E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asnjë ndëshkim për dhunën në Peqin

Komisioni i Disiplinës në Federatën e Futbollit përulet përpara dhunës. Ky organizëm, detyra e të cilit është që të rregullojë dhe ndëshkojë (nëse është e nevojshme) aktorët e sportit më popullor në vend, dorëzohet përpara vullnetit të klubeve.

Kjo ka ndodhur pas mbledhjes së ditës së mërkurë, ku Disiplinori nuk mori asnjë vendim për dhunën e përpara dy javëve në Peqin, gjatë ndeshjes Shkumbini-Besa.

Madje, justifikimi zyrtar i shpërndarë për mediat i kalonte kufijtë e absurdes.

Aty shkruhej: “Për ndeshjen Shkumbini-Besa, sipas raportit të Inspektoratit të Disiplinës, rezulton se asnjë nga palët nuk ka pranuar të prononcohet lidhur me ngjarjen.

Për mungesë faktesh dhe pamjesh dhe duke mos pasur ankesë nga klubi Besa, Komisioni i Disiplinës e pa të arsyeshme të vendoste: të mos marrë asnjë masë në lidhje me këtë çështje”.

Me fjalë të tjera, dhuna që ka ndodhur në pushim të ndeshjes, e cila i shkaktoi tri qepje në buzë Bekim Kulit dhe shoqërimin në polici trajnerit Ilir Daja, është fshehur.

Kjo pavarësisht faktit se sulmuesi kavajas, ashtu sikundër presidenti Bizhdili, akuzuan publikisht atë që kishte ndodhur në fushën e Peqinit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›