“Spastrime” te Partizani, Gert Haxhiu, trajneri i ri
Gerti Haxhiu është trajneri i ri i Partizanit. Vendimi është marrë nga administratori i klubit të kuq, Paro Laçi, pas shkarkimit të Skerdi Bejzades. Mesa duket Laçi po zbaton një “plan spastrimi”, pasi Bejzade ishtë caktuar në detyrën e trajnerit nga presidenti Albert Xhani, por ky i fundit është shpallur për tre vjet “non grata” nga administratori që zotëron 40 për qind të aksioneve të shoqërisë aksionere. Vlonjati Haxhiu drejtoi gjatë këtij sezoni Skënderbeun, por u shkarkua nga drejtuesit korçarë pas 17 javësh e një serie prej 12 ndeshjesh pa fitore. Apolonia dhe Bylisi janë dy skuadrat e tjera që ka drejtuar gjatë karrierës së tij Haxhiu. Për Partizanin bëhet fjalë për trajnerin e tretë sezonal, pasi në javët e para skuadrën e kuqe e drejtoi Eduard Zhupa, ky i fundit pas konflikteve me kapitenin Luan Pinari u zëvendësua nga Skerdi Bejzade. Gjatë 20 javëve të deritanishme të Kategorisë së Parë, Partizani ka grumbulluar 33 pikë, duke u renditur në vendin e gjashtë, por duke pasur një ndeshje më pak. Debutimi i Gerti Haxhiut si trajner i Partizanit do të nisë me ndeshjen kundër Kamzës së vendit të pestë (37 pikë), e që ka për trajner një figurë të njohur të historisë së “demave të kuq”, Perlat Mustën. Partizani është duke bërë një fazë të dytë shumë të mirë, duke fituar katër ndeshjet e fundit me të njëjtin rezultat: 2-0, ndërkohë që vetë lojtarët janë të bindur se mund ta përfundojnë sezonin në vendin e dytë, e që të çon direkt në Kategorinë Superiore, aty ky të kuqtë posedojnë 15 tituj kampion, i fundit i fituar në sezonin e largët 1992-1993, kur trajner ishte Sulejman Starova, sot në rolin e drejtorit të përgjithshëm të klubit.
BILANCI AKTUAL
20 ndeshje; 10 fitore, 5 barazime, 5 humbje; golaverazhi: 28-22, 35 pikë. Golashënuesi më i mirë: Artan Karapici, 8 gola
GJASHTË EKIPET E PARA
1 Bylis 53 pikë
2 Elbasani 42
3 Lushnja 40
4 Ada 37
5 Kamza 37
6 Partizani 35
TRE TRAJNERËT
Eduard Zhupa
Skerdi Bejzade
Gerti Haxhiu
13 Mars 2010