“Rezervati i derrave të egër”
Enver Qama është një shkrimtar me një histori jete tepër të veçantë. Jeton në jugperëndim të vendit, mirëpo në kujtesë ka qytetin e tij të lindjes. Çorovodën e la pas, kur krisën kallashët dhe një breshëri i sharroi këmbën. Vdekja nuk e njohu, ndonëse ishte hija e saj për një çast e mbështolli të tërin dhe më pas u zhduk, prandaj ende jeton. Ishin socialistët që i kërkuan jetën, që i dha Perëndia, ndaj ai ende i falet Abaz Aliut në mekamin e tij sa herë që vinte këmbë në malin që shqiptarët e thërrasin Baba Tomorr. Enver Qamo e ka të kufizuar lëvizjen. Ecën me paterica deri tek “bar Ini” dhe kthehet. Kjo është ditorja e tij. Ka botuar disa libra. Romani i fundit quhet: “Rezervati i derrave të egër”. Diku, pyjorja kishte vendosur një tabelë, ku shkruhej “rezervati i derrave të egër”, në të djathë të rrugës së Çorovodës. Në atë rezervat gjuante I Madhi fare derra te egër, mirëpo zanafillën për ngjarjet që nisin diku aty dhe përfundojnë sërish aty, e marrin pikërisht në kohën e prishjes së sistemit. Ishin kohërat kur diktatura më e rëndë për shqiptarët e varfër po shkallmohej. Ishte çasti kur kishte zënë të prishje, ndërkaq pllakosje muzgjesh binin përmbi qytetin malor. Autori Enver Qama përshkon me imtësi ngjarje që lëvizin të vërteta në përditshmërinë tonë. Një personazh si Erdal Qerimi që përshkruan kohën dhimbjet, dashuritë, ngritjet e rëniet, si një sizmikë e tërë lëkundjesh që tronditin jetesën e njeriut në kohë të diktaturës madje pas rënies së saj, kur banda mafiozësh rivendosin pushtetin e tyre, paguajnë gjykatat dhe arrijnë deri atje sa të pronësojnë rezervatin e derrave të egër si një kujtim të hidhur nga nostalgjia për ikjen e sistemit. Ka një përshkrim tepër interesant të vendeve që ka krahina malore me njerëz fisnik si Skrapari. Mua më ngjason se diku aty gjej përshkrimet e mjeshtrit erudit Eqrem bej Vlorës kur udhëtonte nga Berati në Tomor. Aty, qafa dhe gryka, aty më tej edhe rruga e mbuluar nga gjelbërimi e nëpër to lëvizin personazhe interesante. Madje ata shkojnë e i hapin ato shtëpitë që dikur i quanin kulake. Atje ku miqtë shkonin vetëm netëve fshehurazi. Jeta që gëlon dhe historitë që ndërthuren, tregon një mjeshtër që di të skalisë mirë e bukur, që di të ndërtojë fjali sikur të ishte njëqind vjet romancier. Mirëpo e gjithë kjo hulli fjalësh ka një sakrificë jo të vogël të autorit. Ndërsa në jetën e vërtetë ka bredhur jo pak mbi dy paterica për të kërkuar të vërtetën ku fshihej vrasësi i tij që u zu në shtetin fqinj, por që gjykatat e korruptuara nuk e dënonin për sa kohë socialistët ishin në harxhim të pushtetit mafioz. Koha për të lexuar sot është e kufizuar, por kur në dorë merr pikërisht një libër me vlerë artistike ia vlen harxhimi i saj. Enver Qamo rreth dy vjet më parë ngriti zërin sepse vrasësi i tij endej i lirë, ai që i kishte numëruar qartazi vdekjen, shurdhërinë e përhershme. Dhe vetëm media e djathtë e denoncoi. Shumë prej të majtëve heshtën qëllimisht, ndonëse akti i goditjes së tij ishte politik. Sidoqoftë autori Qama edhe në librin e tij të fundit me rreth 170 faqe kërkon të sjelli realitetin brenda kornizave të artit të mirëfilltë letrar. Se ishte ndërtuar jeta dhe si rridhte pikë pikë shtrënguar në atë kohë nëpër fshatrat e krahinës, apo në qytetin e malor mund të shikoni sa bukur ka Qama ka shtrydhur fletët për të sjellë një krijim vërtetë të arrirë. Skena që të duken se i ke përjetuar edhe ti vetë nën hije të rrapeve apo në infermierinë e vogël të fshatit Ujanik, personazhe që kanë jetë dhe frymë, personazhe që rrallë i ndesh sot në gjithë atë krijimtari dhe në qindra tonë letër që shpenzohet nga shtëpitë botuese për krijime mediokre. Romani “Rezervati i derrave të egër” duhet lexuar edhe për një motiv më shumë - për të njohur një krahinë të tërë, penelatat e autorit e kanë gdhendur me kujdes, është një piktor realist, punëtor i fjalës dhe vetë i pafjalë siç janë në tërësi skraparllinjtë.
Enver Qama aktualisht jeton në qytetin e Vlorës, prej një dekade. Që të limitojmë e të gjykojmë, po themi se çdo orbitale kohe vendos emrin e vet dhe mirësitë e veta. Enver Qama është një romancier i mirë. Ne nuk nisemi nga fakti se është i djathtë dhe ka një votë për PD, por sepse sjell vepra me nivel artistik që rrallë i gjen sot nëpër libraritë e qyteteve tona.