E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia e Dibrës çon për ndjekje penale babanë që lidhi dy vajzat

Skandali i Bllatës, ku dy motrat Fllanza dhe Fidane Keshi, përkatësisht 47 dhe 35 vjeçe, mbaheshin të lidhura me zinxhirë nga i ati, nuk ka kaluar pa zgjuar interesimin e policisë. Burime nga policia e Dibrës bëjnë me dije për "Shqip", se kanë bërë kallëzim penal në prokurori, duke çuar për ndjekje penale me akuzën e "heqjes së paligjshme të lirisë", babanë Hajredin Keshi, që mbajti për rreth 20 vjet dy vajzat e tij të lidhura me zinxhirë. Policia, pas publikimit të skandalit në media, shkoi në Bllatë, në banesën e familjes Keshi, ku në prani edhe të mediave konstatoi se dy motrat mbaheshin të lidhura me zinxhirë. Përveçse të lidhura, motrat skizofrene jetonin në kushte skandaloze, në një shtëpi kasolle pa shtrojë e mbulojë. Vetëm para katër ditëve, motrat Keshi "mundën" të lirohen nga zinxhirët dhe u dërguan për mjekim të specializuar në spitalin psikiatrik të Shkodrës. Dje, shtëpinë ku mbaheshin të lidhura motrat e gjetëm krejt të qetë dhe të mbyllur me kyç. Fqinjët treguan se Hajredin Keshi kishte shkuar në Maqellarë, qendër e komunës. Në mungesë të tij takuam dy kunatat e vajzave të sëmura, Fejzie dhe Lavdie Keshi, të cilat pohojnë se motrat nuk mbaheshin të lidhura prej 20 vitesh, por vetëm prej dy viteve. "Dinia, thonë ato, nuk është fort në ‘rregull‘ kur thotë se i ka mbajtur vajzat për 20 vjet të lidhura me zinxhirë, pasi ka qëndruar gjatë në burg". Deri në vitin 1999 kur dhe vdiq, atyre u ka shërbyer e ëma, si edhe ne kunatat, por prej dy vitesh gjendja e tyre shëndetësore u përkeqësua dhe u detyruam t‘i lidhim. Në kthim nga Bllata, krejt rastësisht takojmë Dinen, i cili kthehej nga Maqellara. I pyetur nëse vërtet i ka mbajtur vajzat të lidhura me zinxhirë për 20 vjet, ai përgjigjet se edhe i ka lëshuar, edhe i ka lidhur gjatë gjithë kësaj periudhe. "Kur shkoja në punë isha i detyruar t‘i lidhja, pasi nuk mund t‘i gjeja më në shtëpi, se largoheshin", thotë ai. Dinia ende nuk e di se është denoncuar nga policia për "shkelje të të drejtave të njeriut", pasi ka mbajtur të lidhura vajzat e tij. "Unë po kthehem nga komuna, ku përgjegjësi i ndihmës ekonomike, Isuf Osmani, më tha se këtë muaj do të ma japë pensionin e invaliditetit për vajzat e sëmura, por në muajt në vazhdim nuk di se si do të bëhet", thotë Dinia. Ai thotë gjithashtu se dëshiron të shkojë t‘i shohë vajzat në Shkodër, por nuk mund të shkojë po nuk i dhanë lekët e pensioneve të tyre. Gjithsesi, tashmë i mbetet Prokurorisë së Dibrës të vendosë për 70-vjeçarin Dine Keshi, veprimet e të cilit kanë shokuar mbarë opinionin.

H.Likdisha

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›