E Diel, 1 Nëntor 2026

Rezoluta për të drejtat e shqiptarëve të Preshevës votohet të enjten

PRISHTINË - Kuvendi i Republikës së Kosovës, në seancën plenare të ditës së enjte, në 6 qershor, pritet të votojë Rezolutën për të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, pas debatit mbi këtë temë, të mbajtur javën e kaluar. Kryeparlamentari kosovar, Jakup Krasniqi, ka kërkuar nga shefat e grupeve parlamentare që deri në këtë ditë të harmonizojnë qëndrimet për tekstin e Rezolutës. 

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka vendosur që këtë javë të mbahen dy seanca parlamentare. 

Në seancën e 31 majit, pas shterjes së debatit, kërkuesi i tij, deputeti Lutfi Haziri, në konsultim me grupet parlamentare, paraqiti Rezolutën për të drejtat e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, të plotësuar me disa pika shtesë nga versioni i parë. Kështu, sipas pikës së parë të rezolutës së propozuar, Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës të procedojë amendamentin kushtetues i cili obligon Republikën e Kosovës që të kujdeset për të drejtat e shqiptarëve jashtë kufijve të Kosovës. 

Ishte kjo pikë për të cilën përfaqësuesit e grupeve parlamentare kishin qëndrime të ndryshme, nëse duhet të jetë pjesë e Rezolutës ose jo. Pas një pauze disaminutëshe, në mungesë të kuorumit, rezoluta nuk mund të hidhej në votim dhe Kuvendi ndërpreu mbledhjen
(e.m/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›