Reshjet e dendura të shiut, policia shton prezencën në rrugë dhe apelon për kujdes

Si pasojë e motit të keq me reshje të dendura shiu dhe stuhive që kanë përfshirë disa rajone të vendit, Policia e Shtetit ka shtuar prezencën e shërbimeve në rrugë dhe në zonat më të rrezikuara.
Në disa akse rrugore është konstatuar prezencë uji, duke krijuar vështirësi në qarkullim dhe rrezik për përdoruesit e rrugës.
Për këtë arsye, Policia apelon për të gjithë qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin lëvizjet e panevojshme, të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të zbatojnë udhëzimet e shërbimeve të Policisë Rrugore.
Në njoftimin zyrtar bëhet e ditur se shërbimet policore janë vendosur në të gjithë territorin dhe janë angazhuar maksimalisht për të ndihmuar përdoruesit e rrugës në raste nevoje, si dhe për të parandaluar aksidentet.
Strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Emergjencat Civile, Ministrinë e Mbrojtjes dhe institucionet e tjera, janë në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo rast që paraqet rrezik për banorët dhe për qarkullimin.
Ndërkohë, sipas policisë, firmat kontraktore për mirëmbajtjen e rrugëve po punojnë për pastrimin e inerteve të rëna si pasojë e reshjeve dhe për zbllokimin e segmenteve të bllokuara nga shkarja e dherave dhe gurëve.
Policia u bën thirrje qytetarëve të respektojnë sinjalistikën rrugore, të moderojnë shpejtësinë, të mbajnë distancën e duhur me mjetet e tjera, të shmangin parakalimet e gabuara dhe të përdorin rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse.
Në çdo rast emergjent, qytetarët mund të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.
/rtsh.al/