E Shtunë, 31 Tetor 2026

Siria pranon rrëzimin e avionit turk

Ushtarakët sirianë kanë pranuar se kanë rrëzuar një aeroplan turk që ishte duke fluturuar në hapësirën ajrore mbi ujërat siriane.

Avioni është trajtuar në përputhje me ligjet që përcaktojnë situata të tilla, citohet një zëdhënës ushtarak, bën të ditur agjencia e lajmeve Sana.

Zëdhënësi tregoi se avioni ishte goditur nga artileria kundërajrore duke e rrëzuar mjetin në det.

“Më vonë kuptuam që ishte një avion i ushtrisë turke që kishte hyrë në hapësirë tonë ajrore”. shtoi ai.

Ndërkohë autoritetet turke më parë besonin se një prej avionëve F-4 luftarakë të saj ishte qëlluar nga forcat siriane.

Ushtria turke njoftoi se kishte humbur kontaktin me një avion luftarak, i cili po fluturonte në afërsi të kufirit detar me Sirinë.

Marrëdhëniet mes Turqisë dhe Sirisë, dikur aleate të ngushta, janë prishur që pas nisjes së trazirave kundër presidentit Bashar al-Assad në mars të vitit 2011. Turqia është ndër vendet e para që ka kërkuar largimin e presidentit sirian nga pushteti, ndërkohë që në lindje të vendit, pranë kufirit me Sirinë janë strehuar mbi 30 mijë sirianë të zhvendosur të konfliktit që tashmë është në përmasat e një lufte civile, raportojnë mediat.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›