E Shtunë, 31 Tetor 2026

Datat e aplikimeve në Masterat e Nivelit të Dytë



Të diplomuarit e Masterave të Nivelit të Parë, Diplomave të Nivelit të Dytë dhe Diplomave të Integruara të Nivelit të Dytë që dëshirojnë të vijojnë studimet e Masterit të Nivelit të Dytë, duhet të aplikojnë sa më shpejt në fakultetet e Universitetit të Tiranës, bëri dje të ditur zyra e shtypit e këtij universiteti. Aplikimet kanë përfunduar në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, ku janë shpallur edhe fituesit, ndërkohë që regjistrimet e tyre do të vijojnë deri më 16 nëntor.

“Në Fakultetin e Shkencave Sociale, pranimi i dosjeve pranë sekretariateve ka filluar dhe afati i fundit i aplikimit është data 16 nëntor. Në Fakultetin e Drejtësisë pranimi i dosjeve të aplikimit ka nisur më datë 4 nëntor dhe do të përfundojë më 18 nëntor”, - bëri të ditur dje Universiteti i Tiranës.

Ndërkohë, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës ka edhe 10 ditë kohë për ata që dëshirojnë të aplikojnë, pasi afati i fundit është 20 nëntori. Krahas Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë edhe në atë të Gjuhëve të Huaja ka përfunduar dorëzimi i dosjeve me anë të të cilave aplikojnë kandidatët dhe pritet shpallja e fituesve.

Ndryshe nga fakultetet e tjera, Fakulteti i Ekonomisë do të vijojë traditën e testimeve për të gjithë kandidatët. Në këtë mënyrë, Masterat e Nivelit të Dytë të këtij fakulteti që janë më të hershmit e Universitetit të Tiranës, do të pranojnë të gjithë ata që do të shpallen fitues gjatë testimit që do të kryhet më 21 nëntor.

“Aplikimet në programet Master i Nivelit të Dytë në Universitetin e Tiranës zhvillohen sipas procedurave dhe kritereve të përcaktuara nga çdo fakultet. Si pasojë, datat, dokumentet dhe mënyra e përzgjedhjes është e ndryshme në varësi të vendimeve të marra nga dekanatet përkatëse”, - bëri të ditur UT.

Në këtë mënyrë, shumica e fakulteteve të këtij universiteti kanë përzgjedhur aplikimin me dosje për pranimin në këto programe, me ndryshim të vetëm Fakultetin e Ekonomisë, i cili do të vijojë të kryejë testim ndërmjet kandidatëve për të përzgjedhur ata që do të shpallen fitues.

Pjesa më e madhe e programeve “Master i Nivelit të Dytë” çelen për herë të parë përgjatë këtij viti akademik, pas vendimeve të marra nga Këshilli i Ministrave. Ndërkohë, masterat e sistemit të mëparshëm (përpara sistemit të Bolonjës) janë shndërruar në tërësi në programe MND.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›