Revolta e një kritiku
Shqipëria dhe Kosova (Si janë dhe si duhet të jenë). Shkrimtari dhe akademiku Rexhep Qosja sjell në një libër ngjarjet dhe protagonistët e jetës politike dhe kulturore në dy anët e kufirit në këto 20 vitet e fundit…
Rexhep Qosja është kritiku, por dhe frymëzuesi i çështjes shqiptare në të dyja kahet e kufirit. Shpesh i kritikuar për qëndrimet e tij, Qose vijon të jetë aktiv, duke dhënë mendimin e tij mbi atë çfarë ndodh sot në politikën dhe mendimin shqip. Dje, shkrimtari ka qenë në Tiranë për të prezantuar veprën e tij të fundit botuar nga Toena, Shqipëria dhe Kosova (Si janë dhe si duhet të jenë). Libri është një përmbledhje shkrimesh mbi çështjet kryesore që kanë shoqëruar jetën politike, akademike dhe kulturore si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Si vëzhgues i mirë i çështjes shqiptare, Qose ka dhënë opinionet e tij, për çdo ngjarje, duke mbajtur dhe qëndrim mbi protagonistët. Libri është një analizë për 20 vitet e fundit në vendin tonë. Leximi i tij më është dukur një udhëtim me një shoqëri të keqe, pasi në këtë libër parakalojnë personazhe politike me shumë faje, tha historiani Pëllumb Xhufi i pranishëm në promovim. Në këtë vepër janë përmbledhur shkrime për politikën dhe krijimtarinë letrare e shkencore, për ngjarje, dukuri e veprime të ndryshme politike në Shqipërinë shtetërore dhe në Kosovë. Për arsye të çështjeve e të temave kaq të ndryshme të trajtuara në këto shkrime nuk e kisha të lehtë për ta gjetur titullin me të cilin do të mbulohej domethënia e të gjithave, thotë Qose. Duke qenë se librin nisi ta shkruante pikërisht më 21 janar 2011 kur nga Tirana ekranet e televizioneve transmetonin pamje dhune, gjetja e një titulli nuk ishte një gjë e lehtë. Fillimisht ai mendoi për titullin Koha e ngadhënjimit të dhunëtarëve dhe e humbjes së idealistëve, e më pas do të vinte te titulli që ka sot libri Shqipëria dhe Kosova, si janë dhe si duhet të jenë, i frymëzuar prej veprës së Sami Frashërit Shqipëria çka qënë, çësht, e çdo të bëhet?, e botuar më 1899, d.m.th trembëdhjetë vjet para shpalljes së pavarësisë. Shqiptarët nuk janë më të pushtuar prej Perandorisë otomane, siç ishin në atë kohën kur do të shkruhej e do të botohej vepra e Sami Frashërit, por siç po shohim dhe siç po bindemi çdo ditë, në jetën e tyre ende nuk janë arritur vlerat e ëndërruara politike, shoqërore dhe kombëtare të rilindësve të mëdhenj, thotë Qose. Gjuha e kritikave të Qoses është një gjuhë ndihmuese për të gjithë ata që dinë ta lexojnë. I pranishëm në promovim, kreu i opozitës, Edi Rama, vlerësoi qëndrimin e Qoses ndaj politikës shqiptare. Rama e ka quajtur Qosen një kolos të mendimit shqip. Por, libri i Qoses nuk është një udhëtim i lehtë përmes faqesh, pasi në të takohesh me të vërteta tronditëse që të bëjnë të reflektosh mbi fatet e dy Shqipërive tona.
