E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diskutojnë për dëmet e luftës

Nga Express më 14 maj 2011 në ora 22:05

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, në vazhdën e përgatitjeve për raundin e katër të bisedimeve teknike në mes të Kosovës dhe Serbisë, priti Andras Ridlmajer, ekspert të trashëgimisë kulturore nga Universiteti amerikan i Harvardit, si dhe Edi Shukriun, kryetare e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, ku temë qendrore e takimit ishte çështja dëmeve të luftës në fushën e trashëgimisë kulturore në Kosovë.

Me këtë rast, Tahiri falënderoi ekspertin nga shteti i Amerikës për kontributin e tij për Kosovën, i cili që nga viti 1999 ishte i angazhuar në Kosovë në çështjet e trashëgimisë kulturore.

Ajo vlerësoi se ataku sistematik ndaj identitetit dhe trashëgimisë kulturore në kohë luftërash është në kundërshtim me konventat ndërkombëtare dhe politikat e civilizimit global.

Nga ana e tij, Ridlmajer njoftoi zëvendëskryeministren Tahiri për studimet dhe gjetjet e tij në fushën e dëmeve që i janë bërë trashëgimisë kulturore dhe fetare gjatë periudhës së luftës, si dhe angazhimet për stabilizimin emergjent të dëmeve dhe restaurimin e disa prej monumenteve të rëndësishme në Kosovë.

Eksperti i Harvardit shprehu gatishmërinë për të dhënë këshillat dhe eksperiencat e tij të parezerva në fushën e trashëgimisë kulturore. Bashkëbiseduesit u pajtuan që edhe në të ardhmen të bashkëpunohet dhe këto këshilla të vlefshme të shfrytëzohen për qëllim që të zbardhet historia e luftës në Kosovë në fushën e trashëgimisë kulturore.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›