E Diel, 1 Nëntor 2026

Revoltë në spitalin psikiatrik, ndërhyn policia

Rrëmujë dhe frikë mes personelit të spitalit nr. 5 të Tiranës, për shkak të agresivitetit të të sëmurëve psikikë. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të ditës së djeshme, në repartin e spitalit nr. 5 të Qendrës Spitalore Universitare në Tiranë. Mjekja e urgjencës së spitalit nr. 5 ka qenë në punë e sipër kur është përballur me pasigurinë për jetën, treguan burime nga ky spital. "Një person i sëmurë psikik, në gjendje tejet agresive, sulmoi mjeken e urgjencës. duke ushtruar ndaj saj dhunë fizike dhe duke tentuar të rrezikojë jetën e saj", është deklaruar në një telefonatë të mbërritur në sallën operative të Policisë së Tiranës. Telefonuesi ka treguar se ishte pjesë e stafit nga spitali nr. 5, duke konfirmuar edhe emrin e mjekes së urgjencës së spitalit nr. 5. Sipas të dhënave nga spitali, në momentin që mjekja ka dashur të shpëtojë nga ky makth, ka marrë një qetësues të fortë për t‘i bërë injeksion. Çdo përpjekje për të injektuar qetësuesin tek i sëmuri psikik agresiv, ka qenë e kotë, ndaj në këto kushte, mjekja ka kërkuar ndihmën e policisë, për t‘i bërë qetësuesin pacientit të frikshëm. Nga ana tjetër, i sëmuri psikik ka goditur mjeken. Nga ky akt, edhe të sëmurët e tjerë kanë marrë "zemër" duke u revoltuar. Në këto momente, gjendja ka qenë duke dalë jashtë kontrollit dhe është kërkuar ndihma e policisë. Burimet policore nga Komisariati nr. 1 konfirmuan se pas mbërritjes së telefonatës nga mjekja në sallën operative, atje u dërgua një ekip policor. Sapo policia ka mbërritur, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, gjendja është normalizuar. Personat me probleme psikike janë frikësuar dhe të gjithë kanë zënë vendet e tyre, pasi edhe ata e njihnin "frikën" nga uniformat blu. Burimet policore shpjeguan se në pak minuta gjendja është neutralizuar, sepse policia mbërtheu fizikisht pacientin agresiv dhe mjekja arriti t‘i bëjë injeksionin qetësues që e bëri inaktiv në ushtrimin e dhunës të sëmurin psikik. Policia ka qëndruar për disa momente në spital, derisa nuk janë shfaqur probleme të tjera.

Ble. Gi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›