E Diel, 1 Nëntor 2026

Revolta e studentëve në mediat botërore/ Kërkesat për largimin e Ramës dhe akuzat për korrupsion

Protestat e studentëve në Shqipëri po shndërrohen në një nga zhvillimet kryesore politike të ditëve të fundit, ndërsa pakënaqësia ndaj qeverisë po shoqërohet me përplasje me policinë dhe thirrje për mobilizim më të gjerë qytetar. Agjencia spanjolle e lajmeve EFE i ka kushtuar një artikull situatës në vend, duke raportuar për kërkesat e protestuesve, qëndrimin e kryeministrit Edi Rama dhe përhapjen e tubimeve edhe jashtë Tiranës.

Sipas EFE, Shqipëria përjetoi të premten ditën e katërt radhazi të protestave studentore kundër qeverisë, të cilat u shoqëruan me episode dhune dhe përplasje me forcat e rendit. Në artikullin e saj, agjencia thekson se protestuesit akuzojnë autoritetet për korrupsion dhe përkeqësimin e kushteve ekonomike, ndërsa qeveria ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes. Ndërkohë, opozita e djathtë ka bërë thirrje për vijimin e mobilizimit.

Sipas raportimit, protestuesit dhe policia kishin arritur një marrëveshje në orët e mëngjesit për zhvillimin paqësor të marshimit. Megjithatë, situata u tensionua sërish gjatë pasdites dhe mbrëmjes, fillimisht pranë Ministrisë së Arsimit dhe më pas përpara Kryeministrisë. Gjatë përplasjeve, grupe protestuesish hodhën gurë në drejtim të forcave të rendit, ndërsa policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë.

“Bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’, ku ndodhet selia e qeverisë, u mbush sërish me gurë kalldrëmi të përdorur gjatë përplasjeve dhe me copa xhamash nga vitrinat e thyera të bizneseve”, shkruan agjencia spanjolle.

Rama përjashton dorëheqjen, Berisha bën thirrje për mobilizim
EFE ndalet edhe te qëndrimi i kryeministrit Edi Rama, i cili ka përjashtuar sërish mundësinë e dorëheqjes. Kreu i qeverisë u ka kërkuar qytetarëve durim, duke shprehur bindjen se vendi do ta kapërcejë krizën dhe do të dalë prej saj më i fortë. Agjencia kujton se Rama është në pushtet që prej vitit 2013 dhe se në zgjedhjet e majit siguroi një tjetër mandat qeverisës me shumicë absolute. Sipas EFE, kryeministri ka akuzuar opozitën se qëndron pas protestave, ndërsa Partia Socialiste pretendon se synimi i tyre është të pengojnë procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›