E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të gjithë në Kinë këndojnë Feimin



Në një CD të prodhuar në Kinë me muzikën më të mirë të filmave ndërkombëtarë, kompozimi i Feim Ibrahimi “Ngadhënjim mbi vdekjen”, zë vendin e parë dhe këndohet nga të gjithë kinezët. CD-ja ka dalë në treg rreth pesë vite më parë, ndërsa trashëgimtarja e vetme e kompozitorit, bashkëshortja Vera Ibrahimi, tregon se këtë informacion e ka marrë kohët e fundit nga Pirro Milkani. Dhe ajo zotëron vetëm një kopje. Në paradoks asnjë e drejtë autori nuk është nënshkruar në këtë mes, megjithëse flitet për një shifër marramendëse për ne shqiptarët, se CD është shitur në mbi 5 milionë kopje. Për këtë arsye, në ambasadën kineze bashkëshortes së kompozitorit i kanë thënë se Feim Ibrahimi është shumë i famshëm në Kinë dhe kënga këndohet në gjuhën kineze. Teksti i këngës është shkruar nga Fatos Arapi, i cili ka qenë “problemi” i vetëm i filmit me regji të Gëzim Erëbarës dhe Pirro Milkanit. Poeti vuri rininë mbi të gjitha, e cila kishte të vetmin ideal: mbrojtjen e vendit, pa asnjë lloj indoktrinomi. Ndërsa “partia” e kritikoi se nuk kishte shkruar në tekst asnjë fjalë ideologjike, dedikim dashurie për partinë. Ky ishte një diskutim i gjatë, që ishte përmbyllur me bindje mes poetit e kompozitorit që kënga të ishte për rininë dhe brenda saj ndihej dhe dashuria. Kjo e fundit ka qenë karremi që drejtori i Operës, Zhani Ciko, t’i propozonte familjarëve të kompozitorit që muzika e filmit të kthehej në skenë baleti nën koreografinë e Agron Aliajt. Muzika është po ajo, ndërsa lënda do të ndryshojë, nga dedikim lufte do të shndërrohet në dedikim dashurie; është historia e një prej partizanëve të njohur, Zaho Kokës, që vrau veten pasi nuk arriti të lidhej me vajzën që donte. Ky projekt pritet të realizohet në fund të nëntorit, për të festuar “çlirimin” e vendit. Vera Ibrahimi që ruan si muze studion e kompozitorit, me të gjitha reliktet që ai ka lënë, deri në lapsin që shkruante partiturat, tregon si u shkrua muzika e “Ngadhënjim mbi vdekjen” dhe befasinë me CD-në kineze, që e ka bërë bashkëshortin e saj, ndonëse pa të drejtë autori, me të famshmin në Kinë.

Vepra muzikore “Ngadhënjim mbi vdekjen” e kompozitorit Feim Ibrahimi, e cila ka qenë kolonë zanore e filmit me të njëjtin titull, është ideuar për 65-vjetorin e “Çlirimit” të Shqipërisë, muzika e së cilës do të bëhet balet në TOB. A e mbani mend në ç’rrethana i erdhi propozimi për të bërë muzikë filmi?

Filmi “Ngadhënjim mbi vdekjen” është realizuar në vitin 1968 me regjisorë Gëzim Erëbarën dhe Pirro Milkanin. Feimi sapo kishte mbaruar studimet në vitin 1967. Bashkëshortja e Pirro Milkanit, Margarita Kristidhi, pianiste, kishte mbaruar studimet bashkë me Feimin dhe ajo e bëri e para propozimi. Kjo, për shkak se Feimi kishte bërë një diplomë të shkëlqyer dhe ishte vlerësuar mjaft. Për këtë arsye u mbajt pedagog në Institutin e Arteve. Kështu që duke pasur një konsideratë për Feimin, por duke besuar dhe tek gjykimi i së shoqes dhe aq pak muzikë sa kishte dëgjuar - Milkani i besoi që të bënte muzikën e filmit “Ngadhënjim mbi vdekjen”. Kështu, në 1968 Feimi e mori guximin që të shkruante muzikë filmi.

Ishte hera e parë që po krijonte muzikë filmi?

Po, ishte hera e parë që i vinte një propozim i tillë, sepse sapo kishte mbaruar studimet. Ky film vërtet ka qenë ogur i mirë për Feimin, kjo muzikë i hapi shumë shtigje të tjera. Ai punoi seriozisht mbi muzikën e këtij filmi. Dhe mund të thuash se ka mbetur e famshme kënga e “Ngadhënjimit...”.

A mund të sjellim pak në kujtesë se për çfarë bënte fjalë filmi, pas të cilit duhej frymëzuar patjetër kompozitori?

