Reshjet e shiut/ Bashkia pastron rrugët rurale në disa njësi administrative të Matit

Bashkia Mat ka vijuar punën për pastrimin e rrugëve rurale nga dëmtimi prej reshjeve të dendura.
Lajmi bëhet i ditur nga kryetari i bashkisë Mat, Agron Malaj i cili shprehet se bashkia Mat me mjetet e saj është duke bërë përparime në disa fshatra të cilët janë dëmtuar nga reshjet e shiut.
“Po bëhet riparim rruge në Fushë Baz, Lek Hot, Shullani i Vilës. Në Rreth Baz po bëhet korrigjim rrugë dhe hapje kanali anësor”, tha ai.
Po ashtu, Malaj shton se “në rrugën e Vinjollit po ndërhyjmë për sistemim rruge dhe heqje gurësh. Në Prell po punojmë për riparim rruge. Në Karic po punojmë me mbushje gropash dhe hapje kanali”.
Reshjet e dendura të shiut kanë sjellë rënie gurësh në disa rrugë të fshatrave të bashkisë Mat, por të gjitha janë të kalueshme falë ndërhyrjes së mjeteve të bashkisë.