“Institucioni i Shpifjes” dhe familja Berisha
Ka më shumë se tre vjet, qysh nga ardhja në pushtet e demokratëve që familja e kryeministrit shqiptar është vënë në qëndër të akuzave për korrupsion të opozitës dhe “levave” të saj mediatike. Madje, sipas tyre, ajo konsiderohet “kupola e korrupsionit” në Shqipëri, si të ishte një familje mafioze me mjaft eksperiencë. Në fillim u atakua vajza, më vonë djali dhe tash së fundi edhe dhëndërri i liderit demokrat, megjithëse asnjë prej tyre s’ka mbajtur dhe s’mban ndonjë post shtetëror ku qarkullojnë paratë publike. Ndërkohë, asnjë prej tyre nuk është aksioner në kompani apo ndërmarrje publike të privatizuara këto 3-4 vitet e fundit, periudhë në të cilën kryefamiljari Berisha është njëherësh edhe kryeministër i vendit. Nga ana tjetër, shkollimi i shkëlqer, edukata familjare dhe ekperienca perëndimore në punë e tyre përbëjnë një profilaksi të garantuar për të mos u infektuar nga kjo epidemi. Dhe së fundi, familja “Berisha” ka qënë dhe mbetet modeli shembullor i familjes shqiptare, gjë të cilën në shumë raste janë detyruar ta pohojnë dhe kundërshtarët e tij politikë. Por me sa duket, të gjitha këto fakte s’kanë aspak rëndësi për përfaqësuesit e “familjes socialiste” dhe rrethit të tyre “miqsor” në viset e medias majtiste, kur bëhet fjalë për mjetet amorale të luftës për pushtet.
Siç dihet, faktet dhe realiteti asnjëherë s’kanë patur rëndësi për politikën e majtë, veçanërisht kur ka qënë fjala për të trajtuar kundërshtarin politik, që i rrezikon pushtetin apo çfardo lloj kariere tjetër. Në rast të kundërt s’do kishte patur, fjala vjen, burgime e pushkatime pa gjyq apo vetlavdërime të tipit “Shqipëria-fanarndriçues në botë”, ndërkohë që edhe preshi shitej me tallonë. Pikërisht për këtë cilësi të ulët të karakterit njerëzor, i ndjeri Pjetër Arbnori ka arritur të artikulojë shprehjen brilante: “ata nuk janë socialistë, por specialistë”. Kjo është arsyeja që fjalët dhe akuzat e tyre verbale, janë besuar dhe besohen ende “pa vërtetim” nga një kategori jo e pakët njerëzish militantë, të lidhur si “mishi me kockën” me “idealet komuniste e partizane”. Dhe s’ka si të ndodh ndryshe, ndërkohë që “Institucioni i Shpifjes” është një ndër “pasuritë më të vyera”, që Partia Socialiste dhe “levat” e saj trashëguan në vitet e pluralizmit nga Partia e Punës dhe organizatat e masave.
Ngjarjet e vitit ’97 mund të konsiderohen si produkti më i zi i “Institucionit të Shpifjes” majtiste. Siç dihet, këto ngjarje filluan pas akuzave: “qeveria na ka vjedhur paratë e firmave piramidale”. Kaq u desh dhe mijëra qytetarë vërshuan nëpër rrugë me thirrjet: “Duam paratë tona!”, megjithëse në krye të protestuesve ndodheshin ata që i kishin përvetësuar realisht këto para; disa ish ushtarak, ish sigurimsa apo ish partiakë dallkaukë të kohës së monizmit; të gjithë të punësuar ai menaxher në këto firma. Ndoshta një pjesë njerëzish të përfshirë në këto manifestime të dhunshme edhe mund të justifikohen për veprimet e tyre, me aryetimin se ishin të hidhëruar nga humbja financiare që kishin pësuar, por e pafalshme është për këdo që u vu “nën armë”, pas kushtrimit të banditëve në mes të qyteteve apo fshatrëve të Jugut se, “po vinin ushtarët e Saliut për t’u përdhunuar gratë”, ndërkohë që situata ishte e tillë ku “ushtarët e Saliut” nuk shkonin dot as deri në Lushnjë. Produkti më u fundit mashtrues i “Institucionit të Shpifjes” në periudhën e këtyre ngjarjeve të rënda ishte premtimi i Fatos Nanos në Sheshin e Flamurit për “kthimin 100% të parave të humbura në skemat piramidale”. Kësaj periudhe i takojnë edhe akuzat e personalizuara ndaj presidentit Berisha duke e etiketuar atë si “kriminel”, “pro serb”, “diktator”, “hajdut”, etj.
