Rice: Fazë e re në marrëdhëniet me Libinë
Sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice, ka folur për një 'fazë të re' në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Libisë.
Ajo e bëri këtë deklaratë pas bisedimeve historike që zhvilloi në Tripoli me udhëheqësin libian, Moammar Gadaffi.
Znj. Rice tha se mes dy vendeve kishte ende kishin dallime, por ato kishin hyrë në një epokë të re bashkëpunimi.
Një korrespondente e BBC-së në Tripoli thotë se ky moment 'historik' u arrit pas dhjetëvjeçarëve armiqësie të egër mes dy vendeve dhe pesë vjetëve diplomaci.
Diskutime 'të frutshme'
Marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Tripolit u përkeqësuan pasi kolonel Gadafi erdhi në pushtet në Libi në vitin 1969.
Ato filluan të përmirësohen ndjeshëm para pesë vjetësh kur Libia pranoi përgjegjësinë e saj në shpërthimin e një avioni amerikan nga një bombë mbi Skoci në vitin 1988.
Marrëveshja hapi rrugën për këtë vizitë historike në Libi të Sekretares amerikane të Shtetit.
Në një konferencë për shtyp, Znj. Rice tha se diskutimet e saj në Tripoli kishin qenë të frutshme. Ajo tha se me kolonel Ghadaffin kishin biseduar për Afrikën dhe Lindjen e Mesme.
Vizitë simbolike
Dikur e menduar si e paimagjinueshme, takimi i znj.Rice me Muammar Quadhafi u përshëndet si shenjë përparimi në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Megjithatë, vizita e znj. Rice në Libi ishte vetëm një akt simbolik diplomacie i amerikanëve, thotë korrespondentja e BBC-së në Tripoli.
Edhe pse dy palët janë përmbajtur dhe nuk e kanë cilësuar njëri- tjetrin si vend mik, ata duken të interesuar të shfrytëzojnë momentin për të tejkaluar boshllëqet në marrëdhënien mes tyre që prej kohësh ka qenë në pështjellim.
Gjatë viteve të fundit Libia është rishfaqur në skenën botërore pas izolimit me dekada të tëra dhe pas sanksioneve ndërkombëtare.