Reuters: Metës i hapet rruga për rikthimin në qeveri
Ky është raportimi i agjencisë Reuters për vendimin e Gjykatës së Lartë në favor të Metës. Korrupsioni dhe mangësitë në demokraci kanë dëmtuar rëndë kërkesën e Shqipërisë për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian, shkruan agjencia
Ish- kryeministri shqiptar, Ilir Meta, nuk u gjet fajtor për akuzën e marrjes së ryshfetit të hënën, duke hapur rrugën për rikthimin e mundshëm të tij në kabinetin qeveritar, në të cilin partia e tij është partner i vogël.
Korrupsioni dhe mangësitë në demokraci kanë dëmtuar rëndë kërkesën e Shqipërisë për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian.
Gjykata e Lartë e pastroi Metën nga akuza për korrupsion në dy tendera qeveritarë.
Partia e Metës, LSI, i ka dhënë koalicionit qeveritar të kryeministrit Sali Berisha shumicën e nevojshme në parlament.
Meta akuzohej se i kishte thënë ish- ministrit të Ekonomisë dhe kolegut të partisë së tij, Dritan Prifti, që të anulonte një tender të kompanisë shtetërore Albpetrol dhe të jepte një koncesion për një hidrocentral tek një kompani pavarësisht se çështja po rishikohej në gjykatë.
Prifti i tha gjykatës se ryshfetet 1 milion euro dhe 700 mijë euro u ofruan për këto dy raste. Prifti e regjistroi në mënyrë sekrete takimin dhe e dorëzoi kasetën si provë.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi që të deklarojë të pandehurin Ilir Meta si të pafajshëm për akuzën penale të korrupsionit aktiv… për shkak se fakti nuk u provua se ekziston, bëri të ditur Gjykata në një deklaratë.
Duke iu drejtua mbështetësve entuziastë pas vendimit, Meta tha: Gjykata e Lartë tregoi se në këtë vend ligji dhe shteti do të fitojnë mbi krimin e organizuar, që e ka dënuar Ilir Metën dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim me vdekje një vit më parë.