Por kjo lloj fushate akuzuese e denigruese ndaj liderit demokrat nuk rreshti as për 8 vjet me radhë, pas ardhjes në pushtet të social-komunistëve në kallashzgjedhjet e 29 qershorit ’97, ndërkohë që pritej verifikimi i tyre nëpërmjet procesesh të ndryshme gjyqsore. Edhe sikur 10% të vërteta të kishte nga ato akuza monstruoze, atëherë, minimalisht, Berisha meritonte “burgim të përjetshëm”, ndërsa demokratët shqiptarë të “kalbeshin” në opozitë. Asgjë s’i mungonte pushtetit absolut të së majtës për të konkretizuar dhe legjitimuar akuzat e veta ndaj ish Presidentit Berisha. Por “e vërteta vonon por nuk harrron”. Ajo tregoi se gjithëçka thuhej për Berishën apo politikanët e tjerë demokratë në atë kohë ishte vetëm një produkt i rëndomt i “Institucionit të Shpifjes” majtiste. Zgjedhjet e 3 korrikut ’05, kur demokratët me në krye Berishën u rikthyen në pushtet e damkosën me vulën e turpit të historisë “Institucionin e Shpifjes”, gjë e cila u bë shkak i “rinovimit” të tij taktik, duke e drejtuar tashmë objektivin e goditjes jo më vetëm ndaj Berishës si lider politik, por ndaj gjithë familjes së tij. U fillua me akuzat për “nepotizëm” në krjimin e kabinetit qeveritar dhe u vazhdua me “korrupsionin e familjes kryeministrore”, të cilat i faturohen herë vajzës, herë djalit apo tashë së fundi edhe dhëndërrit të Berishës. Misioni aktual i “Institucionit të Shpifjes” është që për çdo ngjarje të pakëndshme që ndodh në Shqipëri të sajohen fije lidhje me familjen “Berisha”. Ndonjëherë objekt i këtyre përfoljeve bëhen edhe ngjarje apo shtetas të huaj, mjafton të kenë njohje apo fotografi me Berishën dhe familjarët e tij. Dhe në çdo rast kryeakuza është “korrupsioni”, që për çdo mendje normale përbën një bllof. Ashtu sikundër ndodhi me akuzat e kësaj natyre në vitet ’97-’05. Natyrisht, që duke bërë pohime të tilla, nuk bëjmë lojë fjalësh apo mbrojtje militantiste të Berishës, por renditim fakte e arsyetime si prova të pakundërshtueshme. Askush prej njerëzve të ndershëm e fisnik nuk e ka të vështirë të bëjë një gjë të tillë., mjafton të mos jetë anëtarësuar në “Institucionin e Shpifjes”
Në fund të fundit, korrupsioni nuk mund të jetë një fabul e krijuar, por një realitet i hidhur që ndikon në mënyrë vendimtare tek cilësia e jetës së shqiptarëve. Me pak fjalë, kjo do të thotë se, korrupsioni dhe përmirësimi i standarteve të jetës së qytetarëve përjashtojnë njeri-tjetrin. Por në periudhën e pas dymijë e pesës është realizuar rritja më e madhe e rrogave dhe pensioneve, si kurrë më parë, ndërsa tregu është çliruar nga barra e taksave dhe presioni i çmimeve monopol. Nga ana tjetër, kostoja e korrupsionit ndikon në mënyrë vendimtare tek ngadalësimi ose frenimi i rritjes ekonomike. Ndërkohë këto 2-3 vitet e fundit, rritja jonë ekonomike ka qënë nga më të lartat në rajon, për të mos thënë në Europë e më gjerë. Në një studim të bërë disa vite më parë nga ekspertë të Bankës Botërore është arritur në përfundimin se, nivelet e larta të korrupsionit janë të shoqëruara nga nivele të ulta të rritjes së GDP-së, ndërkohë që në Shqipërinë e 3-4 viteve të fundit të qeverisuar nga Berisha po ndodh e kundërta. Sipas studimit në fjalë, nëqoftëse një vend do ta përmirësonte indeksin e korrupsionit me 20% atëherë niveli i investimeve do të rritej çdo vit me 4% dhe rritja vjetore e GDP-së do të shtohej me 1.5%. Por Shqipëria e viteve të fundit i ka përmirësuar disa herë këto tregues, gjë që do të thotë se qeverisja dhe shoqëria nuk janë nën efektet droguese të korrupsionit por nën ndikimin shërues të antikorrupsionit. Inkasimi i afro 4 miliradë dollarëve të ardhura fiskale më shumë se në vitet e qeverisjes majtiste, ndërkohë që tarifat e taksave janë ulur e përgjysmuar tregon efektivitetin e reformave dhe luftës antikorrupsion. Ajo është bërë sot vendi më tërheqës për investitorët e huaj dhe “kompion bote” për reformat e ndryshme të ekonomisë së tregut. Nga ana tjetër, korrupsioni ndikon gjithashtu edhe tek cilësia e shërbimeve që merren nga publiku, pasi zyrtarët e korruptuar përpiqen t’i përqendrojnë aktivitetet e tyre atje ku marrja e rrushfetit është më e lehtë dhe më pak e dallueshme, sikundër ndodhte në vitet e qeverisjeve majtiste. Tashmë është shmangur në mënyrë maksimale subjektivizmi në përdorimin e parasë publike, duke e bërë në mënyrë elektronike prokurimin e këtyre fondeve. Gjithashtu korrupsioni prodhon pasiguri dhe përçmim ndërkombëtar nga botë e qytetëruar, por në vitet e qeverisë “Berisha” Shqipëria filloi procedurat e anëtarësimit të BE dhe sot është në prag të marrjës së statusit të vendit kantidat, nisi procedurat e anëtarësimit në NATO dhe në prill kurorëzohet si anëtare me të drejta të plota e Alencës, grisi perçen e izolimit mjatist dhe së shpejti finalizon procesin e liberalizimit të vizave me Bashkimkn Europian e kështu me radhë. Këto e shumë fakte të tjera të kësaj natyre tregojnë se gjithëçka thuhet nga majtistët e të gjitha ngjyrave për “korrupsion të familjes kryeministrore” është vetëm trillim politiko-mediatik
Por “korrupsioni” i familjes “Berisha” nuk po verifikohet as nga organet e Prokurorisë së Përgjithëshme, megjithëse prej kohësh ato janë bërë pjesë integrale e “Institucionit të Shpifjes” dhe i janë qepur me “bukë në trajsë” kësaj familje të nderuar për të gjithë shqiptarët. Ka afro 12 vjet që institucioni kryesor i akuzës shqiptare fuknsion si i tillë, duke bërë politikë penale në favor të “Institucionit të Shpifjes”, me synim moshapjen e dosjeve reale të korrupsionit që i përkasin qeverisjes tetëvjeçare të social-komunistëve dhe krjimin e dosjeve imagjinare të korrupsionit për qeveritarët aktualë. Qëllimi është të krijohet përshtypja publike se, “korrupsioni më i rrezikshëm është ai që përgojohet”. Në rastin konkret, Prokuroria e Përgjithëshme ka arritur të dalë edhe jashtë natyrës së saj ligjore, mjafton të ushqejë me informacion përgojuesit e specializuar të familjes “Berisha”, siç ndodhi me tentativën për të arrestuar në Rinas qytetarin boshnjako-britanik, Damir Fazlliç apo për të ndëshkuar pa prova e fakte Ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha për të ashtuquajturin korrupsion në ndërtimin e Rrugës “Durrës-Kukës”. Duke përfshirë dhe ngjarjen e Gërdecit, bëhen tre ngjarje ku Prokuroia e Përgjithëshme prej muajësh po kërkon “gjilpërën në kashtë” për korrupsion të familjes “Berisha” dhe po dështon në mënyrë të turpshme në veprimtarinë e saj të ulët në shërbim të “Institucionit të Shpifjes”, një instrument me seli në mendjet dhe zemrat e “familjes socialiste” dhe farefisit të saj.
Në këto kushte, ky instrument politiko-mediatik po merr pak a shumë atributet e Institutit të Studimeve Marksite-Leniniste të kohës së Enver Hoxhës për përpunimin e politikave të marrjes dhe mbajtjes së pushtetit me shpifje e mashtrime, sikundër ndodhi në vitin ’97-ë, duke menduar se “lumi mund të rrjedh dy herë në të njëjtin shtrat”. Faktikisht ai përbën shtabin real të zgjedhjeve për opozitën majtiste. Gjithëçka tjetër që publikohet si risi është vetëm një tentaivë për të maskuar instrumentin real të veprimit për të goditur dhe shkurajuar kundërshtarin politik me thashtheme korrupsioni. Sidoqoftë, politika dhe propaganda e demokratëve nuk duhet të mjaftohet vetëm me sqarimet publike që prodhojnë konferencat e shtypit apo artikujt e disa mediave serioze, por të ndërtojë një program të gjerë sqarimi për opinionin publik, përtej atyre fakteve e ngjarjeve që njerëzit shohin, përjetojnë apo prekin me duartë e tyre. Një komshiu im intelektual, Virgjil Stambolla, burrë i vjetër dhe i nderuar, që brenda një viti banon në Shqipëri po aq sa dhe në Itali, më thoshte këto ditë se ishte i befasuar nga arritjet e qeverisë “Berisha” në këto 3-4 vitet e fundit. Dhe gjithëçka ia atribuonte virtyteve njerëzore dhe cilësive të tij të larta drejtuese përmes kasandrave të “Institucionit të Shpifjes”. Më mrekulloi me arsyetimin, rrefimin dhe sinqeritin e tij. Por këto përshtypje duhet të dëgjohen gjithnjë e më shumë nga brezi i ri dhe nga viktimat e pafjashme të “Instiucionit të Shpifjes” majtiste, pasi janë një realitet i padikutueshëm. Pas kësaj, vetëm një i marrë mund të besojë se gjithë këto arritje historike mund të kenë dalë nga “dera e pasme” e korrupsionit të “familjes kryeministrore”.