Reshjet dëbore në qarkun e Kukësit, Baji: Vijon pastrimi dhe kriposja e rrugëve

TIRANË, 29 nëntor/ATSH/ Qarku i Kukësit vijon të jetë edhe ditën e sotme i përfshirë nga reshjet e dëborës, si dhe shi me intensitet të ulët.
Prefekti i qarkut Kukës, Dritan Baji tha sot për ATSH-në se “i gjithë territori i qarkut Kukës gjatë gjithë natës deri në orët e para të mëngjesit në lartësinë mbi 600 metra është mbuluar nga dëbora”.
Sipas tij, subjektet kontraktore kanë vazhduar punën gjatë gjithë kohës për pastrimin nga bora dhe inertet, si dhe kriposjen e rrugëve.
Prefekti Baji informoi se të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme.
Ndërsa nga bashkitë Kukës, Has dhe Tropojë nuk ka raportime për ndonjë problematikë emergjente.
I gjithë qarku furnizohet me energji elektrike përveç 39 abonentëve të fshatit Llugaj, njësia administrative Llugaj, bashkia Tropojë.
Furnizimi me ujë të pijshëm bëhet sipas orareve të përcaktuara nga Drejtoria e Ujësjellës Kanalizimeve Kukës.
1 nga 4/k.s/r.e/ /a.g/