Rezoluta/ Shqipëria dhe Maqedonia e V., hedhin edhe një hap drejt hapjes së negociatave me BE-në

Parlamenti Evropian miraroi sot në Komitetin e Punëve të Jashtme një rezolutë tjetër, ku i bëhet thirrje vendeve anëtare, Këshillit Evropian, për të hapur sa më parë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si një domosdoshmëri për të treguar besueshmëri dhe seriozitet për procesin e integrimit evropian për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Raporti u miratua me 66 vota pro, 4 kundër dhe 3 abstenim.
Në raportin e përgatitur nga Reporterja për Shqipërinë në PE, eurodeputetja Isabel Santos, raport i cili do t’i shkojë seancës plenare përmiratim në formën e rezolutës, ritheksohet mbështetja e qartë për transformimin demokratik të Shqipërisë, të mbështetur nga orientimi strategjik dhe përkushtimi i palëkundur ndaj integrimit evropian.
Santos rikujton në raport nevojën për të mbështetur shpejt ritmin dhe besueshmërinë e integrimit evropian, hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ashtu siç prej vitesh tashmë është rekomanduar nga Komisioni Evropian, duke qenë se të dyja vendet kanë përmbushur kushtet dhe të dyja vendet kanë dhënë rezultate të qëndrueshme në të gjitha fushat themelore.
Në projekt rezolutën e Parlamentit Evropian ritheksohet gjithashtu se ritmi i anëtarësimit në BE përcaktohet nga progresi në kohën e duhur, funksionimi i të gjitha institucioneve dhe bazohet në sundimin e ligjit, qeverisjen e mirë dhe të drejtat themelore. Ndaj për këtë arsye i kërkohet Shqipërisë të mbështesë dhe të intensifikojë përpjekjet për të përforcuar funksionimin e gjyqësorit, forcimin e shtetit ligjor, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke garantuar edhe lirinë e medias.
Parlamenti Evropian ka përshëndetur edhe një herë punën e organeve të reja të drejtësisë për rezultatet e fundit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Nevojiten përpjekje shtesë për të rritur më tej sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve kriminale që rrjedhin nga veprat penale të lidhura me korrupsionin dhe për të zhvilluar një gjurmë provash në rastet e nivelit të lartë. Shprehim keqardhjen që dënimet në rastet që përfshijnë zyrtarë të nivelit të lartë mbeten ende të kufizuara, duke nxitur një kulturë të mosndëshkimit” thuhet në raport.