Reziston pak
Deklaratat e zyrtarëve të Bashkimit Europian për vazhdimin e dialogut politik në të cilin do të përfshiheshin zyrtarë të lartë të Prishtinës dhe Beogradit, kanë vazhduar edhe të mërkurën. Për këtë çështje, Gjermania ka dërguar në Beograd përfaqësuesin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Nikolaus Lambsdorff, i cili ka thënë se vendi i tij përkrah një dialog të tillë. Ai ka thënë se Serbia duhet të vendosë marrëdhënie afatgjata dhe funksionale me Kosovën, nëse do të ecë përpara në rrugën europiane.
Lambsdorff ka deklaruar se beson se dialogu në nivel të lartë politik do të nisë në fillim të shtatorit nën patronazhin e Përfaqësueses së Lartë të BE’së, Catherine Ashton.
“Ekzistojnë paralajmërime për dialog politik në nivel më të lartë, për çka besoj se do të nisë nën patronazhin e Catherine Ashtinit në fillim të shtatorit”, ka thënë diplomati gjerman.
Sipas tij, Serbia nuk do të ballafaqohet me kushte të tjera për anëtarësim në Bashkimin Europian, por ajo duhet të plotësojë kushtëzimet ekzistuese, të cilat Brukseli i ka vënë në dhjetorin e kaluar.
Lambsdorff ka theksuar se shpreson se në bisedime do të arrihen rezultate, derisa ka kërkuar edhe implementimin e marrëveshjeve të arritura. Zëvendëskryeministri dhe Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vucic ka premtuar se Serbia do t’i respektojë marrëveshjet, por ka kërkuar që kompromise të bëjë edhe Prishtina, e jo vetëm Beogradi.
“Askush nuk ka interes që koha të kalojë dhe që asgjë të mos ndryshojë, këtë nuk e duan as qytetarët e Serbisë, e askush në botë. Të gjithë duan vazhdimin e dialogut. Do të përpiqemi që në gusht, apo shtator të arrijmë konsensus nacional rreth çështjes së Kosovës”, ka thënë Vucic.
Për çështjen e dialogut, tashmë Kryeministri Hashim Thaçi ka kryer një udhëtim në Bruksel, ku ka marrë shpjegimet nga Përfaqësuesja e Lartë e BE’së për vazhdimin e dialogut me Serbinë.
Një gjë të tillë pritet ta bëjë edhe Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, i cili pritet të takohet me zyrtaren e lartë europiane në shtator. Pavarësisht se në publik ende nuk është bërë i qartë saktësisht formati i dialogut të ardhshëm.
Por duket se Zëndëskryeministri Hajredin Kuçi është i vendosur që Prishtina mos të hyjë në proces të tillë pa u implementuar marrëveshjet. Të mërkurën, para gazetarëve ai ka vënë në pikëpyetje një proces që duket të jetë i pashmangshëm.
“E para pyetje duhet të jetë a do të ketë dialog politik”, ka thënë ai.
“Unë, e para e punës, pyetjet sugjestive nuk i pranoj. Arsyeja kryesore për këtë është se kur unë të jap përgjigjen, konstatohet që pajtohem me atë. Fillimisht duhet të implementohen të arriturat që kanë qenë deri më tani, pastaj Kosova do të marrë çdo vendim në përputhje me Kushtetutën dhe në përputhje me pajtim të plotë me BE’në dhe SHBA’në”, ka shtuar Kuçi.
Sipas tij, së pari duhet të implementohen marrëveshjet e arritura.
“Po e përsëris atë që e thashë më herët: duhet të implementohen të arriturat që kanë qenë deri më tani, sidomos ato që kanë të bëjnë me menaxhimin integruar të kufijve dhe të tjerat dhe se ne do të marrim çdo vendim në përputhje me Kushtetutën dhe në përputhje e me pajtim të plotë me BE’në dhe SHBA’në”, ka thënë ai.