Rezultati për Tiranën, deputetët e PS-së paraqiten në KQZ

Deputetët e Partisë Socialiste janë paraqitur sot në KQZ vetëm pak çaste përpara nisjes së mbledhjes ku do të shqyrtohet akti normativ për fletët e kontestuara.
Kryetari i KQZ-së Arben Ristani ka kërkuar që deputetët të largohen nga salla e mbledhjes dhe pasi hasi në kundërshtimin e deputetëve ai ka ndërprerë mbledhjen.
Deputetja e PS-së Vasilika Hysi në një prononcim për “Ora News” e ka cilësuar aktin normativ si absurd dhe antiligjor. Sipas saj është e turpshme që KQZ-ja po përpiqet për të ndryshuar rezultatin në tavolinë.
“KQZ-ja po merr kopetencat e KZAZ-ve dhe kjo është në kundërshtim me kodin zgjedhor” theksoi Hysi duke shtuar se deputetët e PS-së janë mjaft të indinjuar për këtë veprimin antiligjor të KQZ-së.
Më tej deputetja Hysi theksoi se ky akt normativ i KQZ-së cënon haptazi demokracinë në Shqipëri. “Jemi këtu për të parë procesin e vendimarrjes dhe nuk do të lejojmë që KQZ-ja të dhunojë një proces” shtoi Hysi duke shtuar se KQZ-ja nuk mund të marrë kopetenca për të ndryshuar tabelat e miratuara nga KZAZ-të.
Drafti i hartuar nga administrata e KQZ-së parashikon rishikimin e tabelave me rezultatet e nxjerra nga KZAZ për pasqyrimin në to të fletëve të kontestuara.
Sipas këtij akti, kërkohet që votat e kontestuara të pasqyrohen në tabelën përmbledhëse. “KQZ duhet të vlerësojë këto fletë dhe të vendosë se për cilin kandidat apo subjekt të llogariten. Kjo të bëhet vetëm pas numërimit të votave për njësitë bashkiake, që të evidentohen këto fletë votimi hedhur në kutitë e gabuara”, thuhet në akt.