E Diel, 1 Nëntor 2026

Revolta studentore/ SPUSH shpall bojkotin e mësimit

Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH) ka shpallur bojkotin e mësimdhënies në të gjitha universitetet publike të vendit, në shenjë solidariteti me studentët dhe nxënësit që prej muajsh protestojnë për arsim cilësor dhe të drejtat e tyre.

Vendimi u mor unanimisht nga kryesia e sindikatës në një mbledhje të zhvilluar më 20 tetor, në sheshin ku po protestojnë studentët dhe nxënësit. Sipas njoftimit zyrtar, bojkoti do të nisë më 21 tetor dhe do të vijojë deri në një njoftim të dytë.

Në argumentet për këtë vendim, sindikata thekson se protestat e studentëve kanë në fokus arsimin cilësor, shëndetësinë dinjitoze, sigurinë e jetës dhe pronës, si dhe llogaridhënien. Pedagogët shprehen se, sipas tyre, përgjigjja ndaj kërkesave të protestuesve ka qenë heshtja dhe, që prej 13 tetorit, edhe dhuna.

Përmes këtij vendimi, sindikata kërkon ndalimin e menjëhershëm të përdorimit të dhunës ndaj studentëve dhe protestuesve paqësorë, si dhe një hetim të pavarur dhe transparent për përdorimin e forcës nga 13 tetori e në vijim. Ajo kërkon gjithashtu që personat përgjegjës të vihen para përgjegjësisë, studentët e shoqëruar të trajtohen në mënyrë të ligjshme dhe dinjitoze, si dhe të plotësohen kërkesat e studentëve dhe nxënësve.

SPUSH u ka bërë thirrje rektorëve dhe drejtuesve të institucioneve publike të arsimit të lartë që të respektojnë vendimin dhe të mos marrin masa disiplinore ndaj pedagogëve dhe studentëve pjesëmarrës.

Sindikata sqaron se bojkoti nuk nënkupton braktisjen e auditorëve, por një formë aktive mbështetjeje për protestën. Pedagogët do të mblidhen çdo ditë, në orën 10:00, përpara Korpusit Qendror të Universitetit Politeknik të Tiranës, ndërsa orët e mësimit të bojkotuar do të kompensohen në vijim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›