E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rexhepi: Do t’i arrestojmë kriminelët e Veriut

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, ka thënë në një intervistë për Kosovapress se mos largimi i barrikadave nga ana e serbëve në veri edhe pas arritjes së marrëveshjes është taktikë e të ashtuquajturit union i komunave serbe në veri, ndërsa ka paralajmëruar se në ditët e ardhshme do të ketë hetime dhe arrestime për kriminelët në veri. Nga Express më 06 gusht 2011 në ora 13:35

Kosovapress: Si e komentoni marrëveshjen e arritur mbrëmë?
Rexhepi: Quhet pajtueshmëri, nuk është marrëveshje, sepse nuk është nënshkruar. Me ndërmjetësimin edhe të gjeneralit Buhler dhe përfaqësuesit special, Fernando Xhentilini dhe të ambasadorit amerikan është arritur një pajtueshmëri në 10 pika për çështjet praktike që është shumë e favorshme për Kosovën. Faktikisht gati çdo kërkesë e jona është në atë pajtueshmëri për implementim ku përcaktohen njëherë zonat ushtarake të kufizuara në pikën 1 dhe 31, ku në Bërnjak janë policia kufitare dhe doganierët, ndërsa në pikën 1 në Jarinje për shkak të dëmeve që janë bërë në fazat e mëvonshme do të vendosen.

Është parakusht të hiqen të gjitha barrikadat, që të bëhet kontrolli i çdo hyrje dhe automjeti dhe çdo individi për armatim. Po ashtu, do të bëhet kontrollimi i vijave anësore të kontrabandës. Një organizatë ndërkombëtare do të vlerësojë se a ka elemente për krizë humanitare apo jo. Ne e dimë që jo, kjo është presion politik dhe psikologjik. Përndryshe kanë furnizim prej kompanive kosovare që ne i kemi inkurajuar dhe jo se dikush duhet t’i gjykojë, por përkundrazi është patriotizëm në këtë moment t’i furnizojnë, sepse ata janë qytetarë të Kosovës që mos të ndjejnë mungesë të artikujve elementarë.

Ka edhe shumë çështje tjera, mos t’i elaborojë të gjitha 11 pikat, mirëpo për importet që bëjnë kisha ortodokse kanë pasur leje dhe nuk i janë nënshtruar doganës, edhe njëherë ka krijuar një ambient shumë të mirë që Kosova të funksionojë në tërë territorin e vet në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak, që është një hap shumë i madh. Megjithatë, ky është vetëm një prej hapave. Në ditët e ardhme do të ketë hetime, do të ketë edhe arrestime të kriminelëve, më vonë do të merremi vesh bashkërisht, do të ketë edhe kthime në gjykatën regjionale, pra gradualisht do të vendoset sundimi i rendit dhe ligjit në pjesën veriore që deri vonë ka qenë tabu temë gati e paprekshme.

Kosovapress: A mendoni se vërtet me këtë marrëveshje-pajtueshmëri do të shtrihet sovraniteti i institucioneve në atë pjesë të vendit?
Rexhepi: Kjo është vetëm një parakusht për t’i hequr barrikadat, njerëzit me iu kthye normalitetit dhe të krijohet hapësirë për zbatimin e ligjit. Pra, këtë kuptim e ka marrëveshja ose pajtueshmëria faktikisht, ndërsa tani mbetet obligim i institucioneve të Kosovës dhe të EULEX-it dhe me ndihmën e KFOR-it që gradualisht të krijojmë ambient të qetë dhe sundimin e rendit e ligjit në tërë territorin e Kosovës. Është edhe një rëndësi e posaçme për këto dy pika kufitare, për arsye se edhe për liberalizimin e vizave edhe për integrime evropiane është menaxhimi i integruar i kufijve, i cili mundësohet nga këto dy pika, të cilat kanë qenë pika të zeza që gjithnjë kanë qenë si një pjesë që kanë dalë nga palët si çështje negative.

Kosovapress: A është kjo zgjidhja e duhur për Kosovën në këtë moment?
Rexhepi: Është fillimi i duhur i zgjidhjes për Kosovën. Në këtë moment është bërë edhe një unifikim i subjekteve politike dhe shoqërisë civile, si dhe është një entuziazëm te të gjithë qytetarët të cilët kanë kontribuuar. Një kontribut të madh përveç policisë që kanë bërë një punë shumë profesionale pa lënduar asnjë civil që është vlerë për shtetet demokratike, është kontributi i qytetarëve për të mos rënë pre e provokimeve dhe për t’u shkaktuar ndonjë incident ndëretnik. Falënderoj të gjithë qytetarët për përmbajtje dinjitoze dhe pjekuri politike dhe besimin që kanë treguar ndaj institucioneve të Kosovës.

Kosovapress: Sa besoni në implementimin e kësaj pajtueshmërie?
Rexhepi: Unë besoj që edhe Serbia është pajtuar me këto pika, sepse është edhe interes i Serbisë, sepse ata kanë pretendime për të fituar statusin e kandidatit dhe natyrisht duhet të distancohen edhe pse vetë i kanë inkurajuar fillimisht kriminelët e ndryshëm, dhe tani kur iu është kthyer si bumerang, distancohen nga kriminelët të cilët kinse krye në vete e kanë bërë djegien e pikës në Jarinje, vrasjen e policit dhe dhunës që ushtrojnë ndaj njerëzve që janë në barrikada. Kemi të dhëna të sigurta që ata detyrohen nga kryetarët e komunave paralele, por edhe nga Serbia që të shkojnë në barrikada dhe t’i lëshojnë vendet e tyre të punës, disa prej tyre shantazhohen nga kriminelët, disa paguhen, pra janë të imponuar, sepse me dëshirë një pjesë e madhe e tyre nuk do të dilnin dhe do t’i ktheheshin jetës normale. Këto janë parakushte që marrëveshja duhet të implementohet. Nëse dikush prej liderëve lokalë pengon edhe më tutje janë dyert e hapura që KFOR-i të veprojë. KFOR-i ka bërë maksimalisht një vetëpërmbajtje dhe përkushtim që në mënyrë paqësore t’i heqë barrikadat, ndërsa ka edhe mekanizmat tjerë të domosdoshëm nëse e lyp nevoja.

Kosovapress: Ka indikacione se serbët lokalë nuk do të pranojnë pajtueshmërinë dhe do të vazhdojnë me barrikada. Nëse KFOR-i nuk reagon, a do të reagojë Njësia Speciale e Kosovës?
Rexhepi: Këto janë taktika të të ashtuquajturit union i komunave serbe. Në këtë moment ne nuk marrim aksione të Njësisë Speciale pa një koordinim me KFOR-in. Ne do të bëjmë arrestime po që se gjejmë argumente të mjaftueshme për kriminelë dhe në ato raste duhet të kemi mbështetjen e njësive operative mbështetëse që quhen RSU, por aksione pa një koordinim me KFOR-n të cilat kanë qenë shumë pozitive për ruajtjen e qetësisë në këtë kohë, nuk do të bëjmë. Kemi marrëveshje interne dhe do ta respektojmë. Shpresoj se edhe EULEX-i tani pas takimit të kryeministrit Thaçi me But de Marnak duhet tejkaluar dhe ata do të jenë partnerë në shumicën e veprimeve që do t’i bëjmë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›