E Shtunë, 31 Tetor 2026

Revistë për ekzorcizmin

Priftërinjtë katolikë të Polonisë kanë vendosur të botojnë revistën e parë mujore në botë për “largimin e djallit” nga trupi i njeriut.

Meqenëse në Poloni kohëve fundit është rritur numri i rasteve të ekzorcizmit, priftërinjtë e Kishës Katolike kanë vendosur të botojnë revistën parë mujore në botë për, siç thonë, largimin e djallit dhe demonëve nga njerëzit e pushtuar nga këto dukuri.

"Numri i largimeve të nevojshme gjatë 15 viteve të fundit në Poloni është rritur nga katër në 120 raste në vit”, deklaroi gjatë prezantimit të revistës “Egzorcysta”, profesori i filozofisë dhe teologjisë, prifti Aleksander Posacki, i cili konsiderohet ndër demonologët dhe ekzorcistët kryesor në vend. Revista u prezantua të hënën, në Varshavë.

Rritjen e numrit të intervenimeve ekzorciste në njërin nga shtetet më katolike në botë, Posacki e ndërlidhi me kalimin e vendit nga një shoqëri komuniste në atë kapitaliste, në vitin 1989.

"Kjo gjë ndodhi për shkak të ndryshimit të sistemit. Kapitalizmi ofron më shumë mundësi për aktivitete të okultizmit. Madje, parashikimi i ardhmërisë tani është profesion legjitim, për të cilin paguhet edhe tatim. Nëse njerëzit mund të fitojnë nga kjo punë, atëherë sigurisht që kemi të bëjmë me rritjen e këtyre rasteve”, tha ai për agjencinë AFP.

Gjithashtu, Posacki përmendi edhe “pafuqinë e psikologëve dhe psikiatërve”, kur ata përballen me rastet ekstreme të sjelljes, respektivisht, me rastet kur mjekësia konvencionale nuk ka ilaç.

"Pushtimi vjen si pasojë e sjelljes së keqe, si vjedhjet, vrasjet dhe mëkatet e tjera”, tha ai, derisa sqaroi se shpirtrat e ligj largohen me ndihmën e lutjeve, të cilat në vitin 1999 i ka lejuar vetë papa Gjon Pali i II’të.

Kolegu i tij ekzorcist, prifti Andrzej Grefkowicz, ndërkaq nënvizoi se deri tani është përpiluar një listë e pritjes prej tre muajve.

"Jemi tepër të zënë. Madje, në konsultime i ftojmë edhe psikologët, në mënyrë që të shmangim gabimin në përcaktimin e çrregullimeve psikike me ato të pushtimit”, tha ai.

Sipas deklaratave të të dy priftërinjve, përshkrimet e pushtimeve nga demonët dhe djalli, të cilat shfaqen nëpër filma janë plotësisht të sakta.

"Kemi të bëjmë me britma, inatosje, zemërime dhe kërcënime. Levitimi është më i rrallë, megjithëse shfaqet edhe ai, andaj duhet ta kemi parasysh edhe atë – sepse, e kam parë me sytë e mi”, përfundoi Posacki.

Nga ana tjetër, gazetari katolik, Grzegorz Gorny, i tha radios kombëtare polake se, numri i njerëzve që janë të informuar për rreziqet që brenda vetes mund të bartin terapitë ose metodat e ndryshme të relaksimit – që sot kanë pushtuar tregun - është shumë i vogël. Andaj, sipas tij, pjesë e revistës për ekzorcizmin do të jenë edhe disa tekste që ndërlidhen me familjen tipike polake. Për shembull, prindërve me fëmijë të vegjël – të cilët një pjesë të madhe të kohës e kalojnë duke luajtur në kompjuterë, ose duke gjurmuar nëpër internet - revista iu ofron këshilla për materialet që mund të jenë potencialisht të rrezikshme.

Numri i parë i revistës do të ketë 62 faqe, dhe pjesë e tij janë edhe artikujt “Epoka e Re – një makinë thithëse shpirtërore”, dhe “Satana vërtetë ekziston”. Revista ‘Egzorcysta’ do të shtypet në 15,000 kopje, dhe do të shitet me një çmim prej 2.34 eurosh.

Ndryshe, botimi i revistës nga një pjesë e shoqërisë polake shihet si një tentim i Kishës Katolike për të luftuar sekularizmin në rritje në Poloni.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›