Riatdhesimi i të dënuarve në Britani/ Deputeti i PS për “Ekspres”: Ja kushtet në bazë të marrëveshjes

Shqiptarët e dënuar në Britaninë e Madhe do të transferohen në atdhe për të vuajtur pjesën tjetër të dënimit.
I ftuar në emisionin “Ekspres” në RTSH, Lavdrim Krashi, deputet i Partisë Socialiste, sqaroi se kjo marrëveshje nuk vlen për të gjithë të burgosurit atje pasi duhet specifikisht të plotësohen tre kushte.
“Për riatdhesimin e të dënuarve shqiptarë duhet patjetër të plotësohen tri kushte. E para është që vetë i dënuari të jetë dakord për t’u kthyer. Po ashtu Qeveria britanike, si edhe ajo shqiptare nëpërmjet institucioneve të jenë dakord për kthimin e emigrantit. Një nga arsyet për të cilën është rënë dakord për riatdhesimin e të burgosurve shqiptarë është mbipopullimi i burgjeve në Britani, si edhe për t’i sjellë ata më afër të afërmve,” sqaroi Krashi.
Marrëveshja për transferimin e të dënuarve shqiptarë nga Britania e Madhe drejt burgjeve shqiptare ku do të vuajnë pjesën e mbetur të dënimit u firmos nga ministri i Drejtësisë Ulsi Manja dhe homologu britanik Aleks Çolk (o. Alex Chalk) në Londër.
Marrëveshja do të jetë me 0 kosto financiare për shtetin shqiptar, ndërsa pala britanike do të mbulojë shpenzimet për çdo ditë që të dënuarit do të vuajnë në burgjet tona.
/rtsh.al/