Pas dhunës me fjalë-dhuna me armë
Me keqardhje të madhe i kam përcjellë dhe po i përcjell ngjarjet e rënda në Shqipëri. Më pikëllon dhe më pezmaton vrasja e tri vetëve në demonstratë dhe plagosja e disa dhjetëra të tjerëve. Kisha drojë se mund të ndodhë çka ndodhi. Dje e dëgjova deklaratën e ministrit të Mbrojtjes në lidhje me demonstratën e sotme. Ai sikur deshi tu thoshte dje demonstruesve të sotëm: qeveria mund të përdorë edhe ushtrinë për ti disiplinuar ata! Ishte kjo deklaratë që më kujtoi deklaratat e ministrave të Mbrojtjes në diktaturat komuniste në çastet kur diktatorët prisnin shprehje të pakënaqësisë së qytetarëve. Pas ministrit të Mbrojtjes e dëgjova deklaratën e ministrit të Rendit Publik. Deklarata e tij e djeshme ishte më e drejtpërdrejt, kërcënuese ndaj demonstruesve të sotëm. Dhe, kërcënimin e tij të djeshëm ai e realizoi sot: e përgjaku Qendrën e Tiranës! Deklaratat e tyre të ministrit të Mbrojtjes dhe të Ministrit të Rendit Publik nuk ishin vetëm zgjedhja e tyre: ato ishin urdhëresa të kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha. E ku është Sali Berisha doemos në fund do të ketë gjak. Çtë them më? Uroj, uroj dhe uroj që Shqipëria të shërohet e të qetësohet sa më parë. Po që të shërohet Shqipëria prej sëmundjeve politike që e kanë pushtuar e që janë bërë sistem, që të shpëtohet Shqipëria prej lojës më djallëzore që bën klasa politike me dinjitetin, me durimin dhe me jetën e popullit, Sali Berisha duhet të largohet prej pushtetit. Por, si do të largohet, do ta vendosë vetë populli shqiptar. Njeriu që fyen, që poshtëron Kuvendin e shtetit, siç e fyen dhe e poshtëron ai aq shpesh, siç e poshtëroi dhe para 4-5 ditësh, ai njeri nuk mund të ketë kurrë dhe kurrkund legjitimitet jo për të qeverisur popullin, por as për tu lejuar në politikë. E them me përgjegjësi morale dhe intelektuale: Shqipëria do të bëhet shtet normal, domethënë shtet i shëndoshë vetëm kur të çlirohet prej patologjisë politike, që quhet Sali Berisha Ben Alia shqiptar, të cilit nuk i mjaftojnë njëzet vjet pushtet despotik në Shqipëri! Sa e dëgjova këtë Ben Ali duke gënjyer për demonstratën. Çadra pistoletë! Stilolapsa pistoletë! Thika helmuese! Për imagjinatën gënjeshtare të kryeministrit, protestuesve u munguan vetëm kaqushat e Luftës së Dytë Botërore! Ky njeri e ka bërë gënjeshtrën: Politikë, Etikë dhe Ekonomi të Shqipërisë! Tepër shumë! Padurueshëm shumë! Deri kur?
Ina Rama
Prej 21 janarit të këtij viti vazhdon fushata politike kundër Ina Ramës, Prokurore e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë. Është kjo një fushatë e pazakontë, e pashembullt, e padëgjuar dhe e palexuar në botën që e quajmë botë të qytetëruar. Dhe, është kështu, fushatë e pazakontë, e pashembullt, e padëgjuar dhe e palexuar në botën që e quajmë botë e qytetëruar, sepse nuk është fushatë vetëm kundër Prokurores së Përgjithshme Ina Rama, vetëvetësia e së cilës sot përnjësohet me shtetin e me demokracinë e shtetit shqiptar. Kjo është një fushatë e pazakonshme, e pashembullt, e padëgjuar dhe e palexuar në botën që e quajmë botë të qytetëruar, sepse është njëkohësisht fushatë kundër një gruaje. Dhe, është fushatë e quajtur siç e quajta, sado do të mund të quhej edhe më qartë, më drejtpërdrejt, fushatë e paskrupull, sepse është fushatë kundër një bashkëshorteje, një bije, dhe ndoshta një nënë e një motre. Dhe, është kjo fushatë e quajtur kështu siç e quajta, sepse bëhet me mjetet me të cilat kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, pretorianë të partisë e të qeverisë së tij, i përdorin edhe në fushatat kundër kundërshtarëve politikë në Shqipërinë shtetërore dhe, kohë pas kohe, varësisht prej leverdive të tyre, e të rrogëtarëve të tyre edhe në Kosovë. Si edhe fushatat e tjera që organizon regjimi i tij sot, ashtu edhe kjo është e filluar pikërisht prej kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha. Si edhe në fushatat e tjera që organizon regjimi i tij sot, ashtu edhe në këtë fushatë, kryeministri ka futur në përdorim të njëjtat mjete: mjetin e diskreditimit politik dhe mjetin e diskreditimit, të fyerjes dhe të poshtërimit moral të të përndjekurit, në këtë rast të së përndjekurës. Dhe, këto mjete të shpikura prej tij, mandej vetëm sa kanë vazhduar ti përsërisin, ti shtjellojnë, ti plotësojnë e ti ashpërsojnë punëbërësit e tij, memurët e tij partiakë e shtetërorë! Do ti dëgjojmë, madje, edhe prej gojës së shthurur të Kryetares së Kuvendit dhunëprodhues të Shqipërisë!
Nuk pranoj, ti përsëris fjalët me të cilat kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha dhe pretorianët e pretorianët e tij në të vërtetë, nënbishtërinjtë e tij duan ta diskretitojnë, ta fyejnë dhe ta poshtërojnë Ina Ramën. Mund të them, ndërkaq se me gjuhë të tillë diskredituese, fyese dhe poshtëruese për një grua, që ka burrë, baba, vëlla, në Kosovë do të flitej vetëm një herë: gjasën për të folur ashtu për të edhe një herë tjetër,