Është film me luftë, në kohën e gjermanëve. Nëse ju kujtohet filmi bën fjalë për ato dy gratë partizane, Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima, nga Gjirokastra, ku luajnë Rikard Ljarja me Edi Luarasin, si dhe aktorja Eglantina Kume nga Durrësi.

Partiturat origjinale dalin për herë të parë nga arkivat?

Ka një histori interesante kjo këngë. Më kujtohet se në 1991, kur ishim për një darkë në ambasadën kineze unë isha ulur afër atasheut kulturor dhe një kinezi tjetër. Atasheu dinte shumë mirë shqip dhe më tha: “Zonjë e dini ju që burri juaj është një kompozitor i famshëm?! Sigurisht, iu përgjigjja unë, se ishte thjesht një kompozitor i mirë. Por, ai, këmbënguli duke më treguar se kënga e tij, pikërisht “Ngadhënjim mbi vdekjen” këndohet nga të gjithë kinezët. Në fakt e dija që këndohej shumë në Kinë... por atasheu tha sërish se këndohej nga të gjithë kinezët, prandaj është i famshëm. Vërtet ajo këngë është tepër e përhapur në Kinë.

Madje, ky film është shitur në miliona kopje atje. Unë kam CD-në me këngën e filmit. Kinezët kanë prodhuar një CD me muzikë nga filmat më të mirë botërorë dhe kënga e parë që hap këtë CD është me “Ngadhënjim mbi vdekjen”, edhe vetë CD mban këtë titull.

Si ju ka rënë në dorë CD-ja, kur është prodhuar? Çfarë na bënë të besojmë se të gjithë kinezët këndojnë Feim Ibrahimin?

CD-ja është bërë gati para pesë vjetësh dhe nuk ka kinez që nuk e di këtë këngë. CD-ja është prodhuar në Kinë, një kopje më ka rënë në duar, e mbaj në shtëpi. Ishte kineasti Pirro Milkani në Kinë dhe ai ma solli nga andej. Atje kjo CD është shitur mbi 5 milionë kopje. Për ne kjo është një shifër tepër e madhe, ndërsa për ata nuk është ndonjë gjë e madhe. Më e çuditshmja është se kjo këngë është e kënduar nga kinezët, në gjuhën e tyre (qesh), kinezçe është kënduar.

Si duket, ju nuk paskeni qenë në dijeni për këtë, kjo do të thotë se nuk ju është marrë e drejta e autorit juve, si trashëgimtare?

Absolutisht jo, s’përgjigjen fare për këtë dhe për të drejtë autori s’bëhet fjalë. Kjo është llogari tjetër. Si duket këngën e kanë marrë atëherë kur janë marrë filmat e çdo gjë tjetër nga ish-Kinostudioja. Tani madje, Pirro Milkani më ka thënë se e kanë nxjerrë edhe në televizion, në HD - (High Defination) dhe më thanë se e kanë kthyer në DVD. Pirro më tha se do të më jepte të paktën një kopje. Po kjo si duket nuk ka rëndësi.

Ka qenë viti 1968 kur është bërë filmi, a e mbani mend si është pritur?

Pavarësisht egërsimit të diktaturës në këto vite, filmi çuditërisht nuk ka pasur ndonjë problem. Filmi u prit shumë mirë. Nëse flasim për anën muzikore, Feimi qeshte kur e uronin, sepse gati të gjithë e uronin pikërisht për këngën. Kënga u kishte mbetur në mendje, jo për pjesët apo momentet e tjera. Megjithatë, ajo është një muzikë që qëndron edhe sot e kësaj dite. Fakti që tani për shembull me rastin e 65-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë, drejtori i Operës, Zhani Ciko, më telefonoi dhe më kërkoi që t’i dërgoja diçka nga muzika e filmit “Ngadhënjim mbi vdekjen”, sepse donin ta vinin në skenë, ta luanin.

E gjithë kolona zanore e filmit do të përdoret nga Opera për ta vënë në skenë?

Unë jua dërgova komplet CD-në dhe ata vendosën që tri numra do të bëjnë nga muzika e filmit, duke ngritur një numër koreografik, me koreograf Agron Alinë për këtë festë.

Çfarë të reje do të kemi nga kjo muzikë e ardhur në ditët e sotme, si dedikim lufte do të vijë?

Koreografi Agron Aliaj ka menduar ta bëjë sigurisht me një subjekt tjetër dhe mua m’u duk shumë interesante. Titulli nuk do të ndryshojë, do të jetë sërish “Ngadhënjim mbi vdekjen”, se sigurisht është po ajo muzikë. Të paktën çfarë më tha Agroni mendoj se do t’i shkojë shumë mirë muzikës. Do të jetë një dedikim tjetër për një personazh me emrin Zaho Koka, i cili ishte një nga partizanët shumë të njohur, por u vetëvra nga dështimi i dashurisë që kishte për një vajzë që nuk arriti të lidhej. Kjo është në përgjithësi zëvendësimi i lëndës së subjektit të tekstit të muzikës, duke e bërë me një ndjeshmëri tjetër, jo si dedikim lufte. Kështu që kjo muzikë filmi do të transferohet me një subjekt tjetër, por brenda temës së luftës do të jetë, pasi është atmosferë e asaj kohe në muzikë, por për një figurë tjetër që mendoj se i përshtatet fare mirë. Tema e dashurisë do të jetë tani në qendër të baletit, e adaptuar nga filmi, pasi edhe në film është kjo – dhe këtë numër do t’ia përshtatin Zaho Kokës, dashurisë së tij.

Titulli “Ngadhënjim mbi vdekjen” duket futurist për kohën. Ka pasur parasysh ndonjë filozofi të vetën kompozitori, apo gjendje shpirtërore?

Nuk është titulli i Feimit ky, është titull i filmit vënë nga Gëzim Erebara dhe Pirro Milkani. Por, më kujton diçka tjetër me këtë, pasi fjalët e këngës kanë pasur probleme. Teksti i këngës është bërë nga Fatos Arapi. Në atë tekst nuk përmendet as fjala parti, asgjë e kësaj natyre ideologjike. Aty përmenden partizanët dhe është një tekst shumë i bukur, po kujtoj pak vargje: “...ulen retë e zbresin përmbi mal/vjen pranvera dalin partizanë/ pranverë që po vjen gjithë armiqtë tmerron/ i tmerron ata, rini e vendit tonë...”. Fatosit pikërisht këtë i vunë në dukje sepse kishte vënë rininë mbi të gjitha, dhe iu kërkua për ndryshim që të viheshin idealet e partisë, fjala parti. Ndërsa Fatosi vetë ishte i bindur se kur ka dalë në luftë rinia ka pasur një ideal tjetër, për të mbrojtur vendin. Pra nuk ishte ideali i Partisë Komuniste, prandaj nuk përmendej partia në tekstin e këngës. Dhe ashtu kaloi ajo këngë.

Patën folur, më parë, mes tyre kompozitori dhe poeti për këtë?

Përpara se të shkruheshin notat, e të bënin gjithë këto diskutime, sigurisht që ata të dy, Feimi dhe Fatosi kishin rënë dakord për këtë gjë. Por kaloi mirë dhe është e këndueshme sot e kësaj dite. Prandaj them se një muzikë e shkruar në vitin 1968 tingëllon mirë edhe sot. Nuk mund të them se kjo ndodh ndoshta me të gjitha veprat që ka shkruar Feimi, por të paktën ka të bëjë me këtë që po flasim.

Ju përmendet se Feimi ka qenë i angazhuar në disa filma, cilët konkretisht?

Po, Feimi ka bashkëpunuar ndoshta me regjisorët më të mirë, deri vonë. Nuk janë shumë filma si sasi. Gjithsej janë shtatë filma që u ka kompozuar muzikën si “Shembja e idhujve”, “Pylli i lirisë”, “Balada e Kurbinit”, “Të zhgënjyerit”, që është mbi motivet e romanit të Kadaresë “Prilli i thyer”, filmi “Ballë për ballë” edhe ky i mbështetur në romanin e Kadaresë “Dimri i madh”, si dhe filmi “Kur zbardhi një ditë”.

Siç thoni, pasuria muzikore ndodhet në Kinostudio. A vazhdon të ruhet ende në bobina?

Fatmirësisht e kisha në shtëpi partiturën e filmit “Ngadhënjim mbi vdekjen”. Kam disa numra. Por përveç kësaj unë kisha edhe kolonën zanore të të gjithë filmit. Kam bërë në fakt një punë kolosale, pasi kam marrë nga ish-Kinostudioja të gjitha bobinat ku është regjistruar vetëm kolona zanore. Bobinat janë të ruajtura, siç dihet në kinostudio. Unë i kam tërhequr ato, duke i dërguar në Radio Tirana, sepse vetëm ata kanë aparatura, për t’i kaluar nga bobinat e mëdha në CD. Pra, të gjithë këtë pasuri e kam kaluar në CD dhe tani kam të gjithë muzikën e filmave të Feimit. Kështu që ishte më e lehtë për t’ua dërguar në Opera, kur ata vendosën për ta vënë këtë muzikë në skenë, si balet.

Skenari: Peçi Dado, Gëzim Erëbara, Pirro Milkani.

Regjisore: Gëzim Erëbara.

Operator: Saim Kokona.

Piktor: Ksenofon Dilo

Kompozitor: Feim Ibrahimi

Interpretojnë: Eglantina Kume, Edi Luarasi, Naim Frashëri (Artist i popullit), Rikard Ljarja, Demir Hyskja, Andon Qezari, Pandi Raidhi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›