Reuters: Portugalia barazim të mjerë ndaj Shqiperisë me 10 lojtarë
BRAGA-Portugalia barazon mjerueshëm ndaj Shqipërisë me 10 lojtarë. Kështu i referohet sot agjencia e lajmeve Reuters ndeshjes spektakolare dje në stadiumin e Brages, Portugali-Shqipëri. Sipas Reuters, trishtimi i Portugalisë në ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës vazhdoi kur ajo mori një barazim të mjerë ndaj Shqipërisë me 10 lojtarë.
Merita të veçanta në këtë ndeshje nga ekspertët e futbollit ka fituar portieri Beqaj. “Ekipi i Carlos Queirozit, që ka fituar vetëm një ndeshje nga katër të Grupit I, u sfumua nga portieri shqiptar Arian Beqaj, i cili arriti të shpëtojë portën disa herë”, citon Reuters.
Ekipi mik ngeli me 10 lojtarë në fund të pjesës së parë, kur zëvendësuesi Admir Teli u nxor jashtë për ndërhyrje të gabuara.
Portugalia rriti ndjeshëm presionin në pjesën e dytë, por Beqaj provoi se ishte i pamposhtur.
''Nuk e prisnim barazimin, por dua të them se edhe pa bërë një futboll fantastik, unë nuk e kuptova se çfarë tjetër duhej të bënim për ta fituar këtë ndeshje'', deklaroi Queiroz pas ndeshjes. ''Lojtarët e dominuan ndeshjen dhe bënë gjithçka për të fituar'', shtoi ai.
Portugalia humbi dy raste të arta kur sulmuesi Hugo Almeida goditi me kokë dhe kur Nani dërgoi topin drejt portës pas një pasimi shumë inteligjent me thembër të Nuno Gomesit.
Por humbja nuk tolerohet. Tridhjetë mijë tifozat portugezë e shoqëruan daljen e ekipit të tyre nga fusha me fishkëllima.
Trajneri shqiptar u shpreh i kënaqur me rezultatin. ''Ishte një rezultat fantastik, sidomos pasi luajtëm me një lojtar më pak gjithë pjesën e dytë'', deklaroi trajneri i shqiptarëve, Arie Haan.
''Për ne është rezultat i madh. Bëmë një punë të shkëlqyer. Një barazim me 10 lojtarë në Portugali ishte një rezultat i madh'', theksoi Han.
(d.b/BalkanWeb)