Protestat arrijnë kulmin në Turqi, demonstrata në 23 provinca kundër arrestimit të kryebashkiakut Imamoglu

Për të pestën natë radhazi, dhjetëra mijëra persona morën pjesë në protestat që u mbajtën të dielën në të gjithë Turqinë, pasi Ekrem Imamoglu, rivali kryesor i presidentit Recep Tayyip Erdogan, u vu zyrtarisht nën akuzë për korrupsion dhe ndaj tij u caktua masa e sigurisë arrest me burg.
Kryebashkiaku i Stambollit, Imamoglu, ishte mes më shumë se 100 personave që u ndaluan të mërkurën e shkuar, politikanë, gazetarë dhe sipërmarrës, në kuadër të një hetimi për akte korruptive. Të dielën ndaj tij u ngrit akuza e themelimit dhe menaxhimit të një organizate kriminale, mitëmarrjes, zhvatjes apo edhe manipulimit të një tenderi.
Në kundërpërgjigje, trazirat arritën kulmin të dielën, ndërsa forcat e zbatimit të ligjit përdorën ujë, gaz lotsjellës dhe plumba gome ndaj protestuesve nëpër mitingjet që u mbajtën në të paktën 55 nga 81 provincat e vendit.
Presidenti Reccep Tayyip Erdogan dënoi demonstratat dhe akuzoi partinë opozitare, Partinë Popullore Republikane, së cilës i përket Imamoglu, për tentativë të prishjes së paqes dhe polarizim të popullit.
Të dielën, Partia Popullore Republikane mbajti primaret për zgjedhjen e kandidatit të saj për presidencialet e 2028-ës, në të cilën morën pjesë rreth 15 milionë persona, përfshi edhe qytetarë që nuk ishin anëtarë të partisë, por që u thirrën të shprehnin solidaritetin e tyre me Imamoglu. Nga 15 milionë vota, 1,6 milionë vota ishin nga anëtarët dhe mbi 13 milionë personave që nuk janë pjesë e partisë.
Arrestimi nuk e pengon Imamoglu që të kandidojë apo zgjidhet president, por nëse dënohet nuk do të ketë mundësinë të marrë pjesë në garën e 2028-ës.
Gazetare: Elda Pepa
/rtsh.al/