E Diel, 1 Nëntor 2026

Revolta studentore, Rama sulmon sërish protestuesit: Pas tyre qëndrojnë krimi i organizuar, si dhe duar të huaja! Ka njerëz të radikalizuar

Kryeministri Edi Rama ka sulmuar sërish protestuesit, duke pretenduar se pas tyre qëndrojnë krimi i organizuar dhe “duar të huaja”, për të cilat tha se po vijojnë hetimet intensive.

EDI RAMA

Në një deklaratë për mediat, Rama u shpreh se personat e ndaluar dhe proceduar nga Policia e Shtetit, kanë, sipas tij, si qëllim destabilizimin e vendit dhe devijimin e rrugës së Shqipërisë, duke e kthyer atë pas në të shkuarën.

Rama theksoi se problemet e shoqërisë, të familjeve, studentëve dhe të rinjve janë legjitime dhe kërkojnë zgjidhje, por sipas tij, dhuna nuk mund të justifikohet.

Sipas kreut të qeverisë, ajo që ai e cilësoi si “terror urban” nuk është shkaktuar nga mijëra qytetarë, por nga një grup personash të radikalizuar.

Rama: Dje, unë ju informova për një listë të gjatë personash me precedent kriminal, të cilët nën maskën e studentit, por pa asnjë lidhje me statusin e studentit, me lëvizjen imagjinare studentore ushtruan dhunë dhe janë ndalur dhe proceduar nga Policia e Shtetit.

Një listë domethënëse përfaqësuese e një komponenti të dhunshëm të protestës që është integruar në këtë masë të larmishme personash me një qëllim shumë të qartë: destabilizimi i vendit dhe devijimi i rrugës sonë, duke na kthyer mbrapsht në të shkuarën.

Natyrisht që, pas atyre personave, qëndrojnë krimi i organizuar, si dhe duar të huaja për të cilat vazhdojmë të hetojmë intensivisht.

Por ajo, që më bëri më shumë përshtypje ishte përsëri reagimi i ekraneve të korruptuara ndaj një liste, e cila minimalisht duhet t’i bënte të gjithë të reflektonin mbi mosdistancimin nga dhuna dhe relativizimi i mëtejshëm i dhunës, gjithnjë në emër të studentëve, në emër të rinisë që sipas këtyre ekraneve dhe sipas sidomos VIP-ave të mbrëmjeve të hymnizimit të dhunës nëpër këto ekrane, i përkasin një “momenti transformues” për Shqipërinë.

Këtu në fakt nuk ka asnjë moment tjetër transformues, përveçse një sfide të hapur me probleme të cilat kërkojnë adresim, pa diskutim probleme të shoqërisë, probleme të familjeve të zakonshme, probleme të studentëve, probleme të rinisë të tëra legjitime dhe dhunës, gjuhës së gurit, gjuhës së hurit, gjuhës së zjarrit, gjuhës së urrejtjes, gjuhës së ofendimeve, të kërcënimeve, e cila nuk mund të fitojë një status qytetarie nëse ne duam një të nesërme të sigurtë për këtë vend dhe për fëmijët tanë.

Dhe këtu do ta bëj shumë të qartë ndarjen se dua të bëj shumë të qartë njëkohësisht edhe faktin se ne jemi duke punuar intensivisht me orë të zgjatura për të adresuar të dyja anët e kësaj medaljeje.

Duhet të bëj të qartë që jemi shumë të vëmendshëm dhe jam shumë i vëmendshëm personalisht në raport me arsyet reale dhe me shkaqet që bëjnë shumëkënd, përtej faktit që votojnë apo s’votojnë për mua dhe për shumicën qeverisëse, të simpatizojnë një protestë dhe të ndjejnë nevojën për të protestuar pavarësisht se janë të distancuar nga dhuna për sa kohë ajo protestë, ai terror urban u shkaktua jo nga dhjetra mijëra e qindra mijëra qytetarë, por nga një masë e larmishme njerëzish të radikalizuar ideologjikisht ANTIFA, të radikalizuar fetarisht, njerëz të nxitur dhe të paguar për të yshtur dasinë fetare, të radikalizuar qytetarisht, njerëz me precedent penal kriminel të futur në turmë, të maskuar si studentë për të ushtruar dhunë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›