E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drita Pelinku, skena më tundon sërish



Izaura Ndoj

Në plejadën e shquar të aktorëve që themeluan Teatrin Kombëtar Drita Pelingu është një emër i pazëvendësueshëm që me të drejtë, është cilësuar si nja nga themelet e rëndësishëm të skenës shqiptare. Dje në ambientet e Teatrit Kombëtar Arkivi i Filmit ka promovuar katalogun fotografik të aktores së shquar, pedagoges dhe regjisores së Drita Pelinkut “Mjeshtre e Madhe” e skenës. Në ceremoninë e promovimit u shfaq edhe një montazh me rolet e saj më të mira gjatë karrierës së saj artistike. Për herë të parë në një album artistik shfaqet jeta private dhe artistike e Drita Pelinkut. Albumi prej 112 faqesh, nëpërmjet fotove të shumta të çilat përmbledhin 83 vjet jetë, duke nisur nga fëmijëria, rinia, hapat e parë në art si dhe rolet e saj më të spikatura në teatër dhe kinematografi, të shoqëruara me komente nga vetë aktorja si dhe nga miq, kolegë e personalitete të tjera, por edhe veprimtaria si pedagoge në Akademinë e Arteve, si regjisore dhe pjesëmarrje në shumë aktivitet të tjera, me familjarë, me bashkëshortin, artistin e shquar të TOB, Hysen Pelinku, me miq, kolegë, studentë dhe aktorë të respektuar, është një nderim për artisten e nderuar, e cila është jo vetëm artiste e shquar, pedagoge e nderuar e sa e sa brezave, por edhe si nënë e si grua shembullore, një grua model, të çilën Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit e zgjodhi për të festuar 7-8 marsin.
Albumi fotografik përmbledh tre shtyllat kryesore të veprimtarisë artistike të znj. Pelinku, aktore e më se 120 roleve në teatër dhe në film, regjisore e dhjetëra pjesëve në disa teatro, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, si dhe pedagoge e shumë brezave, 33 vjet në Akademinë e Arteve. Drita Pelinku u lind në Vlorë në 3 dhjetor 1926. Është e para aktore e shkollës Dramatike në vitin 1945. Në Teatrin Kombëtar e ka nisur karrierën në vitin 1946, ndërsa roli i fundit ka qenë në vitin 2009 me monodramën “Rouz”. Ka interpretuar me shumë sukses mbi 120 role, ku është vlerësuar me çmime e tituj. Mban titullin “Artiste e merituar” (1986) dhe “Mjeshtre e madhe” (2000).

Çfarë simbolizon për ju ky katalog fotografik?
Në moshën time është një mrekulli, duket diçka dhe them me veten time a e kam merituar apo jo. Është një kënaqësi e jashtëzakonshme kaq mund të them.

Si ndjeheni kur ktheni kokën pas dhe shikoni një gamë të pafundme rolesh gjatë karrierës tuaj në teatër dhe film?
Në mënyrë të veçantë ky album i çili pasqyron jetën time artistike më bën që të mendohem thellë për të kaluarën time. Të mendoj ato gjëra të çilat në të vërtetë nuk i kam menduar vetë, por tani që i shikoj në album shoh që paskam patur një të kaluar që unë kam dëshiruar ta kem por nuk e mendoja se ishte e tillë. Është një e kaluar shumë e gjatë, me shumë e shumë ndodhi, qoftë në jetën time artistike, qoftë në jetën time pedagogjike. Jeta ime ka qenë e ndarë në tre fusha; fusha kryesore ka qenë sigurisht aktrimi dhe filmi, po aq e rëndësishme ka qenë dhe puna ime pedagogjike ku kam punuar 33 vjet dhe mendoj që ajo punë ka ndihmuar pak dhe në jetëgjatësinë time sepse vazhdimisht kam qenë e rrethuar nga të rinjtë. Në shtëpinë time kam një studio ku të rinjtë i pres dhe sot, kur kanë nevojë për ndonjë ndihmë, pimë ndonjë kafe bashkë, dhe kur them për të rinjtë nuk them vetëm për ato që janë studentë, por për studentët e viteve e viteve të kaluara ku një pjesë e mirë janë dhe sot këtu. Të rinjtë sjellin ngasjen, sjellin mendimin bashkëkohor, të çilin jam përpjekur që ta kap dhe të kapësh mendimin bashkëkohor është vështirë sepse koha rend, ndërsa këmbët e mija nuk kanë fuqi të rendin.

Keni ndonjë peng gjatë karrierës tuaj artistike?
Sigurisht që kam por sot nuk është dita e pengjeve dhe prandaj po e lëmë me kaq.

Do ta shohim në skenë mjeshtren e artit?
Unë kam deklaruar vjet që nuk do dal më në skenë. I dhashë fund vjet me monodramën dhe dola përpara spektatorëve dhe thashë se i kam dhënë fund shkollës akademisë filmit dhe teatrit mirëpo kam shumë ngacmime dhe provokime sidomos nga regjisorë të njohur siç është Luarasi që po më tundon shumë.

Kjo do të thotë që mund t’iu shohim përsëri në skenë?
Ai ka një dramë të tij me dy personazhe, e ka shkruajtur apostafat për ne të dy, ka shumë vite që e ka shkruar do ta realizojë ka mbetur si një dilemë. Dhe ende nuk kam vendosur nëse do ta marr përsipër për ta sjell në skenë apo jo.

Çili ka qenë kujtimi më i bukur gjatë gjithë karrierës tuaj?
Është shumë e vështirë të thuash një mendim sepse është një karrierë shumë e gjatë dhe ka patur vërtetë momente shumë të bukura. Përshembull sa herë që ndaheshin rolet ne rrinim dhe prisnim dhe kur dëgjoje që ti ke marrë një rol të ri dhe kryesor ai ishte një moment shumë i bukur dhe emocionues. Momente të bukura janë dhe kur interpreton dhe shfaqja del me sukses dhe spektatorët e presin mirë dhe vijnë në skenë me buqeta lulesh dhe të rrethojnë them ato janë momente që e gjithë lodhja e madhe në atë çast kalon.

Po momenti më i vështirë?
Momente të vështira ka pasur shumë por më i vështiri ka qenë kur kemi ikur në turne me teatrin. Turnet kanë qenë shumë të gjata pasi çdo vit që mbyllej sezoni ne iknim për një muaj, dy muaj në të gjithë qytetet e Shqipërisë, dhe këto ishin mjaftë të vështira për mua sepse unë kam patur dy vajzat dhe nuk është e lehtë që të kesh fëmijë të vegjël dhe të ikësh në turne. Jeta ime i ka përmbajtur për vite të gjitha këto dhe jam përpjekur të jem një nënë e mirë edhe pse me sakrifica.

Si e kujtoni rolin tuaj të parë?
Roli im i parë ka qenë roli i një piktore. Ka qenë drama “Portreti” i autorit Genof, ku unë kisha rolin e një piktoreje, pikturoja kunatën time dhe ishte momenti i tillë e kisha shumë të vështirë që të mund të paraqitja në portretin tim atë çfarë kishte të veçantë kjo figurë.

12 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›