Rez.Fin. Suedi- Shqipëri 4-1Ky eshte takimi i peste midis dy vendeve. Bilanci: tre fitore Suedia, nje barazim, nje fitore Shqiperi

Rrjetet sociale:
SHQIPËRIA: Ujkani; Dallku, Curri, Cana, Haxhi (22’ Hyka), Bulku, Duro, Beqiri, Skela, Salihi (79' Kapllani) , Bogdani (87' Berisha). Trajner Josip Kuzhe
Shenues: Olof Melberg 5', Markus Berg 40, Olof Melberg 42’, Andres Svenson 85' / Hamdi Salihi 55'
PJESA E PARE
Trajneri i Shqipërisë, Josip Kuzhe, e nisi takimin me Ujkanin në portë, katërshen e mbrojtjes, Dallku, Curri, Cana, Haxhi; Bulku e Beqirin në zonën e mesfushës shkatërruese, Duron e Skelën në zonën krijuese e dyshen Bogdani e Salihi në vijën e parë. I çuditshëm avancimi i mbrojtësit Elvin Beqiri para Ervin Bulkut.
Topi i parë u luajt nga Suedia të mbështetur nga gati 30 mijë shikues në “Rasunda Stadium” të Solnës, ku të pranishëm kanë qenë edhe disa qindra tifozë kuqezinj.
Vizita e parë e rrezikshme i takoi Shqipërisë. Në minutën e 2-të, Hamdi Salihi u shfaq pas shpinës së mbrojtjes suedeze, por sulmuesi shqiptar i Rapidit të Vjenës nuk ia doli të rrezikojë portën e mbrojtur nga Andreas Isakson.
Një minutë më pas, kapiteni i Suedisë, Zlatan Ibrahimoviç, dueloi me Debatik Currin, por mbrojtësi i Kombëtares sonë ia doli ta bllokojë tentativën e sulmuesit të Barcelonës, i cili humbi ekuilibrin brenda zonës së vogël të mbrojtur nga Samir Ujkani.
Suedia na ndëshkoi pa kaluar as pesë minuta lojë, kur pas një goditje këndi, mbrojtësi i Olimpiakosit të Pireut, Olaf Melberg, i pa mbuluar as nga Armend Dallku dhe as nga Elvin Beqiri, goditi fuqishëm me kokë duke mposhtur Samir Ujkanin në minutën e 5-të. Goli i dytë i pësuar nga portieri i Novarës në dy ndeshje zyrtare si titullar me përfaqësuesen, pas atij në barazimin 1-1 me Danimarkën.
Trajneri Kuzhe në minutën e 22-të zëvendësoi mbrojtësin e majtë të Apol Nikosias, duke e zëvendësuar atë me mesfushorin virtuoz të Mainc 05, Jahmir Hykën.
Në të 27’, Ervin Bulku hodhi një top nga e majta e sulmit të Shqipërisë në drejtim të Salihit, por sfera nuk mbërriti në këmbët e golashënuesit të njohur shqiptar në kampionatin austriak.
Pas ndëshkimit me karton të verdhë të Armend Dallkut (22’), kartoni i tij i pestë i verdhë në këto eliminatore, erdhi edhe ndëshkimi me të verdhë edhe i suedezit Anders Svenson (28’).
Në minutën e 35-të, kapiteni Ervin Skela dha një top në fundore për Jahmir Hykën, një tjetër lojtar që luan në Gjermani, fantazisti i Maincit harkoi paksa lart në zonë, dhe me gjithë kërcimin e Hamdi Salihit, ky i fundit nuk arriti të rrezikojë. Një rast i mirë.
Në minutën e 40-të, një kthim prapa topi i Lorik Canës, gjeti më në thellësi Armend Dallkun, ky i fundit hapi këmbët, duke i krijuar mundësinë zëvendesuesit suedez Markus Berg të Hamburgut të shënojë lehtësisht, duke dribluar madje dhe Samir Ujkanin.
Një dhuratë tipike e futbollistëve shqiptarë. Fantazmat e Rumanisë, ndeshja e fundit e Kombëtares në eliminatoret e Euro 2008, ku humbëm thellësisht 6-1, janë rikthyer më të gjalla se kurrë.
Pas vetëm dy minutësh ishte sërish një gafë e mbrojtjes sonë, i dha mundësi sërish Olof Melbergut të shëmojë qetësisht golin e tretë, duke i vënë vulën e turpit një pjesë të parë krejtësisht të dobët, madje edhe më e keqe se ajo në humbjen 3-0 me Danimarkën, që solli dhe shkarkimin e trajnerit holandez Ari Han.
PJESA E DYTE
Asnjë ndërrim nga trajneri Josip Kuzhe me fillimin e pjesës së dytë. Një përpjekje sporadike e Salihit në minutën 54-t, por gjuajtja tokazi e sulmuesit shkodran u devijua në goditje këndi nga mbrojtësit suedezë. Në të 57’, Hyka u përpoq nga e majta e sulmit tonë, tentoi të bashkëpunojë në fundore me Ervin Bulkun, por pa rrezik.
Ervin Skela ekzekutoi një goditje këndi, dhe Hamdi Salihi me nuhatjen e tij tipike gjeti hapësirën e pa mbuluar nga suedezët për të shënuar golin e parë për Shqipërinë në minutën e 55-të. Goli i dytë me fanellën e Kombëtares për Hamdi Salihin, pas atij të realizuar në miqësoren me Maltën (3-0, më 22 gusht 2007).
Ky ishte dhe goli i parë i Shqipërisë i shënuar në transfertë gjatë pesë ndeshjeve jashtë shtëpisë në këto eliminatore, ndërkohë që Salihi realizoi golin e gjashtë të Kombëtares në dhjetë ndeshje kualifikuese. Autorë të tjerë janë Bogdani (3), Duro (1), Dallku (1), që kanë shënuar nga ana e tyre në “Qemal Stafa”.
Ervin Bulku goditi fuqishëm brenda zonës, në minutën e 68-të, por Isakson e grushtoi topin. Një veprim i bukur i mesfushorit shkatërrues të Krivbasit në Ukrainë. Më agresive Shqipëria pas shënimi të goli të Salihit.
Debatik Curri gaboi në mbulimin e kundërshtarit në të 72’, Nilsoni përfitoi, goditi, por Ujkani u tregua i vëmendshëm duke shmangur pësimin e golit të katërt nga ana e nordikëve.
Kuzhe hodhi në fushë Edmond Kapllanin në vend të Salihit në minutën e 79-të, autorit të golit të Shqipërisë. Ndeshja e 25-të për sulmuesin e Augsburgut.
Berg goditi brenda zonës në të 85’, por Ujkani u tregua i vëmendshëm, dhe me një veprim akrobatik i mohoi suedezit golin e katërt për formacionin e trajnerit Lars Lagerbak.
Mesfushori Andres Svenson ndërmori një sllallom të gjatë në zemër të mbrojtjes sonë, tërësisht e hapur dhe e pavendosur, duke realizuar në minutën e 85-të golin e katërt për Suedinë. Kapitullimi është i plotë, edhe pse Kuzhe luan me kartën e fundit, duke hedhur në fushë Besart Berishën për Erjon Bogdanin, krejtësisht në hije dhe shumë larg deklaratave bombastike.
Gjithsesi, fitorja e bujshme e Suedisë me Shqipërinë, vlejti vetëm për statistike e kënaqësi për trajnerin nordik Lars Lagerbak.
Të paktën për një gjë duhet të ngushëllohemi, se humbja 4-1 me Suedinë në eliminatoret e Botërorit 2010 është më pak e rëndë se ajo 6-1 me Rumaninë në eliminatoret e Kampionatit Europian 2008.
Shqipëria dëshmoi se ajo luan kur të dojë ajo dhe kur shpresojnë trajnerët që e kanë drejtuar atë, qoftë ky me emrin e kroatit Oto Bariç apo bashkatdhetarit të tij, Josip Kuzhe.
Kjo ishte humbja e pestë e Shqipërisë në dhjetë ndeshe, ku mundëmn të fitonim vetëm ndaj Maltës, ekipit të vetëm që ka mundur të marrë një pikë, pikërisht ndaj nesh.
Eliminatoret, Botërori 2010
Suedi- Shqipëri 4-1
Shënues: Olof Melberg 5, Markus Berg 40, Olof Melberg 42’, Andres Svenson 85’/ Hamdi Salihi 55’
“Rasunda Stadium”, 14 tetor 2009
Numri i klikimeve - 150
E Merkure, 14 Tetor 2009