E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rexhep Qosaja nderohet me çmimin “Beqir Musliu”

Çmimit letrar “Beqir Musliu”, që ndahet nga Ars Club “Beqir Musliu” dhe jepet nga kryetari i komunës së Gjilanit Qemajl Mustafa, i sivjet i është dhënë Akademik Rexhep Qosjes.

Faik Shkodra, njëri nga anëtarët e jurisë e ka arsyetuar dhënien e çmimit. Sipas tij, Qosja i plotësonte të gjitha kriteret të cilave u përmbahet juria. Ndërkohë që një vështrim për krijimtarinë e Akademik Qosjes e ka bërë kritiku dhe historiani i letërsisë, profesor Agim Vinca.

Duke pranuar çmimin, akademik Qosja ka thënë se ndihej i privilegjuar që po merrte çmimin letrar me emrin e Beqir Musliu. Ai ka thënë se Beqirin e vlerëson si një krijues të madh, për të cilin kishte shkruar qysh në vitet 1967, duke parë se në shkrimet e tija, Beqir Musliu kishte cilësi dhe vlera dhe se dallonte nga të tjerët.

Për këtë, Qosja, ka thënë se në Antologjinë e poezisë shqipe, ai e kishte futur edhe Beqir Musliun, në mesin e 31 poetëve të tjerë, edhe pse ai atëherë ishte i ri diku vetëm 25 vite. Sipas tij, Beqir Musliu është krijues i gjithanshëm dhe figurë me dhunti të gjerë, ndërkohë që ka vlerësuar lartë Gjilanin që po i jep vend të merituar krijimtarisë shpirtërore, duke shtuar se pikërisht krijimtaria shpirtërore e krijuesve të ndryshëm e ka meritën e vet edhe në lirinë e Kosovës.

Ndërsa, kreu i komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa ka thënë se është patjetër nder i veçantë të jetosh e aq më shumë është nder ta përfaqësosh një komunë e cila letërisë dhe kulturës shqiptare, i ka dhënë krijuesin Beqir Musliu, profili i të cilit nuk prodhohet shpesh.

“Ishte nderë për autorin por para së gjithash për ne të gjithë ideja për themelimin e çmimit ‘Beqir Musliu’. Është ky çmim simbolik në vlerë materiale po domethënës për nga përkushtimi dhe porosia që bartë ai me vehte”, ka thënë Mustafa, për të shtuar se është nderë i veçantë se çmimi Beqir Musliu i jepet krijuesit të veçantë të hapësirës shqiptare në një konkurrencë të denjë, transmeton Kosovapress.

“Sivjet ndjehemi fare mirë që këtë çmim juria i ndau njërit nga njerëzit më meritor të letrave shqipe dhe të mendimit tonë kritik, shoqëror e politik, mikut të madh të ngjarjeve kulturore e letrare në Gjilan, të nderuarit akademik Rexhep Qosja”, ka thënë Mustafa duke shtuar se Gjilani do të mbetet i përkushtuar dhe i hapur në promovimin dhe nderimin e vlerave të vërteta sepse kjo tashmë në Gjilan është kërkesë e publikut, është përkushtim i komunës dhe krijuesve të saj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›