Riberi: Nuk largohem nga Bajerni
“Nuk kam thënë kurrë, as në gazeta dhe as në televizione se dua të shkoj tek Reali i Madridit”. Frenk Riberi thyen heshtjen dhe në kanalin francez TF1 rrëfen të vërtetën e tij në lidhje me një transferim të mundshëm tek klubi merenges. “Nuk mund t’i ndaloj klubet e tjera që t’i bëjnë oferta Bajernit për mua – vijon më tej sulmuesi francez – e nëse do të doja të largohesha, do ta kisha thënë me kohë, por nuk është ky momenti”. Kështu, Riberi u jep një mesazh të qartë të gjitha skuadrave që donin shërbimet e tij: Reali, Barcelona, Çelsi dhe Mançesteri. “Ajo që mund t’u them këtyre ekipeve është se tani për tani jam tek Bajerni, dyert janë të mbyllura dhe klubi dëshiron me të vërtetë që unë të qëndroj këtu”. Por në Angli nuk dorëzohen: sipas “Sunday Express”, Çelsi është gati t’i ofrojë Bajernit 30 milion euro dhe kartonin e Hoze Bosingvas, i cili kërkohet prej kohësh nga bavarezët, në shkëmbim të sulmuesit francez.