Zgjedhjet vendore në Turqi- Stambolli, test madhor për presidentin Erdoan

Rreth 61 milionë qytetarë turq iu janë drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur drejtuesit e tyre vendor, votime të cilat cilësohen si test për presidentin Rexhep Taip Erdoan, i cili kërkon të marrë kontrollin e zonave të rëndësishme urbane që opozita pati fituar pesë vite më parë.
Këto zgjedhje vendore gjithashtu shërbejnë si barometër për popullaritetin e Erdoan, partia e të cilit synon të rimarrë nën kontroll Stambolllin, aty ku udhëheqësi turk lindi dhe u rrit dhe ku filloi karrierën politike si kryebashkiak në 1994-ën.
Në 2019, drejtimi I qytetit u fitua nga opozitari Ekrem Imamollu, i cili kandidon sërish si kryebashkiak ndaj kandidatit të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim të Erdoan, Murat Kurum, një ish ministër.
Votuesit e partisë kryesore pro kurde demokratike të popullit ishin të rëndësishëm në suksesin që Imamollu arriti në 2019-ën. Kjo parti ndërkohë ka dalë me kandidatin e saj në Stamboll, por shumë kurdë pritet të lënë mënjanë besnikërinë ndaj partisë dhe të votojnë sërish për Imamollun. Ndërsa çmimi i madh për Erdoan në këto zgjedhje është Stambolli, partia e tij po përpiqet të rifitojë edhe kryeqytetin Ankara, edhe ky I marrë nga opozita në zgjedhjet e 2019-ës.
Një faktor që nuk është në favor të Erdoan ndërkohë është rritja e mbështetjes për partinë islamike “Mirëqënia e Re”, për shkak të qëndrimit ekstrem që kjo forcë ka mbajtur kundër Izraelit për luftën në Gaza dhe pakënaqësinë me mënyrën se si Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e presidentit ka adresuar problemet ekonomike në vendin ku inflacioni ka shkuar gati 70 %.
Ndërkaq, mediat e huaja kanë raportuar se një person ka humbur jetën dhe 12 të tjerë u plagosën në një fshat në juglindjen e vendit të banuar me shumicë kurde, si pasojë e përplasjeve të dhunshme dhe të shtëna mes dy grupeve. Nga të shtënat u dëmtua edhe automjeti i një gazetari.
/rtsh.al/