E Diel, 1 Nëntor 2026

Reshje shiu në veri, situata aktuale e qetë pa probleme

Gjatë natës, zona të ndryshme në qarkun Shkodër dhe Lezhë janë përfshirë nga reshje të dendura shiu, por deri tani situata paraqitet kryesisht e qetë dhe pa probleme serioze.

Bashkia Shkodër raportoi reshje me intensitet të lartë, por pa probleme në elementet e infrastrukturës kritike. Strukturat bashkiake ndodhen në terren për verifikimin e situatës dhe monitorimin e çdo problematike të mundshme.

Në Bashkinë Vau Dejës, reshjet vazhdojnë me intensitet të lartë, por deri tani nuk janë konstatuar dëmtime apo pengesa në qarkullim.

Ndërkohë, Bashkia Fushë-Arrëz ka patur reshje me intensitet mesatar gjatë natës. Në disa rrugë rurale ka prezencë gurësh dhe dherash, ndërsa në disa fshatra është raportuar ndërprerje e energjisë elektrike.

Bashkia Pukë njofton se deri në këto momente situata është e qetë dhe nuk ka raportime për probleme.

Sipas Druk Lezhë, gjatë 24 orëve të fundit kanë rënë rreth 50 mm reshje shiu. Kanalet e kullimit, argjinaturat dhe diga e rezervuarit Shtodër funksionojnë normalisht dhe pa shenja rreziku. Edhe nivelet e lumenjve Buna, Drin, Kir dhe Gjadër rezultojnë nën kuotat e emergjencës. Hidrovoret në Velipojë janë në gatishmëri dhe operojnë normalisht, pavarësisht ndërprerjeve të energjisë.

Nga ana tjetër, DRV Shkodër njofton se në akset rrugore të administruara prej saj nuk ka probleme me qarkullimin dhe trafiku vijon normalisht.

Autoritetet lokale dhe strukturat përgjegjëse vijojnë monitorimin e situatës meteorologjike për të garantuar reagim të shpejtë në rast përkeqësimi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›