Rexha shpreh keqardhje për largimin përfaqësueses së SHBA-së nga Bordi i AKP-së

Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të AKP-së, Blerim Rexha ka shpreh keqardhje për largimin e Bernadette Roberts, përfaqësuese e Qeverise së SHBA-së nga Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Largimi i saj nga Bordi, sipas tij, është padyshim një humbje e madhe për Agjencinë.
“Komentimet e disa mediave se kinse unë nuk jam i gatshëm të marrë vendime madhore rreth privatizimit nuk qëndrojnë dhe për këtë qëllim dua të njoftoj opinionin publik se unë jam shumë i vetëdijshëm për rolin dhe mandatin ligjor të AKP-së, pronën e Kosovës dhe situatën ekonomike të vendit. Se AKP duhet të ndërroj qasjen ndaj pronës dhe aseteve që privatizon e thonë edhe rekomandimet e Kuvendit te Republikës se Kosovës te tetorit 2012, dokument që unë iu kam shpërnda të gjithë bashkëpunëtorëve në ditët e para të punës.
Frymën për ndryshime dhe rritje të transparencës në AKP jam munduar ta përcjell që nga dita e parë. AKP e ka tani edhe obligim ligjor, i dalë nga Kuvendi, ndryshimin e politikave të privatizimit. Shumë jam i bindur se ky ndryshim do të ndodhë. Se AKP ka një imazh dhe perceptim jo të mirë pajtohemi të gjithë, se si duhet ndryshuar kjo gjendje mund të dallojmë!
Dua të informoj publikun se është e vërtet që unë kam divergjenca dhe mos-pajtime me disa anëtarë të bordit sa i përket trajtimit të pronës dhe aseteve të vendit tonë. Këto divergjenca janë edhe si pasoj e shkollimit dhe qëndrimit tim mbi dhjetë vjeçar në Vjenë të Austrisë, kulturës time dhe vlerave të mia intelektuale dhe profesionale.
Në shtetet me demokraci të zhvilluar divergjenca konsiderohet pasuri. Unë në asnjë formë nuk jam kundër interesave Amerikane dhe Europiane në Kosovë, përkundrazi përkulem me respekt para kontributit të SHBA-ve dhe BE-së për vendin tonë. Por, bindjen time për pronën dhe asetet e vendit tim nuk do të mundet të ma ndryshoj asnjë interes grupor, klanor apo partiak. Siç e din, edhe opinioni i gjere, unë deri me tani nuk kam nënshkruar asnjë vendim lidhur punësimet apo largimet nga AKP-ja. Ndryshimet nuk nënkuptojnë doemos largim nga AKP-ja.
Keqinformimi i disa anëtarëve te Bordit, nga burime brenda dhe jashtë AKP-së, mbi pikëpamjet e mia po bëhen me prapaskena të liga dhe që kanë të vetmin qëllim – vazhdimin e politikave të vjetra në AKP dhe në mënyrë indirekte njollosjen e personalitetit tim. Integriteti, dinjiteti dhe morali im është vlerë që unë do ta ruaj gjithnjë dhe gjithmonë. Nuk dua të besoj se me pikëpamjet e mia po behëm pengesë e realizmit të planeve të liga të grupeve të ndryshme të interesit.
Gjatë karrierës time profesionale kam udhëhequr shumë projekte komplekse në Evropë, SHBA por edhe në Kosovë, gjithnjë jam shpërblyer për punë të shkëlqyer dhe gjithmonë jam nda faqebardhë. I sfidoj të gjithë faqebardhët”, thuhet në deklaratën e kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të AKP-së, Blerim Rexha./Indeksonline/