas mjekëve mund të jetë edhe kombinim i dy apo tre prej këtyre shkaqeve. Megjithatë, nuk është e vërtetuar shkencërisht, se cilët janë shkaktarët e vërtetë të sëmundjeve të tilla.

Çdo vit, 350 fëmijë lindin me vrimë në zemër

Çdo vit në vendin tonë lindin me defekt në zemër 350 fëmijë që përbëjnë rreth 3% të numrit total të lindjeve. Spitali Pediatrik në qendrën spitalore universitare është i vetmi që ofron asistencë mjekësore për këta fëmijë, pjesa më e madhe e të cilëve duhet patjetër të kryejnë një ndërhyrje kirurgjikale për të vazhduar normalisht jetën. Ndonëse në Shqipëri realizohen një pjesë e këtyre ndërhyrjeve, kushtet spitalore nuk lejojnë kryerjen e operacioneve te fëmijët e moshës nën një vjeç. Sipas mjekëve duhet patjetër që fëmija që do të operohet të këtë një peshë mbi 9 kg dhe të ketë kaluar vitin e parë të jetës. Megjithatë, vitet e fundit kanë nisur të realizohen edhe operacione të ndërlikuara, të cilat nuk kryheshin më parë. Për bluzat e bardha duhen ndërhyrje në infrastrukturë dhe specializim të stafit për të vijuar më tej me këto praktika. Në kushtet aktuale pasojat i vuajnë prindërit e këtyre fëmijëve, të cilët nuk kanë asnjë mundësi tjetër veçse t'i çojnë jashtë vendit të vegjlit e tyre. Sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik, i cili ka kryer një studim për defektet e lindura pjesa më e madhe e foshnjave që lindin me të tilla anomali janë meshkuj. Ata përbëjnë rreth 49.3% të rasteve. Nga të dhënat rezulton se krahasuar me vendet e tjera te ne numri i fëmijëve me keqformime është më i lartë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›