Rezultatet paraprake në Turqi, Erdoan po humb sërish Stambollin dhe Ankaranë

Rreth 61 milionë banorë në Turqi me të drejtë vote kanë votuar për të zgjedhur drejtuesit e rinj lokalë për 5 vitet e ardhshme, ndërsa beteja kryesore është Stambolli dhe kryeqyteti i vendit, Ankaraja.
Nga rezultatet paraprake duket se presidenti Erdoan po humbet sërish Stambollin dhe Ankaranë, ndërsa opozita po fiton bashkitë e mëdha.
Sipas TRT, në Stamboll pas numërimit të 18 % të kutive kandidati i opozitës “Partia Popullore Republikane” Ekrem Imamollu ka marrë 50.46 % të votave duke kryesuar dhe kandidati i Aleancës Popullore Murat Kurum, kandidat i Erdoanit, ka 40.81% të votave.
Ndërkohë edhe në Ankara me 12.4 % të votave të numëruara “Partia Popullore Republikane” është forca kryesuese duke e nxjerrë partinë e Erdoanit në vend të dytë. Kandidati i CHP Mansur Yavas ka marrë 58.87 % të votave dhe kandidati i AK, Turgut Altinok ka marrë 33.20 % të votave.
Edhe në Izmir, kandidati i opozitës udhëheq bindshëm. Nga numërimi i 23 % të votave, rezulton se kandidati opozitar Cemil Tucay ka një epërsi me 47.24% kundrejt kandidatit të Erdoan, Hamza Dagut me 37.85%.
Këto votime cilësohen si test për presidentin Rexhep Taip Erdoan, i cili kërkon të marrë kontrollin e zonave të rëndësishme urbane që opozita pati fituar pesë vite më parë.
Këto zgjedhje vendore gjithashtu shërbejnë si barometër për popullaritetin e Erdoan, partia e të cilit synon të rimarrë nën kontroll Stambolllin, aty ku udhëheqësi turk lindi dhe u rrit dhe ku filloi karrierën politike si kryebashkiak në 1994-ën.
Ndërsa çmimi i madh për Erdoan në këto zgjedhje është Stambolli, partia e tij po përpiqet të rifitojë edhe kryeqytetin Ankara, edhe ky I marrë nga opozita në zgjedhjet e 2019-ës.
Një faktor që nuk është në favor të Erdoan ndërkohë është rritja e mbështetjes për partinë islamike “Mirëqënia e Re”, për shkak të qëndrimit ekstrem që kjo forcë ka mbajtur kundër Izraelit për luftën në Gaza dhe pakënaqësinë me mënyrën se si Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e presidentit ka adresuar problemet ekonomike në vendin ku inflacioni ka shkuar gati 70 %.
/rtsh.al/