Vazhdojnë mosmarrëveshjet
Kryeministri Hashim Thaçi i ka bërë një interpretim të ri Marrëveshjes politike të vitit të kaluar dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese sa i përket mandatit pesëvjeçar të Presidentes.
Ai ka thënë të mërkurën se Marrëveshja që shërbeu për tejkalimin e krizës politike duhet të respektohet në përpikëri vetëm sa i përket reformës zgjedhore, sikur që duhet të zbatohet edhe Vendimi i Gjykatës për mosshkurtimin e mandatit të Presidentes.
Në të njëjtën kohë, Shefi i Qeverisë ka thënë se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme Presidenciale, e as parlamentare, siç është paraparë në marrëveshjen e nënshkruar mes PDK’së, LDK’së dhe AKR’së.
Në këtë mënyrë, Kryeministri iu është përgjigjur thirrjeve që po i bën lideri i LDK’së, Isa Mustafa për zbatimin e Marrëveshjes politike, e cila ka paraparë kufizimin e mandateve të Presidentit, Qeverisë dhe Parlamentit.
Për zbatimin e pikës që ka të bëjë me zgjedhjet e drejtpërdrejta presidenciale, Thaçi ka thënë se do të pajtohet me opozitën vetëm se duhet të zbatohet mandati ligjor dhe kushtetues i Shefes së Shtetit.
“Ne do ta respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por do ta respektojmë në përpikëri Marrëveshjen politike për reformën zgjedhore”, ka thënë Thaçi, në mbledhjen e Qeverisë.
Dy partitë e tjera, njëra në pushtet, AKR, dhe tjetra në opozitë, LDK kanë kërkuar që të zbatohet Marrëveshja pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Lideri i LDK’së, Isa Mustafa nuk e ka përjashtuar bojkotin parlamentar në rast se ujdia për mandatin e kufizuar të Presidentes aktuale nuk shkon deri në fund.
Marrëveshja e arritur në prillin e vitit 2010 me ndërmjetësimin e amerikanëve mes Thaçit, Mustafës e Pacollit paraparë mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale më së voni në fund të këtij viti, ndërsa zgjedhjet parlamentare në vjeshtën e vitit të ardhshëm.
Shefi i Qeverisë ka konfirmuar se mbajtja e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare duhet të mbahet sipas afatit ligjor dhe kushtetues – për President më 2016, ndërsa për Qeverinë më 2014.
“Ju siguroj se do të jemi shumë gjenerozë në çështjet që i shtron opozita për t`i inkorporuar në reformën zgjedhore, qoftë për zgjedhjen e presidentit në mënyrë të drejtpërdrejtë në afatin kushtetues dhe ligjor, qoftë për sistemin zgjedhor që mendohet se do të ishte më efektiv, më praktik që do të rriste transparencën”, ka shtuar ai.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në Express...