E Hënë, 2 Nëntor 2026

Reshjet e shiut në verilindje, përmirësohet situata hidrike

Në verilindje të vendit janë rikthyer reshjet e shiut, intensiteti i të cilave ishte më i lartë pas mesnate. Prurjet e lumenjve kanë shtuar sasinë e tyre. E gjithë kjo sasi prurjesh dha efektet e menjëhershme në përmirësimin e situatës hidrike. 

Në hidrocentralet e ndërtuara në lumin Buna, ka rinisur prodhimi i energjisë elektrike, ndërsa me këtë sasi të lartë prurjesh, punonjësit e hidrocentraleve po manovrojnë për të devijuar tepricat e sasisë së ujit që u nevojitet për turbinat e tyre. 

Reshjet e shiut përfshinë të gjithë territorin e verilindjes, ndaj edhe lumenjtë dhe burimet tjera anësore që derdhen në liqenin e Fierzës kanë shtuar prurjet. 

Më shumë se 145 metra kub ujë në sekondë janë regjistruar prurjet e mëngjesit të sotëm, nga më pak se 60 metra kub ujë në sekondë që ishin ditën e shtunë. 

Kjo sasi prurjesh pritet të rritet orë pas ore dhe, bashkë me ta, edhe niveli i ujit në liqenin e Fierzës, i cili ndryshe nga vitet e tjera, këtë fillim pranvere e gjeti në nivele të ulëta, me një mesatare tre mujore rreth 271 metra mbi nivelin e detit. 

Ky ritëm reshjesh solli disa problematika përsa i përket qarkullimit të lirë të mjeteve në akset e rrugëve nacionale që lidhin Kukësin me Shishtavec, Kukësin me Peshkopinë dhe Kukësin me Fushë-Rrezin, si pasojë e rënies së gurëve dhe inerteve në rrugë, për të cilat kompanitë sipërmarrëse kanë ndërhyrë që në orët e para të ditës për pastrimin e vazhdueshëm të tyre dhe mbajtjen nën kontroll të akseve rrugore në këto zona problematike. 

Probleme për shkak të pranisë së ujit dhe inerteve ka edhe në rrugët rurale në Lojme, Nimce, Bele, Grykecaj etj.

Edhe në këto akse, Drejtoria e Rrugëve Rurale e Bashkisë Kukës ka nisur punën për normalizimin e situatës. 

Burime nga Komisioni i Emergjencave Civile pranë Prefektit të Qarkut Kukës thanë se, pavarësisht intensitetit të reshjeve, nuk janë shënuar problematika përsa i përket furnizimit me energji elektrike dhe ujë të pijshëm. 

Gazetar: B. Muçmata

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›