Rezart Taçi: Ronaldinjo në Tiranë

Kjo është konfirmuar nga organizatori i sfidës së 14 tetorit në stadiumin “Qemal Stafa”, Rezart Taçi.
Pas një bisede që ka pasur me zv/presidentin e Milanit, Adriano Galiani, ai është siguruar se ylli brazilian do të jetë pjesë e skuadrës që do të luajë në Shqipëri.
“Pak ditë më parë, bisedova me administratorin e Milanit Galiani dhe ai më konfirmoi prezencën e Ronaldinjos në miqësoren që do të luhet në kryeqytetin tonë”, tha Taçi.
“Braziliani nuk ishte grumbulluar në përfaqësuese për ndeshjet e tetorit, por ardhja e tij me pjesën tjetër të skuadrës mund të komprometohej nga disa kushte që mund të vendoste Federata Braziliane.
Gjithsesi, numri dy i Milanit më siguroi se ata i kanë zgjidhur të gjitha detajet teknike që mund ta pengonin futbollistin dhe tashmë mund të themi zyrtarisht se Ronaldinjo do të jetë”.
Fantazisti, i cili ka fituar “Topin e Artë” në vitin 1999, nuk u grumbullua nga tekniku Dunga për ndeshjet eliminatore të tetorit që “seleçao” do të luajë kundër Venezuelës dhe Bolivisë.
Arsyeja ishte forma e dobët e 28-vjeçarit në ndeshjet e para të këtij sezonit, e cila duket se ka ndryshuar që prej fundjavës së kaluar.
Në fakt, 28-vjeçari ishte lojtari deciziv në fitoren 1-0 që Milani arriti në derbin kundër Interit, duke realizuar golin e vetëm të takimit.
Ronaldinjo do të luajë në Tiranë kundër bardhebluve të drejtuar nga Blazh Slishkoviç përkrah yjeve të tjerë kuqezinj si Maldini, Sedorf dhe Shevçenko.