E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rezoluta e CDI, Blushi: Nevoja e një gjyqësori të paanshëm dhe të pavarur, domosdoshmëri

TIRANË, 18 nëntor /ATSH/ Partia e Lirisë përshëndet dhe përkrah plotësisht Rezolutën e miratuar në unanimitet në Internacionalen e Qendrës Demokratike (CDI).

Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Tedi Blushi në një postim në rrjetet sociale u shpreh se, “duke bashkëndarë të njëjtin shqetësim se Shqipëria është shndërruar sot ndër vendet e pakta në botë me të burgosur politikë, mbështesim fuqimisht qëndrimin e CDI për dënimin me ashpërsi të arrestimeve politike, burgimeve dhe ndjekjeve penale të udhëheqësve të opozitës, Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, liderit historik të Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, deputetëve dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të opozitës, si edhe përkrahim apelin e CDI për lirimin e tyre të menjëhershëm”.

Blushi theksoi se, “nevoja e një gjyqësori të paanshëm dhe të pavarur shqiptar, siç apelohet në Rezolutë,  është një domosdoshmëri në kushtet kur siç thekson edhe CDI sistemi i drejtësisë në vend është shndërruar në instrument të fuqishëm të shumicës socialiste për të shtypur kundërshtarët politikë”.

“Ndajmë gjithashtu shqetësimin e drejtë për korrupsionin e shfrenuar dhe lidhjet e drejtpërdrejta alarmante të krimit të organizuar me Qeverinë, drejtuesit e “Rilindjes” dhe zyrtarët e zbatimit të ligjit, në funksion të blerjes së votave, që i kanë kthyer zgjedhjet në fasadë”, u shpreh ai.

“Partia e Lirisë falënderon CDI për mbështetjen në mënyrë të pakushtëzuar të përpjekjeve të opozitës shqiptare për anëtarësimin në BE, si dhe luftën tonë për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme parlamentare nëpërmjet një Qeverie teknike, duke njohur vendosmërisht misionin dhe aksionin tonë të guximshëm politik që është jetik në rikthimin e qeverisjes demokratike, përmbysjes së Narkoshtetit, mbrojtjen e pluralizmit dhe llogaridhënies, si dhe të të drejtave themelore si barazia përpara ligjit, liria e fjalës dhe e protestës”, përfundoi Blushi.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›