E Shtunë, 31 Tetor 2026

Restaurohet vegla e rrallë muzikore



Fragmente që mendohet se i përkasin një fyelli i çili mund të datojë me shekullin e parë para Krishtit ose pas Krishtit u gjetën gati pesë muaj më parë në Lezhë, pranë memorialit të Skënderbeut, por sot pas një procesi restaurues, specialistët tregojnë se fragmentet e kësaj vegle muzikore të mundshme, kanë përmbajtje kockore dhe janë të rralla ndër gjetjet arkeologjike vendase. Vetëm pas restaurimit përfundimtar, i çili do të përcaktojë dhe llojin apo moshën e kockës, specialistët thonë se do të kuptohet domethënia e vërtetë e kësaj gjetje. Në tetor të vitit të kaluar të gjitha fragmentet u sollën në Laboratorin e Konservimit dhe Arkeometrisë të Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike. Të gjitha fragmentet kockorë ishin të mbuluar nga balta. Arkeologët nuk kishin guxuar të bënin pastrimin e tyre, sepse fragmentet e kockave ishin dëmtuar shumë në tokë, nga ujërat etj, ose nga ndonjë djegie dhe ishte vetëm balta ajo që i mbante për të mos u shpartalluar plotësisht. Sipas Frederik Stamati, drejtues i Laboratorit të Konservimit dhe Arkeometrisë, “Gjatë punës restauruese dolën shumë të dhëna, p.sh. ishte përdorur fyelli i kockës; pjesa e jashtme e fragmenteve ishte rrumbullakosur me torno, zbukurimi ishte prej dy ose tre rrathëve që qarkonin pjesën, edhe këto të bëra me torno; brimat ishin shpuar me punto; nganjëherë puntoja ishte futur aq thellë, sa që kishte prekur edhe murin e pasmë. Tashmë duken mirë shenjat e lëna nga instrumentet e përdorura”. Më tej ai tha se “Në disa raste vihet re një ulluk i sheshtë, që lidh brimat por që akoma nuk e kemi përcaktuar funksionin. Në disa raste shohim se kocka është sharruar në dy pjesë në drejtimin gjatësor. Interesante është se cilindrat nga brenda nuk janë të tornuar por kanë mbetur me gunga. Ky fakt lind pikëpyetjen e parë: a ka qenë fyell? Më tej na lind mendimi se këto pjesë kanë qenë të papërfunduara, pra ato janë skarçitete të një punishteje , që ndoshta prodhonte instrumente muzikorë të asaj kohe”. Sipas arkeologëve kemi të bëjmë me një gjetje që i takon shek I para Krishtit ose shek I mbas Krishtit. Është interesant të përmendet se në vitin 1975 është zbuluar rastësisht në Apoloni një grumbull fragmentesh kockorë pranë një kusie të djegur, me disa ngjashmëri me këtë rast. Puna vazhdon akoma, jo vetëm për restaurimin maksimal por edhe për të përcaktuar llojin e kockës, moshën ekzakte dhe për të kuptuar domethënien e kësaj gjetjeje. Puna mbi pesë mujore, vërtet një punë e mirë ngre edhe njëherë problemin e restaurimit të objekteve muzeale.

12 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›