E Shtunë, 31 Tetor 2026

Revolucion në pallatin mbretëror - Fillimi i fundit të regjimit



Kthesa demokratike në Bullgari nisi më 10 nëntor 1989, një ditë pas rënies së Murit të Berlinit. Ngjarjet nuk ishin aspak spektakolare dhe euforike. Një puç brenda partisë i hapi rrugën rrëzimit të regjimit komunist.

Kreu i shtetit, Todor Zhivkov, qeveriste për më shumë se 33 vjet në Bullgari. Funksionarët e partisë që mendonin ndryshe, ai i shmangte para kohe, popullsia ishte e organizuar në mënyrë rigoroze. Pothuajse çdo i rritur kishte teserën e anëtarësisë në ndonjë organizatë komuniste. Megjithatë, vitet e fundit sistemi i Zhivkovit nisi të lëkundej gjithnjë e më shumë si pasojë e presionit të politikës së brendshme dhe të jashtme. Për këtë ishte i vetëdijshëm kryetari i partisë dhe i shtetit, ashtu siç u shpreh ai në ditën e largimit të tij posti: “Kjo periudhë kaloi, ajo merr fund tani me të gjitha pasojat. Kjo skemë e zhvillimeve këtu tek ne po shpërbëhet qysh prej dy vjetësh, ajo shpërbëhet e shpërbëhet dhe askush nuk mund ta ndalë atë”.

Kjo periudhë kaloi, ajo merr fund tani

Dy vjet më parë, Mickhail Gorbaciov kishte nisur në Bashkimin Sovjetik politikën e reformave Glasnost dhe Perestrojka. Në Bullgari publikoheshin në mënyrë masive gazeta dhe revista për tezat e Perestrojkës. Zhivkovit megjithatë nuk i pëlqente nisma sovjetike e reformave. Kreu i Bullgarisë iu kundërvu vullnetit të Moskës, ndonëse jo hapur, ai ndërmori disa ndryshime "kozmetike" në sistem, në vend që të aplikonte reformat. Bullgarët u zhgënjyen.

Si rrjedhojë, u krijua një rezistencë gjithnjë në rritje në politikën e brendshme kundër Zhivkovit. Në fillim të vitit 1988, u krijuan dy lëvizje opozitare: "Lidhja e pavarur për mbrojtjen e të drejtave të njeriut" dhe "Komiteti për mbrojtjen e Rusesë" - një qytet, në të cilin banorët ishin helmuar për vite të tëra nga një fabrikë kimike në Rumaninë fqinje. Qëllimet e anëtarëve të komitetit i tejkaluan kufijtë e qytetit, kujton një ndër anëtarët themelues të saj, disidenti dhe Presidenti i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike në Bullgari, Zhelju Zhelev: “Në statut thuhej: Ata duan të luftojnë kundër politikës zyrtare të indiferentizmit dhe informacioneve të rezervuara për popullsinë, në të përmendej edhe centrali bërthamor ukrainas, Çernobil. Deri në fund të 1989-s u themeluan dhjetë organizata të tjera, të cilat gjetën vend në peizazhin politik të Bullgarisë dhe dhanë një kontribut të rëndësishëm”.

Ndër këto organizata ishte edhe klubi për mbështetjen e Glasnostit dhe Perestrojkës, sindikata e pavarur Podkrepa dhe shoqata Ekoglsnost. Të gjitha këto shoqata të pranuara zyrtarisht ndiqnin qëllime krejt të ndryshme - disa donin të reformonin sistemin nga brenda, të tjera donin të rrëzonin pushtetin dhe të vendosnin demokracinë.

Mëngjes me Mitterand

Mbështetje këto shoqata morën nga organizata të njohura disidentësh në botën e jashtme, paçka se kjo mbështetje kishte karakter simbolik. Në vitin 1988 Presidenti i Gjermanisë Federale, Richard von Weizsäcker, vizitoi Bullgarinë dhe pati rastin të takohej me përfaqësues të opozitës. Në janar 1989, vizitoi Bullgarinë Presidenti francez, Francois Mitterand, dhe organizoi të ashtuquajturin "Mëngjesi me Mitterand“ në ambasadën franceze në Sofje, në të cilin morën pjesë 12 opozitarë.

Situata u tensionua në vjeshtë. Nga 16 tetori deri më 3 nëntor 1989 Bullgaria ishte vendi ku organizohej Forumi Ndërkombëtar për Mjedisin e KSBE-së (Këshilli për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë). Disa ditë më parë lidhja Ekoglasnost nisi të mblidhte nënshkrimet për një peticion kundër projekteve të qeverisë, që ishin të dëmshme për mjedisin. Më 26 tetor policia rrahu dhe arrestoi 20 vetë. Por jo vetëm Ekoglasnost ishte aktive, edhe të tjera organizata vepronin me destinacion të caktuar për të sensibilizuar opinionin. Ato dhanë konferencat e para të shtypit, organizuan veprimtari publike dhe manifestime proteste kundër regjimit.

Presioni në rrugë u rrit, por ende ishte i pamjaftueshëm

Në Byronë Politike kishte nisur gjithashtu të forcohej rezistenca kundër Zhivkovit. Ministri i Jashtëm, Peter Mladenov, përfitoi nga situata dhe i mori frenat në dorë. Ai siguroi mbështetjen e Moskës dhe zhvilloi puçin kundër Zhivkovit. Më 10 nëntor, në një mbledhje të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bullgarisë ish-kryeministri Georgi Atanasov deklaroi publikisht: “Byroja Politike është marrë me të gjitha aspektet e problemit dhe njëzëri vendosi që t' i propozojë Komitetit Qendror që të pranojë kërkesën e shokut Todor Zhivkov për ta liruar atë nga postet e Sekretarit të Përgjithshëm të Komitetit Qendror të Partisë dhe si anëtar të Byrosë Politike. Përveç kësaj, ai duhet t' i propozojë Asamblesë Kombëtare që ta shkarkojë nga posti i kreut të shtetit”.

Mladenov u emërua kryetar i partisë dhe President. Demonstratat vazhduan. Më 18 nëntor për herë të parë në një manifestim në Sofje morën pjesë 150 mijë vetë. Ata kërkuan tërheqjen e qeverisë komuniste dhe heqjen nga kushtetuta të rolit drejtues të Partisë Komuniste. Më 7 dhjetor disa grupe disidentësh u bashkuan në partinë e parë opozitare, Unioni i Forcave Demokratike (UDK).

Parimet themelore me tryezë bisedimesh

Nën presionin publik, Partia Komuniste u detyrua që të pranonte opozitën në tryezën e rrumbullakët të bisedimeve. Në të u miratuan parimet themelore për zhvillimet e ardhshme të vendit. U vendos edhe një datë për zgjedhjet e para demokratike. Me insistimin e Partisë Komuniste zgjedhjet duhej të zhvilloheshin sa më shpejt të ishte e mundur. Në qershor 1990 u dha vota me një rezultat tronditës për opozitën - ajo i humbi zgjedhjet kundrejt ish-pushtetarit, Zhelju Zhelev. Ne ishim të bindur që i kishim fituar zgjedhjet. Ne mendonim se situata ishte kudo njësoj si edhe në qytetet e mëdha. Në Sofje, Varna, Plovdiv ish-komunistët nuk kishin shans të organizonin demonstrata, por sistemi i partisë së ish-komunistëve vazhdonte të funksiononte: ata kishin para, armë dhe media. Gjithçka ishte shumë e thjeshtë. Njerëzit në provinca e kishin kaluar edhe një vit në gjumin totalitar. Vetëm një vit më vonë, në zgjedhjet e dyta demokratike, Unioni i Forcave Demokratike fitoi. Revolucioni i pallatit arriti në popull.

Autor: Blagorodna Grigorova / Vilma Filaj - Ballvora

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›