Requiem for Kosova merr çmimin kryesor në Johstown Film Festival
Prishtinë, 15 maj, NOA – Filmi Requiem for Kosova është shpallur filmi më i mirë në edicionin e gjashtë të festivalit ndërkombëtar të filmit të shkurtër Johstown Film Festival, i cili mbahet në Pensilvani.
Aktori Mentor Zymberaj ka thënë se ky çmim është dëshmi e radhës për suksesin e filmit.
Ky është çmimi i katërt me radhë që merr filmi dhe është shumë e rëndësishme për ne dhe Kosovën në përgjithësi, duke qenë se filmi ka një temë origjinale dhe trupa përbëhet nga aktorë kosovarë, ka thënë Zymberaj, teksa ka shtuar se Requiem … nuk do të ndalet me kaq. Kemi ftesa edhe për festivale të tjera dhe mendoj se suksesi i këtij filmi nuk do të mbetet me kaq, ka thënë ai.
Filmi me regji të Dhimitri Ismailajt shtjellon rrëfimin për Kosovën e pasluftës, vë në pah protagonisten 7-vjeçare e cila beson në përralla dhe e bind veten se mund të ribashkohet me nënën e saj të vdekur. Requiem… është realizuar nga produksioni amerikan Dyrrahium Production dhe shtëpia teatrore filmike AKT nga Kosova. Në film luajnë aktorët: Blerta Syla, Bislim Muqaj, Mentor Zymberaj, Ardiana Morina, Kaona Sylejmani etj.
Filmi, në maj të vitit të kaluar është prezantuar në Festivalin e Filmit në Cannes, në kuadër të këndit për filmat e shkurtër.
Festivali ndërkombëtar i filmit Johstown Film Festival është themeluar në vitin 2006 nga Johnstown Area Heritage Association dhe mbahet me qëllim që ti inkurajojë regjisorët e rinj.
NOA