E Shtunë, 31 Tetor 2026

Riciklimi i shkabës dhe qeleshes

Elsa Demo

Pavarësia është ngjarja më e rëndësishme e një kombi sa është dhe gjendje e vazhdueshme e njeriut, prandaj nuk duhet vetëm të kujtohet por gjithashtu të këshillohet që njeriu të vazhdojë të punojë për të. Visar Obrija dhe Kai Kiklas e japin këtë përkufizim përfund idesë që propozojnë në Konkursin Ndërkombëtar për Monumentin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Ide bazë e projektit të dyshes shqiptaro-gjermane nga Mynihu (shprehur anglisht dhe me një shqipe të çalë), shërben një kullë tradicionale shqiptare, një simbol i një populli që për dekada ka qenë i shtypur. Obrija dhe Kiklas e mendojnë memorialin-kullë në një zonë parku të gjelbër. Kulla paraqitet e hapur si rruga për pavarësi dhe ajo synon ti japë vizitorit ndjenjën e lirisë e të pavarësisë. Brenda faqeve të kullës autorët mendojnë të gdhendur portretet e Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit e Isa Boletinit dhe deklaratën e pavarësisë. Në faqet e jashtme përfytyrohet imazhi i Marigonës që qepi flamurin dhe simboli i shqiponjës.

Çfarë propozon konkurrenti Dashamir Arifi nga Tetova? Projekti i tij sugjeron që monumenti i pavarësisë të vendoset në autostradën Tiranë-Durrës. Fotot tregojnë me shigjetë një vend në kodër ndërmjet reklamave të Neskafesë dhe Bankës Intesa Sanpaolo. Boceti i Arifit i ngjan një hinke grykëgjerë. Nga teksti i tij shpjegues mësojmë se kjo punë lind nga dilema nëse kjo datë është përvjetor i pavarësisë apo i copëtimit të Shqipërisë. Është një datë për të festuar apo për të reflektuar. Zemra e veprës përkujtimore të Arifit është pusi i thellë 30 metër. Sipas tij ky është totemi shqiptar: Në përgjithësi sa më të reja e të pasigurta të jenë kulturat aq më të larta i ngrenë simbolet e tyre. Ne jemi një popull me një histori dhe kulturë shumë të lashtë që artisti ka dashur ta përfaqësojë me thellësinë e këtij pusi. Pra një monument nën tokë. Në muret perimetrike të pusit do të shkruhet historia e popullit tonë dhe pusi do të bëhet i vizitueshëm nga publiku. Nga thellësia e pusit nis një lëvizje gravitacionale e fuqishme. Ajo simbolizon fuqinë gravitacionale që Shqipëria ushtron ndaj gjithë shqiptarëve në trevat jashtë saj. Kjo vepër ka për synim të jetë vepra e çdo shqiptari… Përreth kësaj lëvizje gravitacionale ngrihen krenar gjashtë monolite. Çdo monolit përfaqëson një trevë: Treva shqiptare e Malit të zi, e Maqedonisë, Kosova, trevat shqiptare të Serbisë dhe Çamëria. Hapjen e pusit në kodrën e reklamave përgjatë autostradës Arifi e quan një mundësi a vend pelegrinazhi që njerëzit ti largohen jetës kaotike. Tekefundit do të ishte një decentralizim i objekteve e mbyll sqarimin e tij një nga 58 konkurrentët e Konkursit. Ai quan pusin totem shqiptar. Por shumica e pjesëmarrësve bien dakord se totemi i vërtetë është ai i shkabës, me një ose dy krerë, me kthetrat si të luanit mbi një kolonë gipsi ose me krahët si të fluturës në belin burrëror të një gruaje në bronz, por mund të jetë edhe i abstraguar shpendi ynë në trajtën e një fjongoje e hedhur në ajër. Të jenë bërë bashkë kaq shumë shqiponja kur përgatitej monumenti i pavarësisë në Vlorë ose i Nënës Shqipëri për Varrezat e Dëshmorëve?

Pjesëmarrësit, gjithnjë është fjala për konkurrentët shqiptarë të cilët përfaqësojnë më shumë se gjysmën, bien dakord që për nga rëndësia, totemi i dytë është qeleshja. Ajo mund të rrijë në majë të një shtize memorial, ajo mund të jetë vetë monumenti në fundin e të cilës lidhet një fjongo e kuqe cepat e të cilës ngrihen anësh si krahë shqiponje!

Totemi i tretë për nga shpeshtësia është gruaja me fustanin që ia merr era dhe gjinjtë plot. E kështu me radhë flamuri, dy duar gjigante të lidhura besa-besë…

Nuk ishte e vështirë të mbërrinim te dhjetëshja, thotë anëtari i jurisë ndërkombëtare, drejtori i GKA Rubens Shima. Nëpërmjet bisedës me të evidentojmë prurjet e konkursit. Nga dje në mesditë deri më 25 mars të gjitha bocetet ekspozohen për publikun në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Konkursi

Konkursi për Monumentin e 100-vjetorit të Pavarësisë u shpall më 22 dhjetor 2011 dhe u mbyll më 15 mars të këtij viti. Konkurrojnë rreth 80 bocete nga 61 artistë. Ndër ta, 26 janë nga Shqipëria, 13 nga diaspora, 8 nga Maqedonia dhe Kosova dhe 14 artistë ndërkombëtarë nga Islanda, Kanadaja, Meksika, Gjermania, Italia. Juria Ndërkombëtare përbëhej nga: Pio Baldi (Drejtor i Muzeut të Artit të shek. 21 në Romë), Juan Bordes (skulptor dhe arkitekt, anëtar i Akademisë Mbretërore të Arteve të Bukura të Spanjës), Rubens Shima (Drejtor i GKA), Aurel Plasari (Drejtor i Bibliotekës Kombëtare), Shyqyri Nimani (Artist dhe Akademik nga Kosova), Ali Oseku (Artist dhe Profesor në Akademinë e Arteve të Bukura), Muntaz Dhrami (Skulptor), Parid Teferiçi (Artist), Marin Biçoku (Arkitekt Urbanist). Juria shqyrtoi projektet më 18-21 Mars. Në bazë të një sistemi votimi me pikë ata dolën në 10 idetë më të mira, nga të cilat 5 i janë paraqitur Komisionit Shtetëror të Festimeve për 100-vjetorin e Pavarësisë pranë Kryeministrit. Ai vendos.

 

Intervista/ Rubens Shima:

 Keni një klasifikim për idetë që solli konkursi?

Propozimet për monumentin e 100-vjetorit të pavarësisë tregojnë se interesi ishte i lartë. Tre muaj kohë kanë qenë mjaftueshëm. Jurisë i ka interesuar cili do të ishte koncepti më i mirë dhe në çfarë forme, gjuhe apo estetike do të propozohej. Për përmbajtjen mund të them që kemi një ndarje të qartë. Artistët e huaj kryesisht kanë preferuar një gjuhë jofigurative, një estetike moderniste, e cila shprehet edhe në materialet e realizmit të një monumenti bashkëkohor. Artistët shqiptarë ata kanë preferuar gjuhën figurative me simbolikë.

Nga simbolet në bocetet e artistëve shqiptarë dominon shqiponja.

Edhe flamuri, stema, personazhet historike. Gjuha është tradicionaliste, madje ndonjëherë kemi të bëjmë edhe me një zgjatim të realizmit socialist. Juria nuk e pati të vështirë të bënte një seleksionim të parë dhe të menjëhershëm për të arritur tek 10 propozime, pavarësisht se Komisionit Shtetëror të Festimeve do ti referohen vetëm 5.

Si u zhvillua procesi i vlerësimit?

Me sistemin e pikëve, gjithsecili anëtar kishte për të vendosur një renditje. Ky sistem vlerësimi ishte nga 1-5, në bazë të një liste të përzgjedhur pas tre raundeve. Grupi i autorëve që mundi të hyjë tek dhjetëshja iu nënshtrua sistemit të votimit me pikë nga të nëntë anëtarët. Në bazë të llogaritjes së pikëve u bë renditja finale që do të referojmë në Komision.

Është te kjo pesëshe ajo që ju prisnit nga konkursi?

Mendoj se kemi përzgjedhur lëndën më të mirë që ky konkurs propozon.

Mund të jepnit karakteristikat e kësaj lënde?

Gjykimi im personal paraprak ka qenë i prerë: që ky monument duhet të shënojë edhe një lloj shkëputje me estetikën e së kaluarës. Ne nuk mund të vazhdojmë të ndërtojmë monumente sikur jetojmë ende në socializëm. Pjesëmarrja e artistëve ndërkombëtarë ka qenë ndihmë shumë e madhe në funksionimin e konkursit.

Çfarë sjellin ata?

Për ne është shumë e rëndësishme estetika sepse estetika nganjëherë është vetë përmbajtja. Por këtu kemi projekte, makete e bocete të cilat kanë një simbolikë të drejtpërdrejtë jo detyrimisht narrative. Kemi artistë me kurrikula shumë të pasura në realizimin e monumenteve në botë. Ju përmend propozimin e artistit gjerman Jorg Plickat i cili sapo ka përfunduar monumentin kushtuar lojërave olimpike në Pekin. Ai propozon idenë e dy hallkave zinxhiri që këputen. Është një ll